18 Prill 2024

E drejta për të vepruar jo domosdoshmërisht nënkupton veprimin e drejtë apo të duhur

Shkruar nga Faton Bislimi

Sundimi i ligjit nuk njeh etni e as preferenca tjera në vende demokratike. Republika e Kosovës është vend sovran dhe demokratik, andaj e ka të drejtën e veprimit të plotë në zbatimin e ligjit kudo brenda territorit të vet.

Fatmirësisht, të gjithë aleatët tanë kryesorë, e veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kanë thënë haptas dhe pa asnjë mëdyshje se është e drejtë e Kosovës të implementojë ligjet e vendit!

Por, po këta miq, njëkohësisht kanë kërkuar që ky implementim të bëhet në një afat kohor më të përshtatshëm. Nuk kam dyshim se kjo kërkesë ka arsye të mirëfillta dhe duhet marrë më seriozitet të lartë.  

Nuk kemi çka hamendemi por duhet të bëhemi real dhe të sinqertë me vetvetën. Qeverisja dhe lidershipi i një vendi kërkojnë maturi dhe kreativitet në tejkalimin e sfidave.

Kosovën sfidat e kanë ndjekur hap pas hapi historikisht, por realiteti është se sa herë ne jemi rreshtuar krah-për-krah me SHBA-të, kemi dale fitimtarë nga këto sfida.

Edhe sot, Kosova duhet të gjejë mënyrën më të përshtatshme për tejkalimin e sfidës së rradhës, dhe mënyra më e sigurtë për ta bërë këtë është koordinimi i plotë me Washingtonin.

Sepse, është Washingtoni ai që haptas ka deklaruar se marrëveshja finale e dale nga dialogu duhet të ketë në qendër njohjen reciproke; është Washingtoni po ashtu ai që po deklaron në vazhdimësi se integriteti territorial dhe sovraniteti i Kosovës sikur edhe unitariteti i shtetit në bazë të Kushtetutës së Kosovës janë të pacënueshme; dhe është Washingtoni që së fundi po kërkon shtyrjen e zbatimit te vendimit për targat për një date më të vonëshme se 31 tetori, duke potencuar në të njejtën kohë se është e drejtë e Kosovës të implementojë ligjet në fuqi kurdo që shteti e përcakton një afat të tillë.

Andaj, duhet të shiqohet pak përtej asaj që është sipërfaqësore në këtë rast. Duhet të kuptojmë se ka dy elemente bazike që na duhet t’i konsiderojmë e shtjellojmë hollësisht para se të lidhemi kryekëput për data të cilat, në fund të fundit, janë ana teknike e një procesi vendimmarrës, jo ajo substanciale.  Këto elemente janë: kapacitetet vetanake për zbatim të ligjit deri në fund, dhe rezultati përfundimtar i arritshëm.

Pra, pyetjes nëse duhet shtyrë apo jo vendimin për zbatimit e legjislacionit në fuqi për target ilegale, duhet gjetur përgjigjen vetëm nga këndvështrimi substancial.  

Në këtë kontekst, elementi i parë esencial që duhet shqyrtuar është ai i kapaciteteve tona vetanake për zbatim të ligjit.

A kemi ne kapacitete, pa ndihmën e KFOR-it e EULEX-it (të cilat tanimë edhe janë deklaruar se misioni i tyre është siguria për të gjithë banorët e Kosovës dhe levëzija e lirë, pra, jo çështjet tjera që ndërlidhen me trafikun apo regjistrimin e automjeteve), për të zbatuar denjësisht dhe deri në fund ligjin e aplikueshëm në këtë rast?

Normalisht se Policia e Kosovës ka dëshmuar disa herë jo vetëm gatishmërine e vullnetin, por edhe aftësinë për të kryer operacione të suksesshmë edhe në veri të vendit, por ato nuk kanë qenë kaq më mëdha dhe kaq të shtrira sic është kjo puna e targave.

Çka nëse këtyre forcave policore iu duhet ndihmë shtesë, a jemi të gatshëm dhe a mundemi, e mbi të gjitha a e meriton ushtria e Kosovës, FSK, të futet në aksione për targa ilegale?  

