26 Prill 2024

Bajram Daklani 1880-1923

Shkruar nga Gani Qarri

Më 11 gusht nga Gjakova në Ferizaj me urdhër të Bajram Currit kryekomandant i forcave të Kryengritjes së Përgjithshme Kombëtare kishte arritur edhe udhëheqësi i Krasniqes, Hasit dhe Rekës, heroi Bajram Daklani me luftëtarët e tij.

Dhe që me 12 gusht të vitit 1912,nga Ferizaj do të futej triumfalisht në kryeqytetin e sapoçliruar të Kosovës në Shkup ku sipas gazetës “Shkupi” të datës 19 gusht të vitit 1912, pas 500 vjetësh sundimi turk, Bajram Daklani i pari do ta ngrinte lartë dhe me krenari, Flamurin Kombëtar Shqiptar!

Hero dhe prijës besnik shqiptar, luftëtar i paepur dhe patriot i flakët kombëtar, ardhur në jetë rreth vitit 1879,në një familje atdhetare, zbritur kohë më parë nga Malësia në Gjakovë.

Personalitet i shquar me një histori të veçantë flijimi, i vrarë shumëfish dhe zhdukur pa gjurmë as varr.

Udhëheqës dhe rilindës përparimtar si dhe njëri nga kryengritësit më të dalluar të këtyre trojeve, i vrarë me tradhti, më 3 shkurt të vitit 1923 në fshatin Rogovë të Hasit.

Luftëtar i atdheut i shuar nga bashkëkombës të shitur e tradhtarë të cilët shpejtë dhe pa menduar gjatë, kaluan në çmenduri, kthyen në vrasës të heronjve më të mirë kombëtar dhe transformuan në renegat të pa-përmirësuar të pushtuesve të huaj.

Hero me një histori të veçantë flijimi, për të cilin u thurën këngë, mite dhe legjenda, por u shkrua krejt pak, për të mos thënë fare, tërthorazi dhe vetëm në kontest të ngjarjeve dhe biografive të personaliteteve tjera historike

Fat, pothuajse të njëjtë me heronjtë e kombit, patën atëbotë edhe trojet shqiptare, të cilat, s`do mend, se sot e atëherë ishin dhe mbetën më të rrezikuarat në Ballkan dhe  Evropë.

Ndaj, që nga fundshekulli i XIX dhe fillimi i luftimeve ruso-turke më 24 prill 1877, territoret e para që do të binin pre e pushtimeve të pareshtura nga shtetet hegjemoniste fqinje ishin ato shqiptare, siç ishin edhe vet shqiptarët ata të cilët të parët do ta paguanin tagrin më të rëndë të luftërave të huaja.

Ishte koha kur, Trojeve të pambrojtura të Shqipërisë Etnike, qysh atëherë, më tepër se çdo gjë tjetër, i duheshin trima të luftës, burra të pushkës dhe heronj të organizimit e të qëndresës së njëmendët kombëtare,
për të cilët atdheu u detyrua, që pa vonuar të shpallte kushtrimin.

Kjo ngase tokat e para që do të coptoheshin, pushtoheshin dhe aneksoheshin vijimisht dhe në mënyrë të pareshtur e klandestine nga shtetet hegjemoniste fqinje, ishin pikërisht trojet e pambrojtura të Shqipërisë Etnike.

Vetëm në këtë mënyrë mund të mbrohej vendi nga agresorët të cilët e kishin mësy Shqipërinë etnike nga të gjitha anët ,duke filluar nga Greqia në jug dhe Serbia e Mali i Zi në lindje e veri.

Rezistenca e paepur me armë në dorë, që nga kryengritjet sporadike, deri te organizimi i mirëfilltë i mëvonshëm politiko-ushtarak i tyre, më 1878 e këtej, kur dhe u formua Lidhja Kombëtare Shqiptare e Prizrenit, bënë që të ruhej ,kjo pak tokë, të cilën ne si komb ende e kemi, nga krejt ajo që dikur e kishim dhe ishte e jona në Shqipërinë Etnike.

