29 Mars 2024

Dëshmitarët e gjallë

Shkruar nga Rexhep Qosja

Pas sulmit të komsomolistit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që është njëkohësisht edhe nënkryetar i saj; pas sulmit të sekretarit të përgjithshëm të LDK-së, Ismet Beqiri; pas sulmit të kryetarit të LDK-së, që është njëkohësisht kryetar i Prishtinës, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe aksionar klubesh, firmash, gazetash ditore e gazetash të murit, Isa Mustafa; pas sulmit me kumtesë të Kryesisë së LDK-së; më 1 dhjetor të këtij viti 2011, Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës m’u vërsul edhe me një kumtesë, ç’është e vërteta me armatim më të ndryshkur se ç’ishte armatimi i katër sulmeve të përparme. Gjithsej u bënë pesë sulme! Dhe, me këtë sot, vetëm dy përgjigje të miat.

Kështu, një parti që thotë e shkruan se ka 700.000 mijë anëtarë, edhe në qoftë se i ka vetëm 7000 apo, ndoshta, 700, e vazhdon betejën e saj kundër të vërtetave me të cilat kam vendosur ta ballafaqoj pavarësisht pasojave që më premtohen. Siç na mëson historia, sulme të këtilla kundër intelektualëve bënin inkuizicioni në Mesjetë, partitë fashiste në kohën e Duçes dhe partitë staliniste në kohën e Stalinit dhe, një kohë, pas tij. Lexuesit që i kanë lexuar veprat e mia dhe që ma duan të mirën, natyrisht, në letrat që më shkruajnë dhe në telefonatat që më bëjnë shprehin brengosje për mua.

Njëri prej tyre më shkroi: “Profesor, ki kujdes! Je bërë objekt sulmesh i një partie trashëgimtare e Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë me përvojë të madhe rrenash, sulmesh, me shumë rrogëtarë e rrogëtaresha në media! Profesor, mos harro se edhe populli e thotë: ‘shtatë të çartur e ulokë një të fortë e shtrijnë për tokë’”!

Iu përgjigja: betejën morale dhe intelektuale e kam të fituar; për pasojat nuk dua të mendoj. Unë s’jam bërë shkrimtar për të shkruar vetëm libra; jo; unë jam bërë shkrimtar për të sendërtuar mision: për të luftuar të këqijat, mashtrimet, gënjeshtrat, shfrytëzimet që i bëhen popullit e për të mbrojtur të vërtetat dhe të drejtat, i bindur se vetëm me to, me të vërtetat e me të drejtat, i shërbej si duhet e ndershëm këtij populli, kulturës e qytetërimit të tij. Me pasojat që më sjellin betejat mendore kundër arrivistëve, mashtruesve, shfrytëzuesve, gënjeshtarëve, dhunëtarëve do të merret historia e letërsisë shqipe dhe historia politike shqiptare sepse unë, sigurt, ka kohë që edhe me jetën edhe me veprën time shkencore, letrare publicistike – historike i takoj historisë së Kosovës dhe historisë së popullit shqiptar në përgjithësi.

Në këtë përgjigje të dytë, pas pesë sulmeve të saj, unë do t’i afrohem edhe tre hapa Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe në vend se në veten e tretë do ta vendos në veten e dytë. Dhe nga kjo largësi, edhe për tre hapa të shkurtuar, do t’ia them të vërtetat që po bën aq shumë përpjekje që të mos i thuhen. Lexojini! Dëgjojini!

Ju po bëni shumë përpjekje që të ndryshoni të kaluarën time dhe të kaluarën tuaj, por dua të jeni të bindur se asnjërën nuk do ta arrini.
Të kaluarën time intelektuale dhe politike nuk mund ta ndryshoni, sepse gënjeshtrat tuaja për mua i përgënjeshtrojnë mijëra faqe të veprave të mia shkencore, letrare dhe publicistike. Çdo lexues mund ta dijë se veprat e mia flasin për mua shumë më saktë se ç’mund të flasë kushdo tjetër: dashamir, kundërshtar a armik i imi.

