29 Mars 2024

Frika nga demarkimi dhe lindja e komunës "gorane"

Shkruar nga Gani Qarri

Ka disa vite që pasojat e veprimeve të dyshimta të Hashim Thaçit, po i vuajnë drejtpërsëdrejti qytetarët e Kosovës, përfshi edhe problemin e demarkimit të kufirit, jo-transparent dhe të paqartë me Malin e Zi, i cili tanimë të gjithë jemi dëshmitar se edhe po shfrytëzohet për përfitime të poenëve politikë nga disa parti vendore dhe keqpërdoret për të larguar vëmendjen nga krimi i organizuar dhe korrupsioni galopant në vend.

Fatkeqësisht, përveç frikës së natyrshme të aprovimit të një marrëveshje në dëm të Kosovës dhe të dyshimtë demarkimi për vendin tonë, votimi i Demarkacionit me votën e një deputeti "goran" nga përbërja e "zajednicës" serbe, sjellë pasoja të mëdha dhe të atilla, sa që të prodhojë edhe një komunë gorane, e cila shkon vetëm në favor të Serbisë!

Në fakt,Demarkacioni që nga fillimi ishte vërtet një sfidë tejet e rëndë për të gjithë deputetët e Kosovës, ndaj megjithëse kanë kaluar pothuajse rreth tri vite qëkur është nënshkruar kjo marrëveshje kontroverse dhe disa muaj të procedimit të saj nga Qeveria e Kosovës në Kuvend, problemi i demarkimit të kufirit me Malin e Zi, pavarësisht kësaj mbeti pezull, për shkak të mungesës numrit të nevojshëm të votave.

Kosova nuk mund dhe as nuk duhet që edhe më tej të humbë territor, e për pasojë, të pësojë edhe tkurrje të reja, ndaj të deleguarit e popullit duhet të jenë të kujdesshëm e të ruajnë tërësinë territoriale të vendit dhe kjo formë e demarkacionit, në vend se të votohej, paraprakisht do duhej rrëzuar dhe të arrihet një marrëveshje e re me Malin e Zi, pasi që edhe komisioni i ri ka konstatuar se me projektin e vitit 2015 të Murat Mehës, vendi ynë humbë mbi 8200 hektar tokë.

Në fakt, qytetarët e Kosovës as që e kanë merituar ti humbin gjithë këto vite kot për çështjen e demarkacionit, në vend që nga qeveritë përkatëse, pikësëpari të luftohej në mënyrë të dinjitetshme, krimi i organizuar dhe nëntoka kriminale, të cilat kanë kapur shtetin dhe vënë nën kontroll çdo institucion dhe në të gjitha nivelet e pushtetit vendor.

Marrëveshja e vitit 2015, ka shkaktuar pakënaqësi dhe dyshime aq të fuqishme tek përfaqësuesit e të gjitha partitë politike, sa që deputetët e asnjë mandati, njëjtë si ata që dikur detyroheshin edhe para dyerve të mbyllura të Parlamentit, të merrnin vendime në mbrojtje të Kosovës, edhe këta aktual nuk duhet tu nënshtrohen presioneve partiake për të votuar në dëm të vendit të vet, por të vendosin sipas vullnetit dhe bindjes vetanake, duke mos shkelur ndërgjegjen as misionin e të deleguarit të popullit.

Nuk duhet lënë mundësi për konflikte të hapura në të ardhmen, as gabime të cilat mund të shkaktojnë probleme qoftë edhe vetëm ndërmjet banorëve të pjesës kufitare, me Malin e Zi, kështu që versioni i dyshimtë e aspak transparent nga z. Meha, edhe nuk do të duhej të merrte mbështetjen e institucionit me të lartë legjislativ të vendit!
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)