Megjithatë, armiqtë e vendit, nuk mjaftoheshin as me kaq dhe planifikonin që pasi shqiptarët ti dëbonin vet me luftë pushtuesit otoman edhe nga tokat mbetura të tyre, vendet hegjemoniste fqinje ti ndanin e copëtonin në mes vete edhe ato,për tu zgjeruar edhe më tepër në trojet e Shqipërisë etnike.

Por,siç thotë fjala popullore, armiqt kishin bërë hesapet "pa hanxhin", ngase atdheu ende kishte trimat Hasan Prishtina, Isa Buletini, Bajram Curri, Bajram Daklani etj,me bashkëluftëtarë të cilët do të kapnin pushkët dhe organizonin kryengritje pas kryengritje për mbrojtjen e tokave tona amtare.

Ndaj, pas periudhës heroike të Skënderbeut dhe që nga krijimi i “Lidhjes Kombëtare Shqiptare të Prizrenit” Kosova u shndërrua në vatrën e zhvillimeve kryesore kombëtare, amën e luftërave më të mëdha çlirimtare dhe arenën biblike të të gjitha ngjarjeve më me rëndësi historike për Shqipërinë, trojet tona etnike dhe shqiptarët kudo.

Dardani e vjetër u kthye në fushëbetejë për liri, lindi burra të zot, të pushkës e të pendës dhe nxori ideologët kryesor të kryengritjeve gjithë-shqiptare.

Ajo, në vitet më të vështira i dha atdheut udhëheqësit më të shquar të çështjes kombëtare.

Për ta argumentuar më së miri sensin e vërtetë luftarak të trimave dardan, me këtë rast po sjellë vetëm pak rreshta, të udhëheqësit të mirënjohur kombëtar, Fan Stilian Noli, i cili nga përvoja me shqiptarët e të gjitha trojeve , më 1924, të shekullit të kaluar, në poezinë "Merr e zgjidh", për luftëtarët e Kosovës, do të shprehej:

A të duhen luftëtarë?
Dhe arratinë armiku të marrë!?
A do botës ti vesh zjarr?
Merr nja dhjetë kosovarë!....

E njëri nga trimat dhe prijësit më të shquar të historisë çlirimtare të rilindjes si dhe pinjolli më i denjë i një familje patriotike shqiptare, pa dyshim ishte dhe mbeti, heroi i mirënjohur kombëtar Bajram Daklani.

Udhëheqës i shquar popullor dhe luftëtar besnik i atdheut, i shuar tradhëtisht në vitin 1923, në Rogovë të Hasit, nga shërbëtor të Serbisë, shqiptarë të shitur e tradhtarë,  që për pak para dhe pushtet fiktiv, vranë njërin nga udhëheqësit më të shquar të kryengritjeve kombëtare.

Armiq të përbetuar të kombit të vet dhe kundërshtar të përhershëm të çlirimit të atdheut, të cilët , siç vranë ata vet dje, patriotët më të denjë kombit, vrasin edhe të bijtë e tyre sot, luftëtarët më të mirë të lirisë, që lindën tokat shqiptare.

Edhe një tragjedi me shumë të vrarë ku viktima sërish ishin luftëtarët më të mirë të lirisë dhe djemt më trima të UçK-s, për çudi, ndodhi pikërisht po në këtë fshat,i cili si në shumicën e vendbanimeve të trojeve tona etnike, nuk ka as nuk kishte asnjë serb vendor, ndaj siç duket edhe një herë,punën e pistë të tradhtisë,e bënë përsëri vet shqiptarët e këtij fshati  e cila aty nuk ishte e vetmja as e para e këtij lloji.

E për të kuptuar më mirë dhe në detaje faktike fatkeqësitë tragjike që vetëm tradhtarët e kombit dinë të shkaktojnë , shihni me vëmendje këto pamje të dhembshme, të një prej masakrave më trishtuese të luftës së fundit, ndaj djemve më të mirë të lirisë, ndodhur më 29 janar të vitit 1999,si për koincidencë përsëri në fshatin Rogovë të Hasit.