Të kaluarën tuaj politike dhe pseudointelektuale nuk mund ta ndryshoni sepse nuk do t’u lënë dëshmitarët e gjallë të cilët kanë parë me sy e kanë dëgjuar me veshë sesi jeni sjellë, çka keni bërë, çka keni folur, çka keni shkruar, çka keni treguar e çka keni fshehur, çka keni zvogëluar e çka keni zmadhuar, çka keni fituar e çka keni kusaruar, ku keni qenë e çka keni bërë atje ku keni qenë. Njëri prej këtyre dëshmitarëve të politikës e të veprimtarisë suaj të përgjithshme jam edhe unë: dhe jam dëshmitar me sy, me veshë dhe, natyrisht, me stilolaps në dorë.

Kësaj radhe po ua përkujtoj vetëm disa, pra, vetëm disa, prej këtyre dëshmive të mia, i nxitur t’i tregoj nga gënjeshtrat e stivuara në kumtesën tuaj të fundit.

Titullarë tuaj dhe anëtarë tuaj të ardhshëm, para se të bëhej LDK-ja, e jo unë, do t’i dënojnë demonstratat e rinisë sonë studentore e shkollore të 11 marsit të vitit 1981, si demonstrata armiqësore, nacionaliste dhe irredentiste, të drejtuara kundër bashkim-vëllazërimit, integritetit territorial të Jugosllavisë dhe rendit socialist vetëqeverisës! Neveritem kur i rikujtoj të ngritur në këmbë duke u diferencuar. Dy prej titullarëve tuaj të mëvonshëm e jo unë, pas këtyre demonstratave do të bëhen sekretarë të organizatave themelore të Lidhjes së Komunistëve në institucionet ku punonin, kurse njëri prej tyre, pedagog në Fakultetin e Filologjisë, do të paraqesë referat shumë të gjatë në mbledhjen e diferencimit të organizatës së Lidhjes Komuniste në atë Fakultet, në të cilin me vrazhdësi të veçantë jugosllave do t’i dënojë ato demonstrata. Dhe, ndërsa ata do të përparojnë partiakisht, unë do të shkarkohem nga detyra e drejtorit të Institutit Albanologjik.

Titullarët tuaj dhe anëtarët tuaj të ardhshëm me tituj nga fusha të ndryshme shkencore, shoqërore dhe ekzakte, e jo unë, do t’i dënojnë pamëshirshëm demonstratat e 11 marsit të vitit 1981 në mbledhjen e parë të diferencimit në Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës, në të cilën unë nuk do të flas dhe në mbledhjen e dytë, në të cilën unë nuk do të pranoj të shkoj. Dhe, fjalimet e tyre dënuese të demonstratave, të shqiptuara në mbledhjen e 19 majit 1981, mund t’i gjeni e t’i lexoni në broshurën “Krenarë në rrugën e Titos”, shqip dhe serbokroatisht, të botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës.

Titullarët tuaj dhe anëtarët tuaj të ardhshëm, e jo unë, do të shihen shpesh, me vite të tëra, në Televizionin e Prishtinës, duke përfaqësuar kulturën dhe përkushtimet jugosllave të inteligjencies shqiptare në Kosovë mbas demonstratave të 11 marsit të vitit 1981! Mua dhe rreth njëzet intelektualëve të tjerë në atë kohë do të na jetë e ndaluar paraqitja publike në këtë televizion, për më tepër aty, në të , nuk do të lejohet të përmenden as emrat tonë, as titujt e veprave tona!

Titullarë e anëtarë tuaj të ardhshëm, e jo unë, do të shkojnë nëpër shkolla e kolektive punuese, me zyrtarë politikë, për të marrë pjesë në diferencimin e mësuesve, arsimtarëve, profesorëve dhe punonjësve në ato shkolla e kolektive punuese. Disa prej atyre të diferencuarve ata e jo unë do t’i qesin prej punës.

Titullari juaj kryesor i sotëm, Isa Mustafa, e jo unë, do të jetë anëtar i njërit prej organeve të Universitetit të Prishtinës që do të zhvillojë luftë të zjarrtë politike, ndoshta edhe policore, në radhët e studentëve, kundër nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar, domethënë kundër idesë së lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, që prej 11 marsit të vitit 1981!

