23 Prill 2024

Delegacioni i Kosovës në bisedime për jo-shqiptarët

Shkruar nga Gani Qarri

Brengosë shumë fakti se si edhe në negociatat që kanë rifilluar dhe përsëri po zhvillohen pa parime as platformë shtetërore, ashtu si i konvenon vetëm Serbisë si shtet okupator,delegacioni i Kosovës merr pjesë në dialog vetëm për plotësimin e kërkesave të Serbisë dhe jo-shqiptarëve.

Madje përveç mos përfshirjes së statusit dhe të drejtave të shqiptarëve të Kosovës Lindore, nga delegacioni kosovar serish po vijon të mos bëhet as trajtimi i krimeve të luftës në bisedime, dhunës seksuale ndaj mese 20 mijë femrave përfshi edhe fëmijë e minorene shqiptare dhe ai i kthimit të zhdukurve që tash e mbi 21 vite,vazhdojnë të mbahen peng edhe për së vdekuri, nga Serbia.  

Për aq më tepër, me gjithë kalimin e mbi dy dekadave pas përfundimit të luftës dhe më shumë se 12 viteve nga shpallja e pavarësisë, shteti i Kosovës ende nuk ka arritur të bëjë asnjë dokumentim të saktë dhe të plotë të krimeve që ka kryer gjatë viteve të okupimit, Serbia në Kosovë.  

Madje, siç nuk është bërë mjaftueshëm në evidentimin dhe dokumentimin e gjenocidit dhe vrasjes së shqiptarëve nga soldateska okupuese e Serbisë në vendin tonë, si dhe mbledhjen e argumenteve nga dëshmitarët okularë e të mbijetuarit e luftës dhe ata të masakrave të ndryshme anë e këndë Kosovës, nga kuislingët e vendit, nuk është lejuar as ngritja, qoftë edhe e një padie të vetme edhe nga personat privat kundër kriminelëve serb, për gjenocidin që ata kanë kryer në mënyrë të organizuar shtetërore, ndaj shqiptarëve.  

Kështu që edhe nëse ndokund është bërë diçka e vogël në këtë drejtim, krejt ajo është realizuar në baza vullnetare dhe atë jo nga shteti, i sunduar prej bandave kriminale, ku nuk funksionon ligji as gjyqësia, por nga organizatat e ndryshme të shoqërisë civile.  

Kjo çështje e dhimbshme, jo vetëm se nuk është zgjidhur, por edhe ka mbetur pezull dhe mision i pa përmbushur asnjëherë nga Kosova, megjithëse tash e mbi dy dekada, është e lirë dhe mbi 12 vite, shtet i pavarur.   

Madje kur gjendjen e shohim nga perspektiva e pasqyrimit të fakteve me shifra, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, vetëm në dy vitet e luftës 1998-1999, nga forcat okupuese policore dhe ushtarake të Serbisë, janë vrarë dhe zhdukur mbi 13 mijë e 500 qytetarë të Kosovës, përfshi edhe 1 mijë e 4 00 fëmijë, 20 mijë femra të përdhunuara dhe më tepër se 400 masakra anë e këndë Kosovës.  

Këto fakte dhe të dhëna, janë aq të sakta e të besueshme, sa që janë përdorur edhe nga institucionet dhe instancat më relevante, vendore e ndërkombëtare.  

Ndërsa që nga përfundimi i luftës, prej të gjitha krimeve dhe gjenocidit që ka bërë Serbia në Kosovë, plaga më e thellë e mbetur hapur tash e mbi 21 vite me radhë, është mos zbardhja e fatit të 1654 personave të pagjetur dhe mbajtja peng edhe për së vdekuri, nga Serbia , familjet e të cilëve tash e mbi dy dekada presin zemërthyer dhe me varre të hapura, pa marrë asnjë përgjigje për kthimin e trupave të tyre në atdhe dhe vendlindje.  

Por megjithatë edhe në fazën përfundimtare të bisedimeve me Serbinë, nga vet kryeministri Hoti dhe delegacioni i Kosovës për negociata,viktimave shqiptare dhe mbi 20 mijë femrave të përdhunuara nga soldateska pushtuese serbe, u është mohuar tërësisht qasja në drejtësi, ndaj dhe vazhdojnë jo vetëm të injorohen, por edhe  të nënçmohen në mënyrën më perfide nga Hoti & CO, sidomos tema e gjenocidit ndaj shqiptarëve, përdhunimet dhe krimet tjera të luftës në Kosovë, që morën jetën e 13 mijë e 500, burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm shqiptarë.  