Kështu që, është vërtetë për keqardhje fakti se si përkundër të gjitha kurtheve dhe tradhtive të ndodhura ndër vite, me gjithë pasojat e rënda edhe për çështjen kombëtare, sikur është bërë traditë, që megjithatë, shqiptarët në vijimësi, të bëjnë sikur vërtetë i "kujtojnë" me zemër dëshmorët, derisa një pjesë jo e vogël e shqipfolësve të dyshimtë dhe ende me ndikim të madh në këto troje, vazhdon edhe sot ti fsheh me nostalgji tradhtarët dhe shkaktarët e kaq shumë tragjedive, vuajtjeve dhe vdekjeve të pamerituara të prijësve e heronjve kombëtar, luftëtarëve për çlirim dhe trimave të paepur të lirisë.

Edhe Bajram Daklani, qysh i ri, u dëshmua për guxim e trimëri të pafund dhe atdhetarizëm të lart, i cili ndër të parët iu bashkua çetave luftarake të kohës.

Ky hero sikur ishte i lindur pikërisht për ngjarjet më të mëdha e motet më të vështira dhe periudha të mundimshme e s’ provuese të historisë, nëpër të cilat, njëjtë si ai, pothuajse e gjithë elita kombëtare u detyrua ti kalonte, për mbrojtje të atdheut dhe mbijetesë kombëtare

Por me gjithë heroizmat, luftën dhe kontributin e tij të pamohueshëm kombëtar, pasqyra e jetës dhe veprës së Bajram Daklanit, ende shpjegohet cekët, vetëm sipërfaqësisht dhe pothuajse si një kronikë e pa-sistemuar sa e si duhet.

Historia e bujshme e bëmave të mëdha të këtij heroi, paraqitet vetëm pjesërisht dhe me shkëputje të herëpashershme, ani pse ai, ishte dhe mbetet, njëri ndër personalitete më të shquara udhëheqëse dhe luftarake të Kombit Shqiptar.

Ky trim, gjithmonë u gjend përkrah Bajram Currit, mori pjesë aktive në të gjitha betejat kryesore, dhe kryengritjet vendimtare në Kosovë e Shqipëri dhe kudo që ato, aso kohe për atdhe u zhvilluan.

Madje edhe pse gati fëmijë, dhe siç thotë fjala popullore, ende pa i rënë "brisk fytyrës“, që në rininë e hershme të tij, Bajram Daklani iu bashkua çetës së Sahit Mulës, ku si luftëtar i rrallë e atdhetar i denjë që ishte, fillimisht u dëshmua si njëri nga pjesëtarët më të mirë, e pa kaluar shumë kohë, u bë edhe udhëheqësi kryesor i saj.

Sahit Mula, thuhet po ashtu se ishte kryengritës kombëtar dhe dashamirë e bashkëpunëtor i Bajram Currit, por që edhe ai do të vritej me para nga shqiptarët.

Sipas këngës së rapsodit, personi që porositi vrasjen e tij, ishte Murtez Aga nga Gjakova, ndërsa dorasi- Hazir Syla;

Murtez Aga duel në shkallë,
Hazir Sylës po i qon fjalë

****************************
Një hyzmet Hazir ta due
Sahit Mulën prema mue

(https://youtu.be/cVgE7fKV4Iw)

Pas vrasjes së Sahit Mulës,në krye të saj, do të vinte luftëtari më i mirë që ajo kishte, heroi Bajram Daklani.
Ai zgjedhjen si prijës i çetës dhe besimin e fituar nga bashkëluftëtarët, do ta kurorëzonte me udhëheqje të suksesshme dhe luftëra e përpjekje të pareshtura deri në fund të jetës së tij, për çlirim kombëtar dhe pavarësi të atdheut, të cilin e donte më shumë se jetën.

