24 Prill 2024

Ca zëra turpi karshi kërkesës së mësimdhënësve

Shkruar nga Hilmi Gashi

Se në këtë vend vazhdojnë hera herës të shpërfaqën marrëzi nga më të ndryshmet, kjo tashmë nuk bën as çudi e as lajm.

Marrëzi këto që kryesisht për të mos thënë gjithmonë, burim kanë politikën dhe qasjen pa asnjë pikë morali të ushtruesve të saj vendimmarrës karshi qytetarit.

E fundit e këtij lloji, është mospërfillja e qeverisë tash e ca javë karshi kërkesës së mësimdhënësve për rritje page.

Akoma më i marrë është qëndrimi i ca zërave turpi që ca figura karakter-vogël neveritshëm nën petkun e tyre të injorancës shpërfaqin karshi kërkesës së tyre.

Në një kohë kur në botën e qytetëruar mësimdhënësi është diamanti i shoqërisë, në një kohë kur bota e qytetëruar paguan mendjen, dijen dhe arsimin, madje e blen, kurse ne i braktisim në fatin e vet. I lëmë mënjanë, në varfëri.

Edhe ashtu të topitur nga pesha e përgjegjësisë që kanë, i lëmë me një pagë që mezi ia dalin muajit.

Elitën që ushtron profesionin më të çmuar dhe të shenjtë, i lëmë të kërrusur, të lodhur e të përhumbur.

Këta që dikur dhanë gjithçka për këtë vend, këta që dikur punuan pa asnjë të ardhur vetëm që arsimi dhe dija të mos ndalën, sot shkelën “me ligj”.

Për t’ia vënë kulmin marrëzisë, ca analistë të profesionit të ekonomisë thonë së ngritja e pagës për këtë kategori e rrezikon ashpër sistemin fiskal dhe ekonomik në vend.

 Pra, vetëm kjo kategori e rrezikuaka bilancin ekonomik në vend dhe për çudi këtë s’po e bëka asnjë kategori tjetër, madje as rrogat marramendëse të qeveritarëve dhe politikanëve të të gjitha shtresave, që ua bënë vetës pagat më të larta në rajon dhe këtë e bënë “me ligj”.

Madje as dhënia e miliona eurove në vit për veteranë të rrejshëm nuk e prishka sistemin fiskal dhe ekonomik në vend, pazare këto që prekin tash e sa kohë dinjitetin e veteranëve të vërtetë dhe emblemës së tyre të shenjtë.

Ky vend vazhdon të mbetet një xhungël e egër nëpër të cilën lundron politika. Politikanët! Ky lloj i veçantë specie, pushtet-ngrënës, të egër, mizorë. Sot ka të rinj të arsimuar që gjenden të strukur nëpër skuta dhe titujt shkencorë i kanë të varur nëpër gardëroba si relike të braktisura.

Në një vend ku bëhet biznes me luftën, në një vend ku përdhosen edhe dëshmorët që dhanë jetën për lirinë, atëherë pyetja lind së çka s’mund të ndodhi tjetër. Ky vend që moti ka marrë tatëpjetën dhe assesi ta marri vetën.

Në këtë vend çdo ditë dëgjon gjëma të mëdha, por si kjo e mësimdhënësve është një brejtje e ndërgjegjes që duhet ta vret gjithsecilin.

Duhet të lihen mënjanë inatet e ligësitë dhe të jemi të bashkuar dhe të arsyeshëm kur gjykojmë këtë kërkesë më sublime të mësimdhënësve për rritje pagash. Rritje kjo që natyrisht do duhej t’i prekte edhe sektorë të tjerë jetik, ndonëse në momente të tjera.

Zotërinj! Më tepër së karrigen duaj, dojeni popullin, dojeni atdheun, dojeni doktorin, dojeni prokurorin, dojeni gjyqtarin, dojeni policin, dojeni ushtarin, e mbi të gjitha dojeni mësimdhënësin që iu rriti me dijen e tij.

Mos i gjykoni ata mbi bazën e pagave dhe mirëqenies tuaj, por gjykoni sikur jeni nën lëkuren e tyre sepse vetëm kështu do t’i kuptoni drejt hallet dhe kërkesat e tyre sot.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)