12 Dhjetor 2018

Çdo gjë e vjetër, në rezolutën e re

Shkruar nga Valon Murati

Këto ditë pritet që PSD dhe Alternativa t’i bashkëngjiten ekipit negociator për dialogun me Serbinë. Rrjedhimisht palët kanë punuar në një projekt-rezolutë e cila pjesërisht është bërë publike.

Duke qenë i vetëdijshëm se nuk jam duke trajtuar një dokument tërësisht zyrtar, do ta komentojë atë që ka dal publike në mediat tona. Tani më është e qartë që PSD, Alternativa dhe Nisma Socialdemokrate kanë propozuar një projekt-rezolutë mbi dialogun me Serbinë.

Pritet që kur të votohet kjo rezolutë, dhe edhe si produkt i saj rezolute, të krijohet një ekip i përbashkët negociator i bashkë-kryesuar nga Nisma dhe PSD dhe më vonë të përpilohet edhe platforma për bisedime si dhe ligji mbi dialogun. Me shqetësim mund të konstatohet se nga dokumenti që është bërë publik, nuk ka asnjë gjë të re nga ato që janë thënë deri më tani.

Qasja është e njëjta me ato që kanë pasur institucionet tona në dialogun e deritanishëm me Serbinë, kryesisht të përfaqësuara në dekadën e fundit nga PDK, LDK dhe AAK. PSD dhe Alternativa me asgjë të ndryshme konceptualisht nuk kanë arsyetuar shkëputjen nga opozita aktuale (VV dhe LDK), përveç vullnetit për t’u bërë pjesë e procesit të dialogut.

Me të njëjtën qasje konceptualisht të ngurtë ndaj dialogut, VV dhe LDK po e bojkotojnë procesin negociator dhe pjesëmarrjen në to. Dhe, si zakonisht, as nomenklatura në pushtet e as partitë opozitare (tani më të ndara në dy blloqe), bisedimet nuk i shohin në funksion të zgjidhjes së problemeve të Kosovës me Serbinë, por në funksion të ndërtimit të një pozicioni sa më të favorshëm elektoral. 

Qasja e projekt-rezolutës është e ngurtë dhe kufizuese në mundësitë e gjetjes së zgjidhjeve reale për problemet që ekzistojnë në mes të dy vendeve dhe përpiqet të krijojë përshtypje se procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë është një proces formal, ku ne duhet të shkojmë në të me një tufë kushtesh, të cilat Serbia mezi pres t’i plotësojë.

Dokumenti të lë përshtypjen se është çështje ditësh njohja nga Serbia, sepse ajo është vënë si një nga objektivat të cilat e bëjnë marrëveshjen e pranueshme, së bashku me anëtarësimin në OKB.

Në të nuk flitet fare për dy problemet kryesore në marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë: veriun e vendit dhe Kosovën Lindore. Në të fare nuk trajtohet problemi kryesor i vendit: jofunksionaliteti i tij për shkak të privilegjeve kushtetuese që kanë serbët në Kosovë.

Dhe vetëm gjetja e zgjidhjes së drejtë për Kosovën Lindore dhe tri komunat veriore të Kosovës, që do të duhej të përcillej me heqjen e privilegjeve të pakicës serbe nga kushtetuta (2/3 e dyfishta për ndryshimet kushtetuese dhe ½ e dyfishtë për ligjet vitale), mund të krijojë kushtet për pranimin në OKB dhe ndoshta edhe pranimin nga Serbia.

Përndryshe, qasja e tanishme, ku flitet për ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës, e që në mënyrë implicite nënkupton edhe atë të Serbisë, është vazhdim i qasjes së vjetër të bisedimeve. Një gjë duhet ta ketë të qartë secili që flet për integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës.

Në rastin tonë, me problemet e pazgjidhura, këto dy tipare e përjashtojnë njëra-tjetrën. Pra, ruajtja e integritetit është në kundërshtim me forcimin e sovranitetit. Vetëm ndryshimi i kufijve, pra cenimi i integritetit territorial, si të Kosovës ashtu edhe të Serbisë, mund të sjellë zgjidhje që mundësojnë forcimin e sovranitetit të Kosovës.

Prej vitit 2011 është biseduar vetëm për Kosovën dhe pozitën e serbëve në të. Kjo qasje, krejt dialogun do ta shndërrojë prapë  në bisedime për shtimin e privilegjeve për serbët (deri në një autonomi politiko-territoriale).