Titullari juaj kryesor i sotëm, Isa Mustafa, e jo unë, Rexhep Qosja, do të bëhet funksionar në administratën komunale të Prishtinës, do të bëhet, madje, kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Prishtinës, që me terminologjinë e sotme do të thotë Kryeministër i Prishtinës, dhe do të bëhet i tillë për dy mandate, natyrisht si i përzgjedhur i Rrahman Morinës dhe Sllobodan Millosheviqit! Dhe ai, Isa Mustafa e jo unë, Rexhep Qosja, do të marrë pjesë në miratimin e në ekzekutimin e vendimeve me të cilat prej shtëpive të tyre do të nxirreshin dhunshëm shqiptarë e në vend të tyre do të futeshin serbë! E të tjera.

Titullarët tuaj, e jo unë, do ta regjistrojnë Lidhjen Demokratike të Kosovës në Ministrinë e Drejtësisë në Beograd posa të formohet ajo.

Titullarët e partive filiale të LDK-së, të krijuara për të luajtur lojë pluralizmi partiak jugosllav në Kosovë, e jo unë, do t’i regjistrojnë edhe ato në Beograd posa të formohen.

Titullarët tuaj, e jo unë, do të bëjnë programin e LDK-së, në të cilin për Kosovën “programohej” një autonomi shumë më e rrëgjuar se ajo e vitit 1974. Për këtë arsye ju këtë program nuk e botuat as në “historinë”jubilare të LDK-së, as në adresën tuaj në internet. Por, pikërisht për këtë arsye atë program tuajin jugosllav do ta botojnë gazetat e shqiptarëve në Slloveni.

Titullarë dhe anëtarë tuaj të mëvonshëm, e jo unë, i kryeredaktoronin a i redaktoronin disa nga gazetat e javoret e Ndërmarrjes Gazetare, Botuese dhe Grafike “Rilindja”, në të cilat ndalohej botimi i shkrimeve të mia kundër dhunës serbe dhe jugosllave ndaj popullit shqiptar në Kosovë, në Maqedoni e në Mal të Zi, që i botoja në Slloveni dhe në Kroaci. I vetëm, natyrisht.

Titullarët tuaj, Kryesia juaj e atëhershme, e jo unë, bënte politikën e paqësimit mortor të Kosovës duke u vozitur në mercedesë luksozë dhe duke marrë rroga prej Fondit të Trepërqindëshit që mblidhej për arsimin shqiptar, që nuk financohej më prej institucioneve shtetërore.

Ndryshe prej titullarëve tuaj të paguar unë do të jem veprimtar shumëvjeçar politik dhe kryetar disavjeçarë i Lëvizjes së Bashkuar Demokratike, që do të marrë pjesë edhe në Rambuje, i papaguar. Unë s’merresha me politikë për rrogë, unë merresha me politikë për ideal.

Titullarët tuaj, Kryesia juaj e atëhershme, e jo unë, i priste politikanët, diplomatët dhe veprimtarët për të drejtat e njeriut nga Evropa dhe SHBA-të me uiski e me pije të tjera të blera me trepërqindëshin që jepte populli. Të gjithë ata vinin edhe te unë, në shtëpinë time, dhe unë i prisja jo me uiski po me ç’kisha në shtëpi të blerë me paratë e djersës sime, të librave të mi. Dhe, ata diplomatë, politikanë e përfaqësues evropianë e amerikanë për të drejtat e njeriut vinin edhe te unë sepse, si më kishin thënë jo njëherë disa prej tyre, titullarët tuaj nuk po ua thoshin se cila është historia e çështjes së Kosovës dhe, sepse nuk kuptonin se çka donin a kërkonin dhe si e shihnin zgjidhjen përfundimtare të saj.

Titullarit tuaj kryesor, e jo mua, Rexhep Qosjes, do t’i blini shtëpi me trepërqindëshin që populli dhe mërgimtarët tanë në Evropë po e jepnin për arsimin!

Titullarit tuaj kryesor, e jo mua, Rexhep Qosjes, me paratë e Ministrisë që ministronit ju do t’i zgjerohet pas luftës shtëpia dhe do t’i bëhet shtëpi e dyfishtë. E këtillë është demokracia juaj e jo e imja, në të cilën Kosova s’do të bëhej kurrë shtet i së drejtës, që pronat e blera me paratë e popullit, pashmangshëm i nacionalizon.

