08 Prill 2020

Foret e Pacollit apo nazet e Mimozës

Shkruar nga Gazmend Morina

Deklaratat e fundit të zv.presidentes  së AKR-së, Mimoza Kusari, se nuk do të hyjë në një qeveri në të cilën ndodhet Fatmir Limaj nuk janë parimore. Kjo për shkak se ndaj Limaj nuk ka ndonjë aktakuzë të ngritur, përveçse ai  mund të jetë duke u hetuar nga prokuroria dhe si rrjedhojë në një formë ose në tjetrën, ajo paragjykon fajësinë e ministrit në fjalë. Këtu shtrohet pyetja pse Kusari nuk e kundërshtoi koalicionin AKR-LDD në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, kur dihet se ndaj kryetarit të LDD-së kishte një aktakuzë të ngritur?!

Së pari nuk dua të më kuptoni se po mbështes z.Limaj ose kam diçka personale kundër znj.Kusari, për të cilën mendoj se është një ekonomiste e mirë. Por deklaratat e fundit të zv.presidentes së AKR-së dhe sidomos deklarimi ku specifikon emrin e z.Limaj, më tingëllojnë së zonja në fjalë, më shumë është e interesuar të qëndroj në ulësen e deputetes, të cilën sipas të gjitha gjasave veç e ka siguruar tashmë, se sa të hyjë në qeveri në një koalicion të eventual PDK-AKR.

Sepse tek e fundit koalicioni edhe mund të prishet pastaj apo edhe të ndërrohen ministrat, siç ndodhi me qeverinë e kryeministrit në largim, por postin e deputetes nuk mund t’ia zë askush edhe në qoftë se i ndërron bindjet politike, siç ndodhi me disa paraardhëse të saj në AKR.

Por deklaratat e saj mund të kenë edhe një prapavijë tjetër politike, që nënkupton së pas tyre qëndron presidenti  i AKR-së, z. Behgjet Pacolli, i cili dëshiron që të provokoj PDK-në, me kinse zëra kundërshtues brenda partisë së tij, për një koalicion të përbashkët.

Ku atakimi i emrit të z.Limaj, që është njëri nga tre personat kyç në PDK, do ta rris “pazarin” e ardhshëm për postet që do të ndahen në koalicionin e mundshëm. Nëse pra, pas deklarimeve të Mimoza Kusarit, qëndron shefi i saj, atëherë kjo i bie veçse edhe një lloj hakmarrje ndaj PDK-së, e cila për lojalitetin e AKR-së ndaj saj, nuk iu ka “falënderuar” në disa raste.

Bindjen time që prapa kësaj “loje” të deklaratave mund  qëndroj z.Pacolli, ma përforcoi edhe më shumë deklarimi i tij i fundit se e përkrah zonjën Kusari, mirëpo njëkohësisht i kërkon falje z.Limaj për përmendjen e emrit të tij.

Mirëpo, në variantin më të keq për AKR-në, nëse qysh tash kanë filluar çarjet në këtë subjekt politik dhe shefi i saj nuk arrin ta unifikoj grupin e tij parlamentar, atëherë përfundimisht  z.Pacolli duhet t’i thotë lamtumirë politikës. Për arsye se nëse për dy mandate parlamentare kohë pas kohe të shkapërderdhet grupi parlamentar, atëherë diçka nuk është në rregull këtu.

Sepse kemi të bëjmë me një subjekt politik që nuk di çka do dhe kah t’i orientoj politikat e tij programore apo në AKR, siç edhe flitet shpesh herë, njerëz të caktuar hyjnë vetëm për të përfituar diçka nga pasuria e z.Pacolli ose sa për ta bërë hapin e parë në politikë dhe pastaj u drejtohen shtigjeve tjera.

E tëra kjo që thash deri më tani, më le të kuptoj se edhe nëse krijohet koalicioni PDK, AKR plus minoritetet, atëherë do të jetë një koalicion i shantazheve. Jo i shantazheve nga jashtë, por i atyre për brenda.

Sepse në një situatë ku qeveria ka gjashtëdhjetë e tre apo katër  deputet në parlament dhe përbëhet nga dy parti të mëdha dhe disa sosh nga minoritetet, atëherë aty secili do ta kërkoj maksimumin e privilegjeve, për arsye se krejt do të ndihen të fortë, në kuptimin që do të mund ta rrezikojnë rrëzimin e qeverisë. Nëse qysh tani AKR ka filluar të bëjë këso “fore”, atëherë çka mund të presim më mirë nga partitë minoritare, që disa deputet të caktuar nga to, mund ta kenë shansin jetësor për të kërkuar privilegje deri në maksimum.

Por mos t’i harrojmë as deputetët e PDK-së se nuk janë të gjithë ende të lidhur për ideale më partin, sepse disa nga ta qysh në mandatin e kaluar e braktisën, herë për arsye parimore e herë për disa interesa tjera. Ka edhe të atillë që kanë filluar ta ndiejnë vetën të mashtruar nga partia në zgjedhjet e 12 dhjetorit, kur ka qenë në pyetje profilizimi i votave brenda partisë.

Për fund më duhet ta përsëris, se një koalicion eventual PDK, AKR plus minoritet, do të prodhoj një qeveri për mendimin tim të shantazhuar.

(Autori është enigmat dhe vazhdon studimet Master në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 Prill 2020 - Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Klinikës Infektive, dr. Lindita Ajazaj- Berisha dhe prof.Sali Ahmeti, do të  prononcohen për medie ku do të  jepen informatat e fundit lidhur me trajtimin e pacientëve me Covid-19. (Para Klinikës Infektive, ora 11:00)

- Ministri i Financave dhe Transfereve Besnik Bislimi dhe drejtori i Zyrës së KfW-së për Kosovë Rene Escheman me pjesëmarrës ambasadorin gjerman në Kosovë Christian Held nënshkruajnë dy marrëveshje grant “Rritja e Kapitalit Garantues për Fondin Kosovar për Garanci Kreditore” dhe “Fondi i Sfidave të Kosovës - Arsimi Profesional dhe Trajnimi”. (Ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, ora 11:45)

- Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli viziton mulirin "NTP Vali" në Sllatinë të Fushë Kosovës, për t'u informuar për kapacitet prodhuese të miellit në kohë pandemie. (Sllatinë, ora 13:40)

- Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, mban takim me kryetarin e Komunës së Fushë Kosovës. (Ndërtesa e komunës, ora 14:00)

- ANP 'Adem Jashari' së bashku me Minsitrin e Shëndetësisë Arben Vitia, organizojnë konferencën për shtyp në lidhje me donacionin që do të dhurojë Aeroporti në luftimin e pandemisë!  (Ministria e Shëndetësisë,  ora 14:30)

- Mbërrin kontingjenti i parë i masave mbrojtëse dhe pajisjeve mjekësore, donacion i Republikës së Turqisë, për institucionet e Kosovës për menaxhimin e situatës epidemiologjike me Covid-19. (ANP “Adem Jashari”, ora 15:45)