11 Gusht 2020

Dy dekada nga Masakra e Belegut

Shkruar nga Endrit Binakaj

Teksa intervistoja të mbijetuarit e Masakrës së Belegut, trupin ma kaplonte një ndjenjë drithëruese, frymëmarrja më ndalej në gjysmë, e sytë mbeteshin të palëvizshëm.

Ngurtësia e shikimit përfundonte me fundin e rrëfimit nga dëshmitarët e Masakrës së Belegut, që kishte ndodhur më 28 dhe 29 mars 1999.

Me fjalët e dëshmitarëve zhytesha thellë në skenën tronditëse që kisha përjetuar si fëmijë, ku aktorët e këtij teatri krimesh famëkëqija ishin forcat serbe, një bishë e përbindshme, e armatosur rëndë, e që luante në mënyrën më çnjerëzore me viktimën e lënë në mëshirën e fatit, me qenien shqiptare, e cila, sipas tyre, duhej medoemos të shfarosej e tëra, për të vetmen arsye pse kishte lindur e tillë dhe jetonte në truallin autokton, të trashëguar nga paraardhësit tani e mijëra vite më parë.

Të duket e çuditshme: luftëra, mbase, ka pasur gjatë gjithë historisë së njerëzimit me ritin e luftës për vrasje, grabitje, djegie; por lufta e fundit e ushtrisë çetnike serbe gjatë viteve 1998-1999 në Kosovë ishte më shumë se kaq, ishte terror sistematik mbi popullsinë civile, gjenocid e përdhosje e dinjitetit njerëzor.

Si mund të justifikohet vrasja dhe masakrimi i një foshnje të sapolindur në djep, apo i një loke shqiptare së veçse kishte lindur e rritur djelmosha që t’i dalin zot këtij vendi, duhej pushkatuar.

Çfarë ka të bëjë kjo me luftën?

Natyrisht, që nuk ka të bëjë aspak me një luftë të forcave proporcionale. Gjenocidi serb përfshinte vetëm tmerrin, masakrën, vrasjen e civilëve të pambrojtur dhe përdhosjen e dinjitetit njerëzor, që bota perëndimore i kishte ndaluar që para disa dekadave dhe i sanksiononte me dënime të ashpra veprimet e tilla.

Mirëpo, paradoksal është fakti se të gjitha këto llahtari tmerri, po ndodhnin pikërisht në mes të kontinentit të vjetër, Evropës, aq më i rëndë fakti ishte se po ngjanin në pragun e fillimit të Mijëvjeçarit të Dytë të ekzistimit të qenies së civilizuar njerëzore.

Kosova, e mbetur historikisht nën thundrën e armikut, gjatë viteve 1998-1999 përjetoi tmerrin më të madh që nga Lufta e Dytë Botërore, ku ndodhën masakra e terrori i nazi-fashistëve ndaj hebrenjve të ngujuar në kampet e njohura të përqendrimit.

Një Auschwic i ri po ribëhej në një territor më të vogël, diku në pjesën perëndimore të Ballkanit të trazuar nga luftërat shekullore që e shoqëruan përgjatë historisë.

Fshati Beleg në truallin ku jam lindur, e kishte fatin e njëjtë ogurzi të Kosovës: të përjetonte episodin më të kobshëm të ekzistimit të tij shekullor.

Çfarë kishte ndodhur me të vërtetë në ditët dhe netët e 28 dhe 29 marsit 1999 në Beleg?

Pas disfatës së rëndë që kishte pësuar ushtria barbare serbe tek Ura e Pozharit, në Betejën e Pozharit, të datës 28 mars nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, forca të shumta policore, ushtarake dhe paramilitare serbe, në shenjë hakmarrjeje, u kishin vërsulur me një ofensivë të egër vrasëse ndaj popullatës civile, të pambrojtur, në fshatrat Irzniq dhe Beleg.

Më 28 mars, në fshatin Irzniq, bishat serbe vranë 7 persona, në mesin e tyre edhe një nënë.  Ndërsa më 29 mars të vitit 1999 në fshatin Beleg, forcat e mëdha paramilitare serbe kishin filluar të shkatërronin dhe digjnin çdo gjë.

Me këto nuk u ngop bisha serbe, para syve të familjarëve forcat çetnike serbosllave pushkatuan prof. Nezir Vishajn, Naim Vishajn dhe Daut Aliçkajn. Ishte e njëjta ditë ogurzezë për fshatin tim të lindjes.

Përjetimet e kujtimet e mia dhe të të mbijetuarve tjerë nga kjo ditë mortje, kanë për të jetuar gjatë në memorien time, aq gjatë sa do më frymojnë mushkëritë në ajrin e Kosovës së lirë, cila kullon ende gjak nga plagët që nuk shërohen lehtë.

Këto kujtime mëtoj të mos harrohen kurrë as nga pasardhësit që do të vijnë, së paku do t’i kenë disa rreshta për atë çfarë kishte ngjarë në Kosovë e sidomos në Beleg në vitin 1999.

Mbase, siç na mëson përvoja historike, gjërat që harrohen, kanë gjasë që të përsëriten e ne nuk guxojmë me asnjë kusht të na ndodhë kjo.

Së bashku më rrëfimtarët e mbijetuar të kësaj masakre, unë jam bashkudhëtar i asaj vuajtjeje e tmerri, ndonëse fëmijë.

Gjenocidi i bishës karpatiane nuk njihte kategorizime të tilla, vdekja të trokiste në çdo hap e në çdo çast.

Në fshatin Beleg, më datë 29 mars 1999, mbetën të vrarë 46 civilë shqiptarë të pambrojtur.