Titullarët tuaj, e jo unë, do të shkojnë më shumë herë te Millosheviqi në Beograd për t’u marrë vesh sesi ta gozhdojnë më fort arkivolin në të cilin e kishit shtrirë Kosovën; dhe titullarët tuaj e jo unë do ta “nderojnë” Kosovën duke shkundur hirin e cigareve në saksitë e luleve në oborrin e pallatit të Millosheviqit!

Titullarët tuaj, e jo unë, edhe në vjeshtën e vitit 1998, me kërkesën e përfaqësuesit amerikan për Ballkanin, Riçard Hollbruk, do të shkojnë te Millosheviqi për ta nënshkruar njërën prej “kushtetutave” që atëherë hartonte ambasadori Kristofer Hill për rehatimin e Kosovës në gjirin e Jugosllavisë së mbetur. Unë dhe anëtarët e Kryesisë së Lëvizjes së Bashkuar Demokratike, Mehmet Hajrizi, Hydajet Hyseni dhe Bajram Kosumi, nuk do të pranojmë kurrfarë bisedimesh me Millosheviqin pa qenë në delegacionin e Kosovës edhe përfaqësuesit e UÇK-së. Dhe, në ato bisedime ne me përfaqësuesit e UÇK-së do të shkonim vetëm në ndonjë qytet joserb, jojugosllav: vetëm në ndonjë qytet evropian.

Titullarët tuaj, e jo unë, do t’i quajnë pjesëtarët e UÇK-së, posa të paraqiten publikisht më 28 nëntor 1997, njerëz të frustruar, të organizuar prej Serbisë për të trazuar Kosovën!

Titullarët tuaj në bashkëpunimin me kryetarin e atëhershëm të Shqipërisë, Sali Berisha, e jo unë, do t’i dëbojnë prej Shqipërisë, duke i trajtuar si terroristë, djemtë tanë, pjesëtarë të ardhshëm të UÇK-së, që kishin shkuar atje për ushtrime. Një numër jo i vogël i këtyre të dëbuarve prej nënës Shqipëri, posa të shkelin në tokën e Kosovës, do të kapen prej policisë a ushtrisë serbe dhe do të dërgohen në burgje shumëvjeçare!

Titullarët tuaj, Kryesia juaj e atëhershme, e jo unë, do të dërgojnë grupe të lëdëkëistëve nëpër fshatrat e Kosovës për të bindur popullin që të mos u japë strehim dhe ushqim pjesëtarëve të UÇK-së!

Titullarët tuaj, Kryesia juaj e atëhershme, e jo unë, do të organizojnë “zgjedhje të lira e demokratike” në Kosovë, për zgjedhje të “kryetarit historik” edhe pas masakrimit të njëzet e dy anëtarëve të familjes së Adem Jasharit, duke e bërë ashtu demokratik e të ligjshëm në sytë e botës regjimin kriminal të Millosheviqit dhe duke e bërë “të ligjshme” edhe masakrën serbe në shtëpinë e Jasharajve!

Titullarët tuaj, në të vërtetë Kryesia juaj, e jo unë, do t’i deklarojë përfaqësuesit të OKB-së, për të drejtat e njeriut, Jirzhi Dintsbir, se vrasja e Adem Jasharit i ka gëzuar jo vetëm serbët, por edhe shqiptarët! Dhe, këtë pohim të Kryesisë së LDK-së do ta rideklarojë çeku Dintsbir, kur të vijë, për herë të dytë në Kosovë, i mirëpritur prej udhëheqjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, por i shpallur person i padëshiruar në Kosovë prej Lëvizjes së Bashkuar Demokratike të Kosovës, në Kryesinë e së cilës isha unë dhe të burgosurit politikë Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi, Basri Musmurati, Bajram Kosumi, Sherif Konjufca e të tjerë. Çeku Dintsbir me atë rast disa veprimtarëve politikë shqiptarë do t’ua tregojë edhe disa fjalë të tjera që në Kryesinë e LDK-së ishin shqiptuar kundër Adem Jasharit, por që as letra ime në të cilën po shkruaj nuk i duron.