Veçanërisht kur ishte në pyetje populli i tij dhe çështja kombëtare, Bajram Daklani ndër të parët kundërshtonte me forcë dhe pa asnjë hezitim vendimet e Sulltanit (mbretit) i cili sa herë dëshironte ti mësynte shqiptarët, aq herë kërkonte paturpësisht edhe dorëzimin e armëve, nga kryengritësit e trojeve tona etnike.

Por Bajramm Daklani, nuk u dorëzua vet as nuk dorëzoi armët asnjëherë, madje edhe kur forcat turke e rrethuan dhe i dogjën atij kullën me topa artilerie, në përpjekje që ta mundnin dhe kapnin të gjallë heroin, ai me bashkëluftëtarët trima, rezistuan fort dhe bënë qëndresë të paepur e heroike mu si burrat e motit, duke luftuar me aq guxim e trimëri, sa që jo vetëm ti thyenin keq turqit, por edhe ti detyronin ata, që të iknin si kalamaj, ngjarje historike kjo, e cila nga populli edhe do të shndërrohej në këngë epike:

Në Stamboll po thërret tellalli

********************************
Na u rrethu Bajram Daklani
Se ja theu mbretit fermanin

Heroi ynë me trimat e vet, edhe pas shkatërrimit të Kullës, nga forcat otomane, jo vetëm se nuk do të zmbrapseshin, por përkundrazi, ata do të vërsuleshin edhe më me vendosmëri kundër ushtarëve turq, mu si-kur të kishte shkrepë reja (vetëtima) në shesh të (mejdanit) betejës, siç thuhet edhe në rreshtat vijues ;

Janë dal trimat për mejdan
Krisi reja për nizam

Kurse me të marrë vesh Bajram Curri se miku dhe bashkëluftëtari i tij besnik, Bajram Daklani, ishte rrethuar pa asnjë paralajmërim nga forcat turke, edhe ai do të vihej me të shpejtë në ndjekje të nizamëve otoman, të cilët siç sqarohet edhe në rreshtat vijues të këngës, nuk do të  gjenin as shteg se nga t`ia mbathnin, duke i rënë mes për mes lumit, për të ik nga qeta e tij.

Nis po ik asqeri lumit
I ndjek çeta e Bajram Currit

Madje Plaku i Maleve, ishte prekur aq shumë nga sulmi i papritur i çaushit turk, ndaj bashkëvendësit, bashkëluftëtarit dhe bashkëveprimtarit të vet më të ngushtë kombëtar, Bajram Daklanit, sa që vetëm kënga di ti ri-sjellë sërish në mënyrën më origjinale, fjalët e tij, drejtuar çaushit turk;

Ndal çaush, kah po shkon
Këtu nuk je në Anadoll
Ta laj trupin krejt me gjak
Në gjoks nishanat ti kalli flak

Për aq më tepër, Bajram Curri do t`ia shpjegonte edhe një herë më tepër çaushit turk, traditën e vendlindjes së përbashkët të të dy kryengritësve shqiptar,Bajram Currit dhe Bajram Daklanit, duke i rikujtuar atij, se:

Kështu Gjakova e ka adet
Nga një çaush me vra për vjet

(https://www.youtube.com/watch?v=YfahONXZmFI)

Përveç aksioneve të përbashkëta me Bajram Currin, Bajram Daklanin jo vetëm një herë, e gjejmë edhe në luftimet e udhëhequra nga Zeqir Halili, siç shkuan edhe Dr. Jusuf Bajraktarit, në librin historik, “Gjakova me rrethinë në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, 1878-1912, Prishtinë, 1998”)


Ndihmesa e Bajram Daklanit në luftën e Malësisë!

Bajram Daklani mori pjesë aktive në të gjitha kryengritjet e mëdha dhe betejat vendimtare kudo që ato u zhvilluan në Kosovë e Shqipëri dhe trojet tjera shqiptare, për liri dhe çlirim kombëtar.

