16 Prill 2024

Big Brother is watching you!

Shkruar nga Vetëvendosje

KFOR-i të shikon. Qoftë edhe nëse je duke kaluar qaste intime me partnerin sikur në reklamë. Ai është kudo. Dhe vjen me helikopter. Të shikon me dylbi. Ai është Vëllai i Madh. Ani pse është strukturë më e vogël: KFOR-i është më i shpejtë se kurrë.

KFOR-i të shikon deri në hollësitë më të imëta. Ai e sheh drurin, por nuk e sheh pyllin. Nëse diku në ndonjë fshat të largët të Kosovës e organizon një tubim, KFOR-in do ta kesh pas. Por kur digjen kufijtë e Kosovës nga Serbia, KFOR-i i fut veshët në lesh. Nuk sheh as dëgjon. Po sikur struci. KFOR-i nuk e çan kokën kur strukturat paralele të Serbisë i okupojnë gjykatat në veri. As kur ata hedhin granata dore e shtijnë me kalashnikovë për t’i pengur shqiptarët që t’i ndërtojnë shtëpitë e tyre të shkatërruara atje.

KFOR-i të shikon e dëgjon nganjëherë. Varet. Nëse je shqiptar, ai sillet si Vëlla i Madh. Nëse je strukturë paralele e Serbisë sillet si partner. Të gjitha reklamat e KFOR-it u drejtohen vetëm shqiptarëve. Madje edhe ajo ku tregohen muskujt. Nganjëherë ato u drejtohen të dy palëve – maces dhe qenit. KFOR-i është rojtari i Kosovës që e ka shndërruar në kopsht zoologjik.     

KFOR-i është për stabilitetin e rajonit. Stabilitet që kërkon çarmatosjen e shqiptarëve dhe toleron militarizimin e Serbisë. Ky është stabiliteti i Rezolutës 1244. Stabilitet i gjendjes ekzistuese. Stabiliteti i të dobëtit, i varfërisë, stabiliteti i shitjes së pasurive të Kosovës. Por, sipas KFOR-it ti duhet të rrish i qetë. Të mos bëzash. Sepse Vëllai i Madh po të shikon!

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)