29 Mars 2024

Fashizmi serb

Shkruar nga Prof. dr. Agim Zogaj

Deklaratat serbomëdha të presidentit serb Nikoliç dhe sulmet me armë zjarri nga ana e serbëve kosovarë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it amerikan dhe atij gjerman vërtetojnë se politika shoviniste e Serbisë ndaj Kosovës dhe çështjes shqiptare nuk ka të ndalur.

Në fakt, në rastet e shpërthimit shovinist, barbar dhe, pra duke përdorur për të satën herë edhe forcën e armëve të zjarrit ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, politika shtetërore e Serbisë, gjithnjë nëpërmjet grupeve kriminale, paramilitare në veri të Kosovës, po dëshmon se është po e njëjta, sikur ishte në historinë e largët, por edhe në historinë e afërt të politikave ekspansioniste serbe.

Ne na vjen keq që Evropa e re, politikanët e saj nuk na besonin ne shqiptarëve sa herë që thoshim se politika serbe me traditë është ekspansioniste dhe, ajo sikur dje edhe sot e mban fitilin e ndezur të zjarrit të luftërave ne rajon. Evropa nuk na besonte, ndaj karshi serbëve kosovarë, veçmas përballë Serbisë ishte tolerante, madje  edhe pas mbarimit të luftërave në ish-Jugosllavi, pra edhe në Kosovë ajo tolerancë, ajo përkëdhelje në emër të demokracisë evropiane, tani ditë e përditë po i hakmerret edhe vetë BE-së, politikave të saj për paqëtimin e rajonit, deri dje të përgjakur.

Serbia, pavarësisht katër luftërave pushtuese që i zhvilloi në ish-Jugosllavi, pavarësisht gjenocidit serb në Srebrenicë, pavarësisht masakrave dhe gjenocidit ndaj popullit të Kosovës, u përkrah, u ledhatua diplomatikisht dhe, veç të tjerash, pa të drejtë e mori statusin e kandidatit për në BE para viktimave të saj. E padrejtë, në çdo aspekt, prandaj fashizmi i ri serb, i ngritur mbi gjakun, thikat dhe varret sërish po  e ngrit kokën, madje, mjerisht dhe për të keq duke i përgjakur edhe vetë ushtarët e NATO-së!

Zhvillimet më të reja, harmonizimi i politikave sllave lidhur me rajonin dhe jo vetëm Kosovën, siç u pa nga takimi Putin – Nikoliç, deklaratat luftënxitëse të kryetarit të sapo zgjedhur serb, qëndrimi i tij se në Srebrenicë nuk ka ndodhur gjenocidi serb, dhe shumë zhvillime të reja që vijnë nga politikat e Beogradit na bëjnë me dije se, politikat fashiste serbe, politikat e pushtimeve, e agresioneve ushtarake dhe jo vetëm diplomatike sllave, po sillen vërdallë nëpër hapësirat e rajonit.

 Serbia, tani hapur dhe pa asnjë pengesë e përkrahur dhe e nxitur nga Rusia aleate, siç po dëshmojnë zhvillimet në Veriun e pushtuar të Kosovës është e vendosur që, me gjithë kapacitetet e veta ta mbaj të tensionuar situatën në këtë pjesë të Kosovës, me çka në fakt po e pamundëson, jo vetëm shtrirjen e  juridiksionit kushtetues të Republikës së Kosovës, por, po kërcënon paqen në shtetin tonë dhe më gjerë.

Vet fakti që, pa kurrfarë pengese, grupet kriminale, paramilitare serbe, të dirigjuara nga MUP-i i Serbisë dhe shërbimet sekrete të ushtrisë serbe, ruse etj. marrin guxim të sulmojnë forcat e KFOR-it, tregon se, pa një trysni, pa një presion vendimtar dhe të prerë të diplomacisë evro-perëndimore ndaj regjimit fashist në Beograd nuk ka dhe nuk mund të rivendoset paqja e qëndrueshme në rajon. Prandaj,zhvillimet më të reja dramatike, vërsulja edhe me armë e bandave, grupeve, njësiteve paramilitare, fashiste serbe ndaj shqiptarëve në Veri të Kosovës si dhe ndaj forcave të KFOR-it dhe të EULEX-it na dëshmojnë se në këtë pjesë të territorit të Kosovës ka paqe të ftohtë, të paqëndrueshme.

Në këto rrethanat të shpërthimit serbomadh,pra edhe me armë zjarri nga bandat serbe në Veri të Kosovës, Qeveria e Kosovës, përkundër vullnetit të saj nuk po gjen adresë për të drejtuar ofertën për paqe, për shtrirje dhe sundim të ligjit, për marrëveshje e cila siguron integrimin edhe të atyre  serbëve kosovarë që janë të  dirigjuar nga Beogradi.

Shihet qartë, përgjegjësia bie mbi Qeverinë e Beogradit, e cila i përkrah, i udhëheq, i mbështet këto politika, veprime kriminale, pushtuese, të përgjakura serbe në raport me Kosovën. Megjithatë, ka ardhur koha që Serbia të disiplinohet, ose do të krijohen rrethana të tilla në rajon në të cilat, si rezultat i politikave fashiste të Serbisë, paqja do të rrezikohet. BE-ja duhet të veprojë sot, sepse nesër do të jetë vonë, tepër vonë!

(Autori është ligjërues në Departamentin e Shkencave Politike të UP-së)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)