Madje në kohën kur forcat e Perandorisë turke me 13 maj të vitit 1911, me rreth 40 mijë trupa dhe artileri të rëndë të udhëhequra nga Turgut Pasha, filluan një ofensivë të gjerë kundër Malësisë së Madhe, malësorëve kryengritës të udhëhequr nga Dede Gjon Luli e Isa Buletini, përveç Bajram Curri që me forcat e veta u vërsulej turqve nga Krasniqja, Bajram Daklani i ndiqte ato që nga Dukagjini me çetën e tij.

Pasi që forcat e bashkuara kombëtare të lirisë u shkaktuan atyre humbje të mëdha, kapën shume armë e municione dhe thyen përfundimisht forcat turke, Porta e lartë (Perandoria turke)shkarkoi menjëherë nga funksioni udhëheqës dhe largoi nga Shqipëria Turgut Pashën.

Ndërsa, ndihmësi i tij Ethem Pasha gjatë tërheqjes në drejtim të Gjakovës, do të plagosej rëndë nga çeta e Bajram Daklanit dhe vdiste nga plagët, në spitalin e Shkupit.

"Fermani" i Adil Beut

Kryengritjet e viteve 1909,1910,1911 acaruan aq shumë gjendjen politike në trojet shqiptare, sa që më 12 Janar të vitit 1912,kohë kur shumë fshatra e qytete tanimë ishin çliruar dhe rënë në duart e kryengritësve kombëtar, qeveria turke shpërndau parlamentin dhe vendosi gjendjen e jashtëzakonshme në trevat më kryengritëse shqiptare.

Kurse në mars të vitit 1912, vet ministri i brendshëm turk Haxhi Adil beu, do të vizitonte qytetet kryesore të Kosovës në përpjekje për të bindur shqiptarët që ata edhe më tej, ti nënshtroheshin Perandorisë otomane, por luftëtarët e kombit, të drejtuar nga patriotët si Bajram Daklani e ndoqën me armë në dorë, ngado që ai shkonte.

Gjatë rrugëtimit të ministrit turk, konvoi i të cilit me gjithë betejat e ashpra, arriti në Gjakovë prej nga ai planifikonte të shkonte në Prizren, tri ditë luftime u zhvilluan vetëm në trevën 7-8 kilometërshe hasjane, sa duhet të ketë përafërsisht gjatësi frontale, hapësira nga Raça e Moglica deri te Ura e Fshejtë.

Këto luftime i udhëhoqën sërish me shumë sukses Bajram Daklani dhe Zeqir Halili.

Ishte pikërisht 7 marsi i vitit 1912,kur Haxhi Adil beu, nën mbrojtjen e trupave të shumta ushtarake turke, përpiqej të vijonte udhëtimin, nga Gjakova për në Prizren, por Bajram Daklani dhe Zeqir Halili, arritën t`ia prishnin planet dhe ndërprisnin udhëtimin, me të arritur te Ura e Fshejtë ku i kishin prerë rrugën dhe e detyruan ministrin e brendshëm turk, të nënshkruante vendimin(fermanin) për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe.....(,Dr. Masar Rizvanolli "Zhvillimi i arsimit shqip në Gjakovë deri më 1918" gjakovapress 6 mars 2014)

Ndërsa në muajt prill e maj të vitit 1912, të gjitha krahinat shqiptare, nisën Lidhjen e Besës ndërmjet veti, për përgatitjen sa më efektive të Luftës së Përgjithshme Kombëtare për çlirim, e cila pritej në çdo çast të fillonte.

Në vazhdën e këtyre përgatitjeve, në prill të vitit 1912, Bajram Daklani në krye të bashkëluftëtarëve nga Krasniqja, Hasi dhe Reka, sulmoi Gjakovën.

Aksioni i tij, detyroi turqit që përveç grumbullimit të trupave nga rajoni edhe Korparmata e shtatë e trupave osmane, nga Ferizaj, të nisej drejt Gjakovës.

