29 Mars 2024

Bisedimet Kosovë-Serbi, të dështuara

Shkruar nga Ramiz Bojaj

Prapa perdes së dialogut teknik, Serbia dinakërisht fsheh aspirata hegjemoniste për shkëputjen e veriut të Kosovës. Dialogu me kushte të barabarta mes dy shtetesh të pavarura, Kosovë-Serbi, mund të fillojë vetëm atëherë kur kjo e fundit të distancohet nga e kaluara e saj hegjemoniste-gjenocidale dhe të njohë pavarësinë e Kosovës.

Bisedimet aq shumë të proklamuara në mes të Kosovës dhe Serbisë, ende pa u publikuar platforma përmbajtjesore e dialogut jep sinjalet e qarta për dështimin e tyre që në stadin e parë. E gjithë kjo do të ndodh për faktin e qëndrimeve diametralishte kundërthënëse nga të dyja palët.

Kosova në parim mbron realitetin e ri (juridiksionin e saj kushtetues e shtetëror), përderisa Serbia vazhdon politikën e vjetër, duke e mbajtur shtetin e Kosovës, në kushtetutën e saj se pjesë të vet territoriale. Realisht, prapa perdes së dialogut teknik, Serbia dinakërisht, fsheh aspirata hegjemoniste për shkëputjen e veriut të Kosovës.

Në fakt, Serbia, përmes strukturave kriminale në veri  e ka shëndrruar këtë rajon në një poligon të hapur e konfliktuoz. Ajo ka zbarkuar në terren, (në pjesën veriore) tri formacone kriminale: MUP-in, struktura nacinalisto-shoviniste dhe  atë të “shoqërinë civile serbe”, duke i udhëhequr në një front shumëdimensional për sulme të diktueshme kundër shtetit të Kosovës.

Tendencat për krijimin e territoreve monosllave

Aksionet e koordinuara të strukturave paralele në veri, kudër joserbëve në këtë pjesë, mëtohet të krijohet një realitet i ri monosllav. Mbi këtë nismë, Serbia e ka filluar edhe atakun medial antiKosovë, për ta mbajtur në rend dite çështjen serbe, gjithnjë për të krijuar amulli dhe ngërçe(qoftë edhe të përkohshme), për shtetin e Kosovës. 

Në këtë kontekst, presioni i shtuar i komunitetit ndërkombëtar, tek Beogradi dhe Prishtina, që të fillojnë dialogun e quajtur teknik, e që ndërlidhen me mirëqenie e kësaj pjese të Kosovës, jo vetëm se nuk mund të ketë efekt, por mund të jetë edhe i dëmshëm.

Për faktin se Serbia me ngulm(edhe përmes bisedimeve) përpiqet t’i legalizojë strukturat e veta kriminale në veri. Sulmet e bandave serbe kundër të rinjve shqiptar, mandje proklamimi i afisheve provokuese, serbo-çetnike, nuk janë asgjë tjeter veçse sinjale zyrtare të politikës së Beogradit.

Në këtë kontekst, dërgohen sinjalet për krijimin e një realiteti të ri autonom, prej nga do tasulmonte Kosovën edhe në brendinë e saj. Këtë e dëshmojnë edhe “vizitorët-klerikë”, të cilët në raste ceremoniale fetare, shpallin zona të “shenjta”, për tu përdorur më vonë si justifikim për monomitikulte sllave në territorin me shumicë shqiptare.

Kjo mund të fillojë nga një pikë e vetme lëshimi në rast se mund të ndodh për veriun, qoftë edhe krijimin e një minizone neutrale. Pas kësaj ‘nisme’ Serbia mëton ta forcojë praninë e saj, duke nxitur strukturat ilegale për pavarësi të pjesës veriore të Kosovës, e që do të hapte një poligon real konflikti ndëretnik.

Bashkësia ndërkombëtare duhet t’ia bëjë të qartë Serbisë vijat ekuqe, mbi të cilat nuk guxon të shkelë ajo, e jo të krijojë barazpeshë dialogu Serbi-Kosovë. Në këtë kontekst, jo vetëm se na ndajnë konceptet, por edhe vet realiteti i ri I krijuar, ku Kosova, tashmë, është shtet i pavarur dhe sovran.

Bisedimet për mirëqenie ndërqytetare nuk mund të kenë efekt nëse, strukturat paralele dhe grupet mafioze serbe në veri nuk lëvizin nga vendi. Thjeshtë, për tu arritur një mirëqenie më e mirë qytetare (siguri dhe lëvizshmëri), duhet tërhequr elementet kriminale serbe nga veriu, ndryshe “mirëqenia” nënkupton amnestim të krimit 12-vjeçar në veri.

Ndërkaq, kur janë në pyetje pikat doganore, gjykatat dhe sundimi i ligjit atje, mjafton që të shtyhen së vepruari institucionet shtetërore të Kosovës, të cilat janë funksionale edhe në pjesën qendrore të vendit, ndryshe krijimi i taskforcave dhe “protektorateve”, nënkupton shmangie dinake nga unifikimi shtetëror i Kosovës. Këtë dinakëri, edhe pse me maskë e nënvizon edhe Oliver Ivanoviq, i zgjedhuri i qeverise serbe për Kosovën.

