07 Korrik 2020

Bisedimet politike me Serbinë ‘aventurë’ e rrezikshme

Shkruar nga Ramiz Bojaj

Republika e Kosovës mund të hyjë në bisedime, qoftë edhe politike me Serbinë, vetëm duke u bazuar në interesa bilaterale (ndërshtetërore), ku paraprakisht Beogradi duhet të heqë dorë nga qëllimet ekspansioniste ndaj vendit tonë dhe të distancohet nga e kaluara e saj hegjemoniste.

Ndryshe, dialogu politik për veriu, (ose protektorat të ri ndërkombëtar në këtë pjesë), do të thotë përgatitje dinake për ndarje të re territoriale, për të cilat Serbia e ka plan të ‘zier’ që nga dëbimi i saj nga Kosova.

Duket tejet i çuditshëm gatishmëria e zyrtarëve tanë politikë për nismën e një aventure të re bisedimesh politike, Kosovë-Serbi.
 
Dështimet e bisedimeve teknike në mes të Kosovës dhe Serbisë përfunduan me bllokada rrugësh dhe proklamime haptas për ndarje territoriale të Kosovës. Veçmas shkëputjen e veriun dhe bashkëngjitjen e kësaj pjese Serbisë.

Edhe disa marrëveshje tjera të ashtuquajtura për qarkullim mallrash, vula doganore etj., duket të jenë vetëm spektakël medial.

Edhe pas disa ‘marrëveshjeve’ teknike (për vulat, qarkullim mallrash etj), vetëm se kanë shtuar probleme për çështje të tilla, për faktin se vet doganierët e Kosovës luftohen dhe pengohen në kryerjen e detyrave shtetërore (RKS).

Pavarësisht bisedimeve e nënshkrimeve, (marrëveshjeve e bashkëpunimeve) Serbia vazhdon përpjekjet e saj me të gjitha forcat, në mënyrë qe të realizojë planin për ndarjen e Kosovës.

Ngjitas kësaj, Serbia kërkon bisedime politike për të vizatuar hartën e re të Kosovës, me veriun e ndarë. Kosova, gaboi kur hyri në bisedime teknike me Serbinë, sepse edhe pse të emërtuara si të tilla, ato ishin bisedime krejtësisht politike.

Ose Serbia gjithnjë pas çdo raundi bisedimesh, ose edhe marrëveshjeve të arritura, i kundërvihej politikisht, duke mohuar statusin dhe vet ekzistencën e shtetit të pavarur të Kosovës.

Prandaj, Kosova me të gjitha forcat duhet t’i kundërshtojë përpjekjet e Serbisë, në mënyrë që dialogu teknik të mos bartët në karakterin politik, dhe me temën e veçantë për veriun e Kosovës. Ne mund të bisedojmë me Serbinë fqinje në forma të ndryshme dhe në interes bilateral, por jo për kufij ose për territore te veçanta duke specifikuar edhe vet veriun.

Kjo në një farë mënyrë vetvetiu po e tjetërson çështjen e veriut, e cila është penalizuar si rajon specifik. Gjendja në veri të Kosovës është tensionuar tej mase, duke kërkuar (pala serbe) që atje të bisedohet edhe për pikat doganore 1 dhe 31.

Strukturat kriminale janë pararojë të politikës së Beogradit, (ngase për atë pikë që insiston Serbia për ta shkëputur nga Kosova), elementet kriminale krijojnë bllokim rrugësh dhe sulmojnë autoritetet e shtetit të Kosovës: (djegia e pikave kufitare 1 dhe 31, dhe luftimi i autoriteteve të RKS).

Kjo ka për qëllim që në këto zona kufitare të mos ketë farë prani të institucioneve të Kosovës. Serbia insiston qe kjo pjesë të hiqet dorësh nga qeveria e Kosovës, e të mbetët edhe për pak kohë nën protektorat ndërkombëtar, në mënyrë qe më vonë të fillojë një raund i ri bisedimesh për autonomi për serbët.
 
Bisedimet politike ‘kuzhinë’ e Serbisë
 
Serbia faktikisht vazhdon ta penalizojë veriun e Kosovës, për një trajtim më ndryshe me pjesët tjera të shtetit të Kosovës. Ky penalizëm ka për qëllim mbajtjen e hapur të kartës së ndarjes në proceset e mëvonshme të bisedimeve.

Vet, Tadiç e Jeremiç, daullexhinjtë më të njohur të lajthimit të tezave për ndarjen e Kosovës,  kërkojnë qe veriu i vendit tonë mos të administrohet nga institucionet e Kosovës, por nga ndërkombëtarët.

Duke përkufizuar pjesën veriore si çështje dite, po përgatit planin përfundimtar për bashkëngjitjen e tri komunave, Mitrovicën veriore, Leposaviqin dhe Zubin Potoku, Serbisë së madhe.