Kjo strategji rezultoi tejet e suksesshme dhe krijoi kushtet të përshtatshme për mbajtjen e Kuvendit të Junikut, në të cilin morën pjesë përfaqësues më rëndësi nga të gjitha trevat, dhe shpallën aktin historik të Kryengritjes së Përgjithshme Kombëtare për çlirimin e Shqipërisë etnike.
(https://kk.rks-gov.net/gjakove/City-guide/History.aspx

Kuvendi i Junikut

Fakti se edhe në grahmat e fundit të jetës së saj në Ballkan, Perandoria otomane dhe qeveria xhonturke ende mohonin me këmbëngulje ekzistencën e popullit shqiptar, refuzonin të drejtën e kombit tonë për arsim, ndalonin shkollat në gjuhën shqipe dhe nuk lejonin as krijimin e shtetit autonom shqiptar, qoftë edhe në kuadër të Perandorisë, siç ishte vepruar më parë nga vet kjo kreaturë aziatike edhe me shtetet tjera ballkanike, para se ato të arrinin pavarësinë e plotë, detyroi deputetët shqiptar që gjendjen e tensionuar në terren, nga arenat e luftës në atdhe, ta bartnin në Parlamentin e tensionuar perandorak otoman

Më 11 janar të vitit 1912,mbahej seanca e tretë e Parlamentit turk, kur në emër të 25 deputetëve bashkëkombës dhe gjithë popullit shqiptar, fjalën do ta merrte deputeti më trim dhe përfaqësuesi më i guximshëm nga trojet shqiptare, heroi Hasan Prishtina.

Ai me vendosmëri të pa parë deri atëherë, do të deklaronte: Nëse edhe kësaj radhe nuk do të merren parasysh kërkesat tona të drejta kombëtare, si: përdorimi i lirë i gjuhës shqipe, njohja e kombit dhe pranimi i shtetit të njësuar autonom shqiptar në trojet e tij etnike, në kuadër të Perandorisë, unë jam i pari ,ai që do ta marr flamurin e lirisë në dorë dhe ti prijë popullit tim në luftën për çlirim nga Perandoria osmane.

Megjithatë, qeveria turke, përkundër të gjitha thirrjeve dhe përpjekjeve, jo vetëm se vazhdonte të refuzojë me këmbëngulje çdo kërkesë të shqiptarëve, por ajo ndërmori hapa edhe më radikal, duke ua ndaluar atyre edhe me ligj , që ta quanin veten shqiptar, madje dënonte në mënyrën më të rëndë secilin bashkëkombës tonin, që guxonte ta quante veten të tillë, ashtu siç në fakt edhe ishte.

Kështu që Hasan Prishtinës dhe bashkëkombësve të tij, nuk u mbeti më asnjë rrugëdalje tjetër, përveçse përfundimisht të kapnin armët për liri dhe çlironin me luftë të organizuar trojet e veta kombëtare.

Ndaj, nga Stambolli, ai do të kthehej me urgjencë në atdhe, ku pas përgatitjeve të gjithanshme, me mbështetjen e fortë të gjeneralëve të tij më të dalluar si Bajram Curri, Isa Buletini, Bajram Daklani, Zeqir Halili etj. nga 21 deri më 25 maj 1912, në praninë e 250 delegatëve të mbledhur nga të gjitha krahinat shqiptare, do të mbante Kuvendin e Junikut, në të cilin u mor vendimi historik për shpalljen e Kryengritjes së Përgjithshme Kombëtare.

