16 Prill 2024

Dimensionet e sigurisë dhe të bashkëpunimit në Ballkan

Shkruar nga Jakup Krasniqi

Në radhë të parë dua të theksoj se bashkëpunimi midis vendeve të rajonit tonë, Ballkanit Perëndimor, ka shënuar suksese të reja, por këto suksese nuk janë të mjaftueshme.

Të nxitur nga e kaluara e përbashkët historike, si vende të sapodala nga regjimet totalitare, por edhe të nxitur nga dëshira e madhe për t’i shfaqur vlerat tona të vërteta dhe për t’iu bashkuar familjes evropiane, aty ku rajoni ynë vërtet e ka vendin, bashkëpunimi midis nesh në gjithë këto vite transicioni është zgjeruar vazhdimisht dhe është shtrirë në shumë fusha, por nuk mund të them se i kemi shfrytëzuar të gjitha mundësit që i kishim.

Sot, bashkëpunimi për më shumë siguri, është jo vetëm i rëndësishëm, ai nuk shfaq vetëm vlera miqësie midis shteteve tona, nuk është vetëm shenjë, që tregon ekzistencën e raporteve të mira midis palëve, por është domosdoshmëri.

Dimensionet e bashkëpunimit në rajonin tonë, në Ballkanin Perëndimor, gjatë këtyre viteve, ka pasur ngritje të kënaqshme bashkëpunimi ekonomik, politik, në siguri etj. Ky bashkëpunim duhet të thellohet e të strukturohet në të gjitha fusha e jetës.

Sot, mbase çdo lloj bashkëpunimi i pashoqëruar me bashkëpunimin dhe me ndihmën reciproke, midis vendeve në sferat e sigurisë, të policisë dhe të gjyqësisë etj., do të ishte i mangët.

Bashkëpunimi në sigurimin dhe në shkëmbimin reciprok të informacioneve, në trajnimin, ngritjen dhe përgatitjen adekuate të personelit përkatës të këtyre fushave, por edhe bashkëpunim në mbështetje reciproke logjistike, do të thotë siguri më shumë për ne të gjithë.

Dimensionet e sigurisë janë tregues i vërtetë i stabilitetit të një vendi, edhe për arritjen e këtij standardi. Ne, klasa politike, por edhe shoqëria civile, duhet të angazhohemi në maksimum për të mbështetur pa rezerva struktura të tilla dhe për t’i bërë të afta për t’i përballuar me sukses sfidat në rrafshin e sigurisë dhe eliminimin e rreziqeve.

Lufta kundër terrorizmit, krimit të organizuar, trafikut të qenieve njerëzore dhe formave të tjera të shfaqjes së krimit, janë jo vetëm obligim i strukturave tona për t’ju garantuar siguri qytetarëve tanë, janë obligim para së gjithash për vendet dhe popujt tanë, por edhe para organizmave, ku ne tashmë aderojmë, mbi të gjitha, edhe para vetë komunitetit ndërkombëtar dhe strukturave euroatlantike, ku ne dëshirojmë të integrohemi. 

Prania e fenomeneve të tilla negative është jo vetëm e dëmshme dhe e rrezikshme për jetën e qytetarëve, por edhe për stabilitetin dhe për perspektivën e një vendi dhe rajonit në përgjithësi.
Me lejoni të them, se prania e strukturave të tilla të organizuara kriminale në Veriun e Kosovës, krahas të tjerave, jo vetëm që po e rrënon ekonominë e vendit, por po e rrezikon stabilitetin dhe sovranitetin. Para së gjithash po e rrezikon jetën e qytetarëve serbë dhe perspektivën e tyre, e cila nuk mund të jetë në barrikada dhe në izolim nga siguria dhe nga perspektiva për jetë të lirë.

Krimi i organizuar askund nuk ofron siguri, as në pjesën Veriore të Kosovës. Ne, si rezultat i një bashkëpunimit të frytshëm me faktorin ndërkombëtar në vend, me forcat e KFOR-it, të EULEX-it, por edhe me Brukselin e Vashingtonin, kemi bërë të mundur që jeta në këtë pjesë të vendit të shkojë drejt normalitetit. Ne, jemi të bindur se këto veprime kriminiale janë duke rrezikuar perspektivën evropiane të dy vendeve tona - të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Serbisë.

Falë këtij bashkëpunimi dhe angazhimit tonë për të vendosur sundimin e ligjit dhe të rendit, edhe në Veri, Kosova sot dhe qytetarët e saj, janë më të sigurt dhe më të qetë. Oferta jonë mbi bazën e Dokumentit Gjithëpërfshirës, i njohur edhe si Dokumenti i Ahtisarit, bashkë me garancinë ndërkombëtare, ka vendosur standarde më të avancuara për të drejtat dhe për liritë e komuniteteve pakicë, dhe jo vetëm për rajonin tonë.

Ne, jemi të vetëdijshëm se e kemi bërë një kompromis të dhimbshëm dhe këtë nuk e kemi bërë për hir të historisë sonë të vështirë, por për të garantuar siguri e zhvillim për të sotmen dhe për të ardhmen e qytetarëve tanë, pa dallim etnie. Kjo duhet të vlersohet nga të gjitha vendet e Ballkanit Perendimor, por edhe nga BE.

Të nderuar miq, ne, jemi të vetëdijshëm se sfida të tilla do na shoqërojnë edhe në të ardhmen, prandaj duhet të jemi të vetëdijshëm edhe për koston e lartë të tyre, por njerëzit tanë, siguria e tyre për jetë dhe pasuri, e ardhmja e tyre e ndritshme e meriton përkushtimin tonë.

Bashkëpunimi midis vendeve tona, jo vetëm në fushën e sigurisë, është obligimi ynë i përhershëm për të garantuar siguri, stabilitet, rend dhe sundim të ligjit.
 
Ne, në Kosovë, po ngutemi që të djeshmen e dhimbshme t’ia lëmë historisë, për ta zënë sa më parë hapin për të ardhmen, por, këtë nuk mund ta bëjmë pa gatishmërinë e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe pa mbështetjen e përhershme të BE-së dhe të SHBA-së, si garantues të paqes dhe të sigurisë në botë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)