Serbia ende vuan nga komplekset e prapambeturisë në mentalitetin e shekullit të kaluar. Këtë e dëshmon vet kryetari i Ligës Socialdemokrate të Vojvodinës, Nenand Çanak, duke shtuar se “meqë nuk është ndriçuar terri i viteve të ’90-ta, helmi i nazizmit dhe klerofashizmit po bartet te gjeneratat e reja të Serbisë.\"

\"Ky është terrori, i cili në një kohë të shkurtër do të marrë prapë jetë njerëzish. Çka tjetër duhet të ndodhë që të shihet se fashizmi përmes dyerve të mëdha po futet në jetët tona të përditshme dhe është pyetje dite kur banditët dhe vrasësit do të kërcasin në dyert e secilit që kundërshton”.

Këtë e forcon edhe ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili kërkon ndarjen e Kosovës, përmes bisedime politike.

“Duhet konferencë ndërkombëtare për çështjet kontestuese dhe se këto çështje, kurrë nuk do të zgjidhen pa një konferencë të tillë. Zgjidhja e problemeve në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të bëhet në nivelin vendimmarrës politik”.

Kjo jep të kuptojmë se qëllimet e Serbisë për zhvatje territoresh ndaj Kosovës nuk kanë mundur të arrihen përmes bisedimeve teknike,(as terrorit millosheviqian) por, një gjë e tillë kërkohet të realizohet përmes marrëveshjeve politike.
 
Ku mbeti autoriteti i sovranit?
 
 
Kryeministri ynë, Hashim Thaçi, sikur ‘miraton’, kërkesat e Serbisë duke theksuar se “takimet në mes të lidershipit të Kosovës dhe Serbisë do të ndodhin herët e vonë”. Ne e dimë se duhet të ndodhin, por pse pikërisht tash kur veriu është në udhëkryq dhe pse pikërisht për veriun.

 “Ne duhet të kemi një zgjidhje, mund të them historike të përmbylljes së problematikës Kosovë-Serbi. Komuniteti ndërkombëtar është pajtuar që të ketë çështje teknike, pastaj në nivele politike. Jemi pajtuar të gjithë. Kjo po shihet se pa një angazhim të lidershipit vendimmarrës është vështirë të shtyhen çështjet përpara”.

Çështjet nuk mund të shtyhen para duke biseduar për çështje të brendshme territoriale të Kosovës. Ky është kthim prapa. Ku mbetet, autoriteti i sovranit, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, me 17 shkurt 2008. Përfundimi për autonomi në veri, do t’i shtyjë serbët nëpër enklava të kërkojnë edhe ata autonomi sikur në veri.

Në këtë mënyrë krijohet enklavizimi i Kosovës, si rajon me territore të veçanta etnike. Kjo krijon lidhje horizontale për komunat etnike me bashkim vertikal me Serbinë. Këtë ‘specie’ nuk do ta proklamojë Thaçi në fillim të bisedimeve, por fundi nuk mund të ketë tjetër bilanc, edhe për shkak të ndikimit ndërkombëtar.

Këtë e din Serbia, prandaj edhe kërkon bisedime shtesë politike. Por duken krejtësisht të pakuptimta qëndrimet tepër naive të elitizmit tonë politik.
 
Bllokimet e rrugëve, invazion politik i Beogradit
 
Beteja për planit të ndarjes,  janë edhe bllokimet e rrugëve dhe pengimi i vendosjes së institucioneve tona shtetërore atje. Këto janë bllokime krejtësisht politike.

Duke goditur qeverinë e Kosovës në veri, Serbia kërkon që gjendja të hyjë në një protektorat të ri, i cili më vonë vetvetiu do të shërbejë si zonë e veçantë për të cilën duhen bisedime të veçanta për status, po ashtu të veçantë.

Kësaj ideje i fryu së fundi edhe vet nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala, duke u shprehur në favor të bisedimeve politike me Serbinë, për zgjidhjen e problemit të veriut. Jo vetëm kaq.

Shala ka propozuar  “administrim të përkohshëm ndërkombëtar, derisa rajoni të integrohet plotësisht në kudër të institucioneve të shtetit të Kosovës”.

Por, Shala nuk e di sa e ka të qartë se edhe protektorat ndërkombëtar edhe integrim të institucioneve tona atje nuk ka. Nëse duhet të ndodhë integrimi, pse nuk duhet të ndodhë tash, ose pse nuk ka ndodhur qe 3 vjet.

“Situata e krijuar në veri e ka vënë në përparësi palën kosovare përballë faktorit ndërkombëtar. Bashkimi Evropian duhet ta ndëshkojë Serbinë në procesin drejt anëtarësimit në BE, për shkak të rolit të saj destruktiv në dialog, si dhe për mbështetjen e trazirave në veri”.

Situata në veri, e kanë vënë në përparësi Kosovën, për t’i dhënë protektorat Serbisë, dhe për të përjashtuar qeverinë e Kosovës nga atje!- Vërtet qëndrime të tilla dëshmojnë se sa të papërgjegjshëm mund të jetë politikëbërësit tanë. Nëse duhet biseduar, atëherë po flasim në bazë të interesave bilaterale, përse pikërisht për veriun. “Pakoja e Ahtisarit duhet të mbetet zgjidhja e vetme për veriun”.