Dhe cili mund të jetë produkti final me këtë qasje? Ose privilegje të reja dhe rritje e jonfunksionalitetit, ose dështim i bisedimeve pa një  marrëveshje finale dhe vazhdim i status-quos me privilegjet aktuale, të cilat edhe si të tilla në vazhdimësi po e bllokojnë shtetin e Kosovës.

Në të dy rastet, në vend të zhvillimit do të vazhdojë agonia për Kosovën, dhe do të kemi ngecje në të gjitha proceset e zhvillimit ekonomik, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe çdo gjë tjetër që ka të bëjë me rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve.

 Dhe në fund, pas disa dekadash, do të shfaqet, tani më jo si një gogol frikësues, por si zgjidhje e vetme ndarja e Kosovës, ndarje që do të na vije deri në Ibër dhe pa mundësi të marrim ndonjë gjë në Kosovën Lindore për shkak të largimit të vazhdueshëm të shqiptarëve prej atje.

Është shqetësuese që në momentin kur për herë të parë është hapur çështja e shqiptarëve të Kosovës Lindore dhe mundësia që përmes këtyre bisedimeve të trajtohet edhe pozita e tyre dhe mundësia e bashkimit të tyre me Kosovën, Kuvendi i Kosovës përmes një rezolute përpiqet të mbyll çfarëdo mundësie të tillë, duke i bërë dëm të pallogaritshëm Kosovës dhe funksionalizimit të saj si shtet dhe shqiptarëve në Kosovën Lindore.

Është e pabesueshme që përfaqësuesit e Kosovës, në emër të mbrojtjes së integritetit territorial të Kosovës, do të vazhdojnë të flasin në dialog vetëm për Kosovën e serbët në të, por në thelb në dëm të Kosovës dhe të ardhmes së të gjithë qytetarëve të saj, pa dallime etnike.

Unë konsideroj se ende nuk është vonë për një përmirësim sado të vogël të kësaj projekt-rezolute në mënyrë që të mos i mbyllen dyert zgjidhjeve adekuate të problemeve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Thelbësor është ndryshimi dhe shtimi i një pike në kapitullin e II-të. Aty aktualisht thuhet:

“Kuvendi i Republikës së Kosovës konsideron se, për qytetarët dhe përfaqësuesit politikë të Republikës së Kosovës, janë tri çështje fundamentale që e formësojnë kornizën, përmbajtjen dhe karakterin e Procesit të Dialogut dhe të Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse të dala nga ai:

Integriteti territorial dhe karakteri unitar i shtetit të Kosovës
Interesi strategjik i shtetit të Kosovës
Republika e Kosovës është rregullim shtetëror i demokracisë parlamentare dhe i shoqërisë sekulare brenda traditës multi-kulturore.
Unë konsideroj që ky kapitull duhet të ketë katër pika, si në vijim:

Pavarësia, sovraniteti, shtetësia dhe karakteri unitar i shtetit;
Interesi strategjik i shtetit të Kosovës;
Republika e Kosovës është rregullim shtetëror i demokracisë parlamentare dhe i shoqërisë sekulare brenda traditës multi-kulturore;
Reciprociteti në të gjitha marrëdhëniet me Serbinë .

Ky reciprocitet, do të vlejë posaçërisht sa i përket të drejtave në mes të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc me serbët në veri të vendit (Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan), apo në përgjithësi në mes të shqiptarëve në Serbi me serbët në Kosovë.

Me zëvendësimin e pikës së parë dhe me shtimin edhe të një pike (nga tri sa i ka aktualisht) krijohet një hapësirë që platforma që do të ndërtohet të jetë e tillë që do të përfaqësonte interesat reale të shtetit të Kosovës dhe të popullit shqiptar. Përndryshe, kështu siç është, do të mbetet një pengesë më tepër në procesin e zgjidhjes së çështjes shqiptaro-serbe, përkatësisht të Kosovës dhe Serbisë.

Unë jam i bindur se kjo pengesë mund ta vonojë por jo edhe ta shmang zgjidhjen e vetme të mundshme në mes të Kosovës dhe Serbisë, atë të ridefinimit të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë, me që rast Kosova Lindore do t’i bashkëngjitej Kosovës dhe pjesët serbe të Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut do t’i bashkëngjiteshin Serbisë.