Dilemat janë të mëdha dhe komplekse për secilin që racionalisht dëshiron t’i çaset problemit në fjalë. Ne edhe mund të vendosim të shfrytëzojmë të drejtën tone për të vepruar me krejta kapacitetet që kemi, por rezultati përfundimtar mund të mos na pëlqejë. E atëherë, ndoshta do kemi humbur më shumë se sa që kemi fituar.

Elementi i dytë, ai i rezultatit përfundimtar të arritshëm është çështje që ndërlidhet kryekëput edhe me reagimin e Beogradit karshi kësaj situate. Dihet botërisht se Beogradi është jashtëzakonisht i interesuar për të krijuar një lloj krize të thellë apo edhe konflikti në veri të Kosovës, ashtu që të arsyetojë para botës veprimet e veta destabilizuese për krejt rajonin.

Është racionale të mendohet se fillimi i zbatimit të vendimit me forcën e ligjit dhe kapacitetet e shtetit për zbatim të ligjit do nxiste rezistencë edhe më të madhe tek serbët lokal dhe një propagandë të tmerrëshme anti-shqiptare e anti-Kosovë nga Beogradi. Andaj, thuajse vlerësimin e këtij elementi më së miri e shpërfaqë fjala popullore “katundi që shihet, kallauz nuk do!”.

Pra, secili e ka të kjartë se çfarë situate konfliktuoze do krijohej nga Beogradi. Por, ne si Kosovë thuaja se jemi mësuar më këto avanturat propagandistike të Beogradit, dhe këto veprime mund të mos na bëjnë përshtypje. Sidoqoftë, neve betejën me Serbinë në çdo aspekt duhet ta fitojmë në arenën ndërkombëtare, jo përbrenda nesh.

E këtu, tash bëhet shumë i rëndësishëm qëndrimi i faktorit ndërkombëtar. Duhet të jemi të sinqertë që as SHBA-të e as BE-ja s’do e “qortojnë” e as “dënojnë” rëndë Kosovën për përdorimin e të drejtës së vet për të vepruar në këtë rast, por në të njejtën kohë, as nuk do e mbrojnë e as përkrahin këtë veprim, ngase tashmë këta aleatë kanë kërkuar një date tjerët për të vepruar, e jo 31 tetorin.

Shto këtu faktin se po jetojmë në një kohë gjeopolitikisht shumë dinamike, kur një front i hapur evropian ekziston në luftën e Ukrainës me Rusinë, dhe po ashtu ekziston vetëm një shtet në Evropë – pra, Serbia – që vazhdon të jetë lojale ndaj Rusisë.

Marrë këto fakte parasysh, është lehtazi e kuptueshme pse edhe një tensionim i gjendjes në Ballkan, respektivisht në Kosovë, s’i ndihmon assesi interesave gjeostrategjike të SHBA-ve kryesisht, por edhe të BE-së.

Andaj, Kosova duhet gjetur një modalitet, në koordinim të plotë me SHBA-të, që ofron mundësi optimale për të arritur dy qëllime njëkohësisht – parandalimin e çfarëdo tensionimi të gjendjes në vend dhe zbatimin e sundimit të ligjit për të gjithë.  

Kjo është gjithësesi e arritshme, veç duhet vullnet dhe kreativitet, e mbi të gjitha maturi, nga e gjithë klasa politike në vend. Fundja, problemet me Serbinë janë probleme të Kosovës, dhe jo vetëm të një subjekti politik, apo vetëm të positës apo opozitës.

Kur interesi kombëtar i shtetit është në pyetje, neve duhet zhveshur petkun e interesave politike të brendëshme, dhe duhet vënë ksulën e bardhë mbi kokë, të gjithë! Ndryshe, veç ia lehtojmë Serbisë.

Kosova është në të drejtën e vet për të vepruar edhe pas 31 tetorit edhe në qershor 2023, por e drejta për të vepruar jo domosdoshmërisht nënkupton veprimin e drejtë apo të duhur, në këtë rast.

Veprimi i drejtë apo i duhur është ai që nuk cënon zbatueshmërinë e sundimit të ligjit dhe njëkohësisht nuk krijon tensione në vend e as me miqët tanë ndërkombëtarë.

Sukses është të gjejmë këtë modalitet, dhe unë besoj fortë se në koordinim me miqët tanë në Washington, DC, kjo është e arritshme. Të shikojmë substancialën në këtë rast, e jo teknikën! Rezultati përfundimtar çonë peshë më shumë sesa data e veprimit!

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)