Heroi i kombit, Hasan Prishtina si ideolog dhe udhëheqësi kryesor i saj, përgatiti edhe planin operativ të Kryengritjes, i cili parashihte që kundër forcave pushtuese turke, në Kosovë të hapeshin katër fronte lufte:

1.Fronti i Dukagjinit që do të udhëhiqej nga Bajram Curri, Bajram Daklani dhe Hasan Ferri i Plavës etj.
2.Fronti i Drenicës nga Hasan Prishtina e Ahmet Delia i Prekazit
        3.Fronti i Kosovës verilindore nga Isa Buletini e Nazmi Gafurri
4.Fronti lindoro-perëndimor nga Idriz Seferi dhe Mehmet Deralla

Ndërsa operacionet luftarake nisën menjëherë pas miratimit të vendimeve të Kuvendit të Junikut, kështu që nga muaji-Maj, deri në fillim-gushtin e vitit 1912, forcat kryengritëse çliruan vendbanimet kryesore shqiptare dhe qytetet më të mëdha të Kosovës.

Kurse, më 4 gusht të atij viti, mbi 30 mijë kryengritës shqiptar do të marshonin nga të gjitha anët në drejtim të Shkupit, të cilët fillimisht u grumbulluan në Ferizaj.

Më 6 gusht 1912, aty u mbajt edhe një Kuvend konsultues i udhëheqësve kryesor të Kryengritjes, me ç`rast Riza bej Kryeziu, turkofil i përbetuar dhe baba i tradhtarit Cena beg Kryeziut-vrasësit të Bajram Currit, edhe një herë kundërshtoi ashpër idenë e Hasan Prishtinës për Pavarësinë e Shqipërisë, megjithëse e sëmura e Bosforit, siç quhej aso kohe Perandoria otomane, tanimë numëronte ditët e fundit në Ballkan.

Për ti mënjanuar përçarjet ndërmjet prijësve të Kryengritjes, Hasan Prishtina u detyrua, që pa dëshirën e tij, vendimet e Kuvendit të Junikut për Pavarësi, ti "modifikonte" përkohësisht, në një kërkesë prej 14 pikash-për autonomi, që në histori do të njiheshin si ”14 pikat e Hasan Prishtinës”.

Më 9 gusht të vitit 1912, Prijësit e Kryengritjes së Përgjithshme, i dorëzuan Memorandumin e fundit, komisionit të qeverisë perandorake turke, me një ultimatum prej 48 orësh, për aprovimin e kërkesave të shqiptarëve për autonomi, para se ata, ta çlironin Shkupin, ish kryeqytet i vilajetit të Kosovës.

Ngritja e Flamurit Kombëtar në Shkup nga Bajram Daklani

Qeveria osmane edhe pas kalimit të afatit të parashtruar, nuk mori mundimin tu kthente asnjë përgjigje kryengritësve shqiptar, madje as në kërkesën e "tyre" për autonomi në kuadër të Perandorisë otomane, ajo nuk u përgjigj fare.


Kështu që me urdhër të Bajram Currit, kryekomandantit të forcave të Kryengritjes së Përgjithshme, më 11 gusht nga Gjakova në Ferizaj do të mbërrinte Bajram Daklani me luftëtarët e tij.

Ai, përveçse ishte udhëheqës i kryengritësve nga Krasniqja, Hasi e Reka dhe bënte pjesë në grupin e prijësve madhor të Kryengritjes së Përgjithshme Kombëtare, ishte edhe njeriu më i  besueshëm i Bajram Currit.

Ndaj, Plaku i Maleve, zgjodhi pikërisht Bajram Daklanin të vendoste në krye të 200 luftëtarëve më të mirë, pajisi atë me një Flamur të Madh Shqiptar dhe i besoi detyrën e shenjtë që të hynte si pararojë e kryengritësve në Shkup dhe ngrinte i pari Flamurin Kombëtar mbi ish kryeqytetin e Kosovës.

Siç shkruante asokohe edhe gazeta “Shkupi” e datës 19 gusht të vitit 1912, pikërisht ashtu edhe ndodhi dhe më 12 gusht të atij viti, Bajram Daklani me 200 bashkëluftëtarë, nga Ferizaj do të futej triumfalisht në kryeqytet ku pas 500 vjetësh sundimi turk, ai i pari do ta ngrinte lart dhe me krenari, Flamurin Kombëtar të fitores mbi Shkupin e çliruar.