Me këtë rast, Kosova do të funksionalizohej tërësisht si shtet i pavarur sovran, do t’i hiqte vargonjtë që i kanë mbetur në kushtetutë nga Pakoja e Ahtisaarit (privilegjet e pakicës serbe) dhe përfundimisht, jo vetëm që do të mund të vendoste për fatin e saj (për bashkimin me Shqipërinë apo format e atij bashkimi), por edhe do të krijoheshin kushtet që të merreshim me problemet e jetës së përditshme; që gradualisht, kësaj klase politikanësh e cila mbijeton në saje të problemeve politike të vendit, t’i imponohet zhvendosja nga skena politike përmes  ardhjes në shprehje të njerëzve të përgatitur e me vullnet për zhvillimin e vendit.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 12 dhjetor 2018 - Mbahet hapja zyrtare e projektit KosLift i cili mbështetet nga Ambasada Norvegjeze në Prishtinë dhe implementohet nga IPKO Foundation dhe RIT Kosovë. (Kampusi i RIT Kosovë, në Universitetin Amerikan, ora 9:30)

- Let’s Do It organizon aksion pastrimi te “Tregu i Gjelbër” në Prishtinë. (Tregu i Gjelbër, rruga që e lidh me lagjen “Kalabria”, ora 10:00)

- Ministria e Administratës Publike organizon ceremoninë e vënies së gurthemelit për ndërtimin e Shkollës së Mesme të Muzikës dhe të institucionit parashkollor-Çerdhes në Prizren. (Lagjja “ Bajram Curri”, që gjendet përballë shkollës së mesme të mjekësisë “ Luciano Motroni” në Prizren, ora 10:00)

- Ministris së Shëndetësisë, Uran Ismaili raporton para Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale lidhur me procesin e revidimit të listës esenciale të barnave, vonesat në përmbushjen e agjendës legjislative dhe projeksionet buxhetore të Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2019. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 10:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti do të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me Kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini. (Objekti i Komunës së Gjakovës, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim në të cilën do të behët shqyrtimi i Projektligjit për Kinematografinë, shqyrtimi i Projektligjit për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta,etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 10, ora 10:00)

- Prezantohet kampanja informuese ”Kodi Civil qëndron për qytetarët e barabartë të Republikës së Kosovës,” organizuar nga projekti i financuar nga Bashkimi Evropian “Mbështetje Kodit Civil - faza 2”, i cili po mbështetët nga Ministrinë e Drejtësisë. (Hotel Ulpiana në Graçanicë, ora 10:30)

- Demokracia Plus dhe USAID organozijnë debat publik lidhur me prokurimin publik në Gjilan. (Hotel Kristal, ora 11:00)

- Lidhja Demokratike e Kosovës mban konferencë për medie. (Selia qendrore e LDK-së në kompleksin Qafa, ora 11:00)

- Let’s Do It në bashkëpunim me nxënësit e shkollës ‘’Hivzi Sylejmani’’ organizon aksion pastrimi në Fushë Kosovë. (Oborri i shkollës Hivzi Sylejmani, ora 11:55)

- Punëtorët e NTP “Pallati i Rinisë” mbajnë një protestë përmes së cilës do t’i shprehin shqetësimet dhe pakënaqësitë e tyre për mos marrjen e pagave që tre muaj më radhë. (Para Newborn,ora 12:00)

- Banorët e fshatit Cikatovë mbajn protestë në mbrojtje të pronave stergjyshore te marrura në menyrë tinzare nga ana e Komunës se Drenasit dhe te cilat u janë shitur New Co Feronikeli, pa i kompenzuar asnjëherë. (Para Gjykatës Themelore të Prishtinës  dega në Drenas, ora 13:00)

- Aleanca Kosovare të Bizneseve organizon konferencën për media lidhur me ndikimin e taksës 100 % në ekonominë e Serbisë. (Selia qendrore e AKB-ës në Tophane, ora 13:00)

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media. (Zyrët qendrore te Vetëvenosjes, ora 13:00)

- Koalicioni i OJQ-ve “Java Kundër Korrupsionit 2018” do të mbajë tryezën e diskutimit me temë “Integriteti, Llogaridhënia dhe Efikasiteti i sistemit të drejtësisë - Nevoja për Vetting”. (Hotel Sirius, ora 14:00)
 
 - Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti, do të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me Kryetarin e Komunës së Dragashit Shaban Shabani. (Objekti i Komunës së Dragashit, ora 14:00)

- Zëvendësshefja e misionit të ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, Colleen Hyland, dhe Drejtoresha e Korpusit të Paqës, Dr. Darlene Grant, do të mbajnë fjalime në një takim me kryetarët e komunave të Kosovës. (International Hotel Prishtina, ora 16:00)