“Është mirë që të fillohet me atë që po e sugjerojnë të dyja palët, çështjen e të zhdukurve dhe të rrëmbyerve, ndërsa pastaj do të mund të preken tema më serioze politike, për të cilat paraprakisht e dimë se nuk pajtohemi”, vlerëson Ivanoviq.

Nëse analizojmë domëthënien e këtij koncpeti, del në pah e tërë dinakëria e Serbisë për eksterritore serbe në Kosovë. Ndryshe, bazuar në parime, Beogradi do të jetë i shtrënguar ta njohë realitetin e Republikës së Kosovës shtet të pavarur dhe sovran.

Partneriteti euro-amerikan

Roli i SHBA-së është i pazëvendësueshëm dhe esencial në rezultatin e bisedimeve. Prania amerikane, jo vetëm se duhet të jetë mbikqyrëse, por edhe garantuese e rezultateve të arritura, nëse mund të ketë pika përafrimi.

Kjo vjen për faktin se Serbia mund të lajthitë edhe nga qëndrimet e veta, ashtu siç ka ndodhur shumë herë në të kaluarën. Edhe eksperti amerikan, Daniel Server, vlerëson se prania amerikane në bisedimet Kosovë - Serbi është vendimtare, pavarësisht nga lidershipi evropian.

“Në dialogun e ardhshëm, Kosova duhet të kërkojë njohjen e pavarësisë nga Serbia”, vlerëson Server.

Ndërkaq, duke folur për qëllimin e dinakërisë serbe, z. Server thotë se: “Opsioni i ndarjes së veriut është qëllim i Serbisë në bisedime, por kjo është një ide, së cilës asnjëherë nuk do t’i vijë koha e realizimit”.

Edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Dell, thekson se bisedimet janë të domosdoshme dhe se tërësia territoriale mbetet e paprekshme.

“Veriu është dhe do të mbetet pjesë e Kosovës. Le të mos harrojmë se ky dialog nuk ka lidhje vetëm me zgjidhjen e çështjeve të mbetura mes Serbisë dhe Kosovës. Ai synon gjithashtu të ndihmojë dy vendet të ecin drejt perspektivës së tyre evropiane”, ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Dell.

Ndërkaq, zyrtarë të Bashkimit Evropian theksojnë se bisedimet duhet të fillojnë me tema të lehta por në fazën e dytë të tyre mund të hapen çështje që janë politikisht kundërthënëse.

Shmangia e ‘bisedimeve’ sa për të biseduar

Prishtina, duhet të udhëheq platformën e bisedimeve, mbi të cilat do të kërkohej, zbardhja e fatit të personave të zhdukur, tërheqjen e strukturave militare serbe nga veriu dhe njohjen pa kusht të shtetit të pavarur të Kosovës, nga ana e Serbisë.

Pavarësisht, epilogut të bisedimeve, institucionet legjitime shtetërore të vendit tonë, duhet të shtrijnë autoritetin e vet(me çdo kusht), në këtë pjesë të shtetit.

Ndryshe, konflikti 12-vjeçar nuk mund të mbahet përjetësisht i izoluar. Jemi deshmitarë, se shpallja e Pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008, e as hartimi i aktit më të lartë juridik, Kushtetutes, nuk kanë ndryshuar gjendjen në terren.

Fytyrat e përgjakura të të rinjve shqiptarë, të cilët vijnë nga veriu, janë dëshmitarët më të mirë të gjendjes faktike në terren.

A është kjo shkelje e të drejtave të njeriut të shqiptarëve, apo një gjë e tillë hyn në agjendën politike e mediale, vetëm atëherë kur një serbi,  nuk i pëlqen shtëpia e tij në jug,  e ndërtuar nga donacionet qeveritare, apo nga ato të jashtme.

Kosova duhet të tregojë se tashmë është shtet i pavarur dhe sovran, dhe të tregojë autorësinë e vet në kontekstin shumështresor dhe shumëdimensional.

 “Kosova është e angazhuar për fqinjësi të mirë, qoftë edhe me Serbisë, për ti dhënë fund kapitullit konfliktuoz Kosovë-Serbi”, vlerësojnë zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës.

Gjithashtu, zyrtarë qeveritarë vlerësojnë se nuk do të ketë levizje qëndrimi rreth ‘integritetit territorial të vendit, dhe aspektit juridiko-kushtetues të Republikës së Kosovës’. Realiteti ballkanas me shtetin e pavarur të Kosovës është shumë i çartë, jo vetëm për Serbinë, mjafton të shikohet e të preket ky fakt.

Dialogu me kushte të barabarta mes dy shtetesh të pavarura, Kosovë-Serbi, mund të fillojë vetëm atëherë kur kjo e fundit(Serbia) të distancohet nga e kaluara e saj hegjemoniste-gjenocidale dhe të njohë pavarësinë e Kosovës.

(Autori është publicist, analist dhe drejtor për marrëdhënie me publikun në Institutin për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike).

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)