Po-ashtu, gazeta ”Shkupi” e të njëjtës datë,19 shtator 1912, në njoftimin mbi radhitjen, e hyrjes së forcave kryengritëse shqiptare në Shkup, shkruan dhe vërteton edhe një herë se i pari ishte: ”Bajram Daklani me 200 pushkë, Bajram Curri me 5000 pushkë; Isa Boletini me 3000 pushkë; Ahmet beu nga Kumanova me 1000 pushkë etj.

Shkëlqimi i emrit dhe veprës së Bajram Daklanit, ngritjen e tij në legjendë të kryengritjes dhe ngjitjen mitike në piedestalin e heronjve të kombit, do ti arrinte pikërisht me aktin historik të 12 gushtit të vitit 1912, ditën kur ai triumfalisht ngriti Flamurin Shqiptar në Shkup, kryeqendrën e Vilajetit të Kosovës.


Por, fatkeqësisht si çdo gëzim i shqiptarëve që qysh nga koha e Skënderbeut më nuk zgjaste shumë, edhe gëzimi i përjetuar me çlirimin e Shkupit, ishte i jetëshkurtër ,ngase sipas Dr.Hakif Bajramit, vetëm tri dit pas valëvitjes së Flamurit Kombëtar, të ngritur nga ky hero në ish Kryeqytetin Dardan, pra më 15 gusht të vitit 1912, nga Beogradi në Shkup do të arrinin tre diplomat të lartë evropian me një ultimatum në dorë, me të cilin kërkonin çarmatosjen e menjëhershme të kryengritësve shqiptar.

Përveç çarmatosjes dhe dorëzimit të armëve ,ata kërkonin edhe demobilizimin pa kusht dhe kthimin e tyre nëpër shtëpitë e veta, me arsyetimin se , nga Fuqitë e Mëdha nuk do të pranohej ndryshimi i kufijve të Perandorisë otomane me forcën e armëve.

Të dëshpëruar tej mase me qëndrimin e atyre Fuqive dhe të zhgënjyer pafundësisht me tradhtitë e pareshtura të Perandorisë turke, Kryengritësit Kombëtar, për 4 ditë me radhë shpallën gjendjen e jashtëzakonshme në Shkup, dhe nuk tërhiqeshin prej andej, pa marrë garanci për mos-cenimin e trojeve të tyre si dhe përgjigjen definitive se-si do të vendosej për çështjen shqiptare dhe fatin e atdheut të tyre.

E vënë nën presion të madh nga kryengritësit, më 18 gusht të vitit 1912,nga Porta e lartë, më në fund do të arrinte përgjigja gjysmake e qeverisë perandorake turke, e cila megjithëse e vonuar, vërtetonte edhe një herë se otomanët ende nuk pranonin as kërkesën për autonomi të shqiptarëve në tërësi, por vetëm 12 nga 14 pikat e parashtruara prej Hasan Prishtinës.

Gjendja u acarua edhe më tepër, kur përveç ultimatumit të Fuqive të Mëdha, edhe forcat pushtuese serbe, arritën që të burgosnin Hasan Prishtinën, Idriz Seferin e ndonjë udhëheqës tjetër të shquar shqiptar, të cilëve u ishte thënë se për rrumbullaksimin e marrëveshjes, duhej të rrinin  edhe më tej në Shkup.

Ndaj kryengritësit kombëtar megjithëse të lodhur e të rraskapitur dhe të rrethuar nga të gjitha anët me armiq të cilët synonin hiq më pak se sa copëtimin e tërësishëm të tokave shqiptare dhe shuarjen e përhershme të Shqipërisë nga harta e Ballkanit dhe Europës, nuk u dorëzuan as lanë luftën në gjysmë të rrugës, por nën udhëheqjen e patriotëve, Bajram Curri, Bajram Daklani, Isa Buletini etj., ata vazhduan rezistencën kombëtare, si ditën dhe mundën deri në