Sipas, planit të Ahtisarit, nuk mund të ketë bisedime për statusin dhe kufijtë, ndërsa Shala, në njërën anë mbron PA-në e në anën tjetër hapë temë të re për dhënien me koncesion të territorit tonë. Bisedimet politike me Serbinë kanë përfunduar, me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, prandaj absolutisht bisedime në këtë drejtim nuk duhet të ketë.

Ahmet Isufi, nënkryetar i AAK-së, ka mohuar çdo ‘ize’ për dialog politik me Serbinë. “Bisedimet me Serbinë kanë përfunduar me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Nëse Serbia duhet të reformohet së paku si shtet, ajo duhet të pranojë të gjitha fajet që i ka bërë mbi Kosovën”.
 
Bisedimet rrezikojnë veriun
 
Qëndrim më të pjekur në këtë rast ka dhënë anëtari i VV-së, Glauk Konjufca, duke mohuar çdo nismë për dialog politik me Serbinë. Ndryshe, veriu rrezikohet të shkëputet nga Kosova, e kjo është edhe taktika e Serbisë.

“Zëra të ndryshëm ndërkombëtarë, po kërkojnë nismë të re për dialog politik Kosovë-Serbi. E ne mendojmë që në këtë rast do të mund të rrezikohej veriu i Kosovës, në formë të ndonjë plani-Ahtisari plus”.

Një rrezik të tillë e ka proklamuar edhe kryenegociatorja Edita Tahiri duke thënë “se Kosova tashmë është shtet i pavarur dhe po përgatitet për t’i dhënë fund prezencës ndërkombëtare”.

Planet qeveritare edhe ashtu kanë mbetur në tavolinë si të parealizueshme, e tash na dalin zëra për administrim e prani të re ndërkombëtare në Kosovë. Kosovës nuk i duhet bisedime të pafundshme me Serbinë.

Republika e Kosovës, realisht ka nevojë për marrëveshje ndër fqinjësore me Serbinë, duke u mbështetur në parimet e praktikave bilaterale, pa konteste politike e territoriale.

Nostalgjikët e Ahtisarit, le të kërkojnë fat diku tjetër, jo të trumbetojnë ide e terma që janë kundër interesave të popullit tonë.

Republika e Kosovës mund të hyjë në bisedime qoftë edhe politike me Serbinë, vetëm duke u bazuar në interesa bilaterale (ndërshtetërore), ku paraprakisht Beogradi duhet të heqë dorë nga qëllimet ekspansioniste ndaj vendit tonë dhe të distancohet nga e kaluara e saj hegjemoniste.

Ndryshe, dialogu politik për veriun, (ose protektorat të ri ndërkombëtar në këtë pjesë), do të thotë përgatitje dinake për ndarje të re territoriale, për të cilat Serbia e ka si plan të ‘zier’ që nga dëbimi i saj nga Kosova.
 
(Autori është publicist, analist dhe drejtor për marrëdhënie me publikun në Institutin për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike).

Kalendari

Ngjarjet e datës 7 Korrik 2020

- Dr. Basri Sejdiu do të mbajë konferencë për media lidhur me vendimin e Bordit Drejtues për shkarkimin nga detyra e drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK. (QKUK, ora 11:00)

- Ministri i Drejtësisë Selim Selimi do të vizitoje Komunën e Prishtinës. (Ndërtesa e Komunës së Prishtinës, ora 11:00)

- Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi do të mbaj takim me Ministren e financave, znj. Hikmete Bajrami me të cilën do të bisedoj lidhur me pagesën e pagave të  punëtorëve nga pakoja emergjente, tërheqjen e mjeteve për punëtorë nga fondi i kursimeve si dhe eliminimin e gabimeve teknikeve gjatë  aplikimit për pakon fiskale emergjente. (Kabineti i ministres Bajrami, ora 11:00)

- Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi pas takimit me Ministren e financave, znj. Hikmete Bajrami do të mbaj konferencë për shtyp, ku do të ju njoftojë lidhur me këtë takim. (Zyret e Sindikatës në objektin e ish Gërmisë, ora 11:45)

- Lëvizja Vetëvendosje! mban konferencë për media në të cilën flet nënkryetari Besnik Bislimi. (Zyret e LV-së në Arbëri, ora 12:00)

- Me hapjen e ekspozitës multimediale në hapësirat e SENSE Qendrës në Pulë, Qendra për Drejtësi Tranzicionale në bashkëpunim me Fondin për të Drejtën Humanitare Kosovë nisin kampanjën me titull: Srebrenica 25: Së bashku kundër virusit të mohimit në ditën kur në vitin 1995 ka rënë Srebrenica. (Transmetim direkt livestream http://srebrenica.sensecentar.org, ora 17:00)

- Komuna e Rahovecit mban dëgjim publik me banorët të fshatrave Malësi e Vogël dhe Gexhë. (Objekti i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Skender Kastrati” në fshatin Malësi e Vogël, ora 19:00)

- Komuna e Rahovecit mban dëgjim publik me banorët të fshatrave Ratkoc, Dejnë, Vrajak dhe Bratotin. (Objekti i Shkollës  Fillore të Mesme të Ulët “4 Dëshmorët” në fshatin Ratkoc, ora 20:00)