Në mesin e tyre kishte edhe adoleshent, si Faton Vishaj, i cili ende nuk i kishte mbushur 16 pranvera, e deri tek pleqtë në moshë shumë të shtyrë.

Plagët e marra nga lufta e vitit 1999, Belegun e godasin fort edhe pas  dy dekadave të Masakrës.

Përpos disa personave që janë identifikuar nga kjo ngjarje makabre, pjesa dërmuese e të rënëve në Masakrën e Belegut mbesin ende të zhdukur.

Drejtësia Ndërkombëtare po hesht në zbardhjen e autorëve të veprave gjenocide në luftën e fundit në Kosovë.

Po hesht sidomos për Masakrën e Belegut. Edhe pse te mbijetuarit e saj, madje disa herë kanë dëshmuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, prapë se prapë, jo vetëm që nuk ka ndonjë lëvizje konkrete në dënimin e kryerësve të krimit, por shqetësues mbetet fakti se ende, pas 20 viteve, nuk dihet për fatin e shumicës dërmuese të të rënëve në këtë masakër.

Rrëfimi im në dy librat e botuara, synon të japë një pamje a hartë autentike të Masakrës së ndodhur në të Hënën e Zezë të 29 marsit 1999.

Është përpjekje modeste e një të mbijetuari që në atë kohë sapo kishte mbushur nëntë pranvera.

*Është i mbijetuar i Masakrës së Belegut, autor i dy librave për Masakrën.

Të rënët në Masakrën e Belegut

Në masakrën e Belegut janë vrarë 46 civilë shqiptarë. Deri më tani, kur kanë kaluar plotë dy dekada nga momenti i këtij akti barbar i kryer nga forcat paramilitare serbe, janë të identifikuar këta persona:

SHAQË (Curr) BINAKAJ
HYSNI (Curr) BINAKAJ
NEZIR (Ibish)VISHAJ
NAIM (Daut) VISHAJ
DAUT (Murat) ALIÇKAJ
GËZIM (Selmon) VISHAJ
JETMIR (Arif) MAZREKAJ
QAZIM (Osë) HULAJ
SADRI (Adem) ZUKAJ
SHEFQET (Curr) BELEGU
SHABAN (Haxhi) KADRIAJ
ALI (Haxhi) KADRIAJ

Ndërsa, shumica e të rënëve në këtë masakër ende nuk janë gjetur. Dhe, ende nuk dihet se KU JANË:

ZYMER (Miftar) BINAKAJ
BRAHIM (Adem) ZUKAJ)
HAMID (Dervish) ZUKAJ
REXHEP (Lum) NEZIRAJ
FATON (Hasan) VISHAJ
FATMIR (Halil) VISHAJ
RAMË (Shaban) KILAJ
SADRI (Hajdar) VISHAJ
MUJË (Isuf) VISHAJ
MALË (Isuf) VISHAJ
ZENEL (Ukë) VISHAJ
HAZIR (Himë) ZUKAJ
SHABAN (Ramë) NITAJ
NEKË (Halil) BINAKAJ
HAJDAR (Hamëz) MAZREKAJ
ALI (Avdyl) MAZREKAJ
BASHKIM (Lush) HADERGJONAJ
AFRIM (Lush) HADERGJONAJ
XHEVDET (Bajram) HADERGJONAJ
MUHAMET (Bajram) HADERGJONAJ
MEHMET (Halil) TOLAJ
XHEVAT (Ukë) TOLAJ
MISIN (Hajdin) TOLAJ
ARIF (Haxhi) MAZREKAJ
ISA (Tahir) TOLAJ
SAHIT (Bekë) MAZREKAJ
Hasan (Sahit) MAZREKAJ
Sundim (Sahit) MAZREKAJ
Naim (Hysen) TOLAJ
Ragip (Osmon) MORINA
Beqir (Idriz) DERVISHAJ
Tafë (Bekë) DINAJ
Smajl (Ramë) UKËHAXHAJ
Haxhi (Shaban) KADRIAJ

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 11 Gusht 2020

- Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, do t’i vizitojë punimet në hekurudhën e Kosovës, linjën 10, në stacionin hekurudhor në Miradi. (Miradi, ora 10:00 - nisja për medie nga parkingu i Ministrisë së Infrastrukturës, ora 9:30)

-  Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton Raportin e Auditimit për Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2019. (Salla e seancave plenare, ora 10:00)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, do të vizitojë Komunën e Malishevës ku do te takohet me kryetarin Ragip Begaj. (Objekti i Komunës, ora 10:00)

- Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi raporton para Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit diskuton lidhur me programin legjislativ për vitin 2020 respektivisht të Projektligjeve të Ministrisë së Drejtësisë si dhe për gjendjen në Institucionet Korrektuese në Republikën e Kosovës për shkak të Pandemisë me Covid-19. (Salla e seancave plenare, ora 13:00)

- Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri viziton Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës për të diskutuar rreth rimëkëmbjes ekonomike. (Ndërtesa e TRUST-it, Rruga "Agim Ramadani", ora 11:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon konferencën për media ku do të shpalosen gjetjet nga analiza e burimit të problemeve në mos zbatimin e rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm nga komunat. (Zyrat e KDI-së, ora 11:00)

-  Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione shqyrton raportin e panelit përzgjedhës për shqyrtimin e aplikacioneve, intervistim dhe listën e ngushtë të kandidatëve për Avokat të Popullit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit COVID-I9 nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës dëgon dëshmitë e dëshmitarëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 14:30)

- Organizata ETEA dhe Biblioteka “Hivzi Sulejmani” organizojn takim me shkrimtarin dhe kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Mehmet Kraja. (Qendra për Edukim dhe Kulturë “Libart” në objektin e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në lagjen “Dardania”, ora 18:00)  .