Për titullarët tuaj, e jo për mua, përfaqësuesja e SHBA-ve në OKB do të thotë, mbas takimit me njërin prej tyre: ky nuk po marrka vesh gjë në politikë; ky qenka i mjerë. Dhe, kjo deklaratë e saj do të botohet në gazetën “Bujku”, e cila shumë kujdesshëm e regjistronte edhe politikën e çikla–miklave që kohë pas kohe bënte udhëheqja e LDK-së.

Titullari juaj kryesor, e jo unë, gjatë bombardimeve, do të shkojë në takim me Millosheviqin në Beograd, me ç’rast pushtuesit gjakatar të Kosovës do t’i çojë edhe dhurata të stolisura me kordele. Me të, siç do të thonë shoqërues të tij më vonë, ai do të pijë uiski gjithë natën pa e pyetur asnjë herë: po çka po bën ti në Kosovë, shoku Millosheviq?

Titullari juaj, e jo unë, do të takohet edhe me kryetarin e atëhershëm të Serbisë, Millan Millutinoviqin, dhe do të takohet në ndërtesën e Këshillit Ekzekutiv të Kosovës, tani ndërtesë e Kuvendit të Kosovës, ku, edhe atij, do t’i çojë dhurata të stolisura me kordele. Deklaratën për këtë mikpritje të tij të jashtëzakonshme prej titullarit të lartë të LDK-së e jo prej meje Millutinoviqi do ta japë posa të kryejë mandatin e kryetarit të Serbisë dhe po bëhej gati të shkonte në Hagë, në bisedën televizive me gazetaren e Beogradit, Mira Adanja Polak.
Titullari juaj, e jo unë, në bazë të marrëveshjes së arritur me Millosheviqin në Beograd, do të bëjë përpjekje të formojë qeveri kuislinge në Prishtinë; adjutantin e tij, me përcjellje të policisë serbe, do ta çojë dy herë në Shkup, për të gjetur kandidatë për këtë qeveri tradhtare ndër refugjatët tonë në Maqedoni! Për fat këto përpjekje qeveritare të dyhershme do të dështojnë, por dikush do ta paguajë tepër shtrenjtë mospranimin që të hyjë në aso qeverie!


Titullari juaj e jo unë, gjatë bombardimeve, do të kërkojë prej SHBA-ve, Bashkimit Evropian, NATO-s që t’i ndalin bombardimet ndaj objekteve ushtarake e strategjike serbe, ndaj ushtrisë e policisë serbe! Dhe, kështu me radhë. Dhe, kështu me radhë e pa radhë.

Është çudi e zotit sesi për një politikë të tillë dhe për veprime të tilla disa titullarë tuaj shpërblehen sot edhe me rroga të pesëfishuara kombëtare familjare, kurse kundërshtarët e veprimeve të tilla mund t’i përndiqni sot po aq sa regjimi i Millosheviqit dje!

Politikanët e tillë, që në kohë të luftës i çojnë shfarosësit të popullit të vet dhurata të stolisura me kordele, politikanët e tillë, që në kohë të luftës çlirimtare bëjnë apo provojnë të bëjnë qeveri kuislinge, politikanët e tillë që në kohë të luftës çlirimtare kërkojnë prej shteteve aleate të popullit të mos e ndëshkojnë në asnjë mënyrë pushtuesin, shfarosësin e popullit, politikanët e tillë që në kohë të luftës çlirimtare me të bëra të tilla e cenojnë aq rëndë dinjitetin dhe interesat kombëtare, popujt historikë gjithmonë i kanë nxjerrë para gjyqeve, në të cilat ata janë gjykuar me procedura të shpejtuara. Shembujt janë të shumtë në historinë e mëhershme dhe në historinë më të re të Evropës, në standardet, në parimet dhe në vlerat e së cilës thirremi çdo ditë.

