05 Gusht 2020

Fule: Kosova duhet të jetë krenare për progresin e arritur

Shkruar nga Štefan FÜLE    


Si Komisioner i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Politikë të Fqinjësisë, pres me padurim që të punojë me njerëzit e Kosovës për të siguruar reforma të qëndrueshme dhe përfitime konkrete në rrugën për në Evropë. Personalisht e kam përjetuar se si zgjerimi mund të ndryshojë shoqëritë për të mirë.  Jam i bindur se anëtarësimi në BE është kyç për të ardhmen e rajonit. 


Kosova duhet të jetë krenare për progresin e arritur deri më tash. Në vitin e dytë pas shpalljes së pavarësisë, korniza ligjore është konsoliduar dukshëm dhe është ruajtur stabiliteti politik. Vitin e kaluar, për herë të parë, Kosova organizoi procesin zgjedhor. Ato u realizuan në mënyrë të rregullt dhe me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve. 



Megjithatë,  ende ka sfida. Situata e sigurisë, edhe pse stabile, ende është e brishtë. Konsolidimi i sundimit të ligjit në tërë Kosovën kërkon përpjekje të mëtutjeshme. Krimi i organizuar, pastrimi i parave, reformimi i administratës publike janë që të gjitha fusha që kanë nevojë për vëmendje të vazhdueshme.

 

Gjatë mandatit tim, pres që të shoh një nxitje të vazhdueshme për pajtim midis komuniteteve të Kosovës. Rruga është e qartë – shtetet anëtare të BE-së e kanë ripotencuar në disa raste se Kosova ka perspektivë evropiane sikurse edhe rajoni. Tash i takon Kosovës që ta bëjë këtë realitet.
Njerëzit e Kosovës janë vepruesit më të rëndësishëm për reformë. Jam i përkushtuar fuqishëm për të siguruar që perspektiva evropiane të sjellë përfitim real për njerëzit. Autoritetet duhet të jenë vazhdimisht llogaridhënës nga ata që i zgjedhin dhe që i respektojnë rregullat që i krijojnë.

 

Kjo është lidhja më themelore në çdo shoqëri. I bëjë thirrje popullit të Kosovës që të jetë i angazhuar dhe i vëmendshëm. Komisioni në koordinim të ngushtë me EULEX-in dhe Përfaqësuesin Special të BE-së, janë këtu për të ndihmuar. Ne do t’iu ndihmojmë juve në rrugën tuaj. 


Ky vit do të jetë kyç për Kosovën. Dhjetorin e kaluar, shtetet anëtare të BE-së e mirëpritën komunikatën tonë  “Kosova – Përmbushja e Perspektivës së saj Evropiane” dhe  dha dritën e gjelbër për propozimet tona. Ne tani po ecim para me masa që kanë të bëjnë me tregtinë, vizat dhe dialogun e Procesit të Stabilizim-Asociimit. Ato duhet të shoqërohen me realizimin e vazhdueshëm të reformave të kërkuara prej autoriteteve kosovare.

 

Ne po ashtu presim opinionin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Është me rëndësi që kjo mundësi të shfrytëzohet për të krijuar një dinamikë pozitive të bashkëpunimit rajonal dhe dialogut konstruktiv.

 

Kosova duhet të përfitojë nga perspektiva e liberalizimit eventual të vizave sapo të plotësohen të gjitha kushtet. 
Këto objektiva do të kenë prioritet të lartë në agjendën time gjatë mandatit tim me synimin për të ankoruar Kosovën fuqishëm në perspektivën evropiane.

 

Ekziston pajtim unanim në BE se ia vlen të përpiqesh për këtë qëllim. Pres një përpjekje të bashkërenduar nga tërë populli i Kosovës për ta bërë këtë realitet. Pres me padurim që të jem pjesë e këtij rrugëtimi bashkë me ju.


Autori është Komisioneri i BE-së për Zgjerim dhe Politikë të Fqinjësisë
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 Gusht 2020

- Oda Ekonomike e Kosovës, Ministria e Drejtësisë dhe USAID-Programi për Drejtësi Komerciale do të mbajë forum virtual me temë 'Ekonomia gjatë pandemisë COVID-19. Si do të ndihmojë Gjykata Komerciale?'. (Objekti i Odës Ekonomike të Kosovës, ora 10:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit voton raportin vjetor të Akademisë së Drejtësisë, Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si dhe diskuton lidhur me Raportin e Punës së Këshillit Gjyqësor dhe të Këshillit Prokurial të Kosovës. (Salla e seancave plenare, ora 10:00)

- Grupi i Aktorëve të Prishtinës mban konferencën për media e cila organizohet me rastin e adresimit të kërkesës se aktoreve në Drejtorinë e Kulturës në Komunën  e Prishtinës, për krijimin e trupës artistike të Teatrit të qytetit në Prishtinë. (Para Komunes te Prishtines, ora 10:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë miraton planin e punës së Komisionit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)

- Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, do t’i vizitojë punimet në hekurudhën e Kosovës, linjën 10, në stacionin hekurudhor në Miradi. (Miradi, ora 10:30 - Nisja për media nga parkingu i Ministrisë së Infrastrukturës, ora 10:00)