Atyre jo vetëm që u pamundësohet përmbushja e të drejtës për dëmshpërblim, por u është mohuar tërësisht edhe qasja minimale në drejtësi, gjë që është shkelja më e rëndë e të gjitha standardeve ndërkombëtare, e të drejtave dhe lirive të njeriut, e cila të paktën do duhej të përfshihej në marrëveshjen e bashkëpunimit të ndërsjellë ligjor, për ndjekjen penale të krimeve të luftës dhe krimet e dhunës seksuale në juridiksionet e të dy vendeve.  

Madje, në dialogun me Serbinë për marrëveshjen finale, njëjtë siç vepronte edhe Hashim Thaçi më parë, edhe delegacioni i Kosovës i kryesuar nga Avdullah Hoti, jo vetëm që nuk ka ngritë çështjen e krimeve të luftës, por në top prioritetet e tij, ka vendosur përsëri çështja e kthimit të të ashtuquajturve, “të zhvendosur serb” dhe jo temat e dhimbshme të gjenocidit mbi shqiptarët, përdhunimet e mbi 20 mijë femrave përfshi edhe vajza minorene si dhe krimet e luftës nga shteti gjenocidial i Serbisë.  

Për aq më tepër, kësaj çështje edhe në marrëveshjen e Uashingtonit,nuk i është dhënë rëndësi fare, apo vetëm simbolike, kurse në prioritet është rikthyer serish çështja e temave të shpenzuara në dialogun paraprak për çështje teknike, si numri i fryrë dhe stërmadhuar për disa herë, i të zhvendosurve serb pas lufte.

Ndaj përveç ofrimit falas të tregut mbi gjysmë miliardi euro të Kosovës të cilin Serbia me futjen e Kosovës në "Minishengenin" serb, do ta shfrytëzoi pa asnjë taksë as pengesë, ky shtet okupator, me pajtimin e delegacionit të Kosovës,ka aktualizuiar serish temën antiligjore, të hedhur poshtë njëherë nga Gjykata Kushtetuese e vendit,për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili nëse realizohet sipas kërkesave të Serbisë,së shpejti do ta përjetojmë fillimisht bosnjizimin Kosovës, e më pas edhe ndarjen.

Madje, megjithëse edhe nga Brukseli, BE serish paralajmëron,bisedime të reja shtesë, për pozitën e komuniteteve dhe marrëveshjet e arritura më herët, por jo edhe për krimet e luftës dhe gjenocidin e Serbisë mbi shqiptarët, përderisa Serbia jo vetëm që nuk pranon reciprocitet ndërmjet shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë, delegacioni i Kosovës as BE, nuk kërkon të drejta të barabarta edhe për shqiptarët e Kosovës Lindore me serbët në Kosovë, të cilët janë shumë më të pakët në numër, në vendin tonë.
 
Kështu që, siç theksoi zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Peter Stano edhe në këto bisedime, përveç të të ashtuquajturve të "shpërngulur" serb, me pajtimin e vet delegacionit të Kosovës të kryesuar nga Avdullah Hoti, as që do të përmendet statusi i shqiptarëve të Kosovës Lindore.  

Akt ky, i cili përveç statusit të vendit, do duhej të ishte pjesa më thelbësore dhe më me rëndësi e bisedimeve për një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe alarmi më serioz që, të paktën në këto momente të fundit dhe më vendimtare, duhet ti nxisë të reagojnë sadopak edhe vet shqiptarët në Preshevë, Medvegj e Bujanoc dhe ngritin zërin për shkeljen e të drejtave të tyre, si dhe padrejtësinë e madhe që po u bëhet, duke i përjashtuar edhe nga marrëveshja finale Kosovë-Serbi, ngase bisedimet e këtij lloji nuk do të përsëritën, pasi ta mësojmë ne, se ç`po ndodhë dhe sa herë u kalojnë para hundëve rastet, pa i shfrytëzuar shqiptarët.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)