Në qoftë se ju, si Kryesi e LDK-së, të bërë anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, doni edhe të dhëna të tjera për politikën tuaj deri në fund të luftës çlirimtare të UÇK-së, do t’ua bëj qejfin në përgjigjen tjetër, pas përgjigjes suaj të ardhshme. Në qoftë se doni që të dhënat e paraqitura në këtë përgjigje dhe në përgjigjen eventuale të ardhshme të kenë edhe referenca, unë jam i gatshëm edhe këtë dëshirë do t’ua plotësoj. Arkivi im historik në Institutin Albanologjik është shumë i pasur. Shpresoj të mos provoni ta shtini në thasët e hamajve e ta zhdukni siç provuat para tre katër vjetëve!

Debatin polemik me ju e çmoj shumë të rëndësishëm për të sotmen tonë politike e, në mënyrë të veçantë, për të ardhmen tonë historike shkencore. Ju me argatët tuaj të blerë a të frikësuar në disa media e në disa institucione të tjera, në sajë të gënjeshtrave, falsifikimeve, shpifjeve, denoncimeve, shantazheve, madje, edhe kërcënimeve keni arritur t’ia mbyllni gojën shumëkujt dhe të krijoni privilegje vetjake të ndryshme politike, ekonomike, shkencore, pushtetore në jetën tonë.

Fushata që filluat kundër meje me ndihmën e kryesve të punëve tuaja të pista në disa gazeta e televizione, flet qartë për përpjekjen tuaj që ashtu, me gënjeshtra, denoncime, fyerje, përbaltje, cenime nderi e integriteti të më mbyllni gojën edhe mua. Besoj të jeni të bindur se do t’u shkojë mundi kot. Ata që i kanë lexuar veprat e mia mund të mendojnë, me të drejtë, se pezmi që treguat ndaj botimit të kompletit tim frymëzohet prej faktit se në të gjenden shumë të dhëna për të kaluarën tuaj politike, për luftën e UÇK-së, në përgjithësi për historinë e re të Kosovës, që ju do të donit ta falsifikonit. Punë që nuk do të mund ta bëni: ai komplet është botuar në tirazh të pazhdukshëm!

Falë mënjanërisë (indiferencës) së pakuptueshme të pjesëtarëve të UÇK-së, në mënyrë të veçantë të përfaqësuesve të UÇK-së në pushtet, falë, madje, ndarjes së tyre në dy parti, aq pakuptueshëm të mospajtuara mes vete, ju keni arritur t’i ktheni në filiale tuajat politike propagandistike jo vetëm Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës po edhe disa institucione të tjera e media të shkruara dhe elektronike, të cilat kanë dhënë kontribut të veçantë për falsifikimin e historisë më të re të Kosovës. Mjafton të merren në duar planprogramet e historisë shqiptare dhe të letërsisë shqipe e me to edhe disa tekste shkollore historiko-politike dhe historiko-letrare për të parë se deri në ç’shkallë tribaliste lëdëkëiste i keni politizuar dhe privatizuar në to edhe historinë e re politike të Kosovës, edhe letërsinë bashkëkohore shqipe!

Falë mënjanërisë (indiferencës) së tyre, domethënë falë indiferencës së pakuptueshme të përfaqësuesve politikë të UÇK-së në pushtet, ju keni arritur, dhe po vazhdoni, të stolisni e çstolisni, në të vërtetë të dhunoni si po doni qoftë historinë qoftë gjeografinë e Kosovës! Qoftë të djeshmen, qoftë të sotmen e Kosovës! Deri kur do të mbahet kjo gjendje, domethënë deri kur do t’i durojë Kosova këto “stoli” tuaja partiake nuk e di sigurt.

E di sigurt, ndërkaq, se prej gënjeshtrave, uzurpimeve dhe stolisjeve në të vërtetë dhunimeve tuaja historike dhe gjeografike Kosova, historia dhe gjeografia e Kosovës, pashmangshëm do të pastrohen një ditë. Ku do të jeni, ku do të mbeteni ju atëherë? Sigurisht në mbretërinë e pëllumbaxhinjve! Dhe, të përndjekësve të intelektualëve që ia kanë treguar popullit mashtrimet, gënjeshtrat, mjerimet, falsifikimet, uzurpimet dhe dhunëtaritë tuaja të vjetra e të reja.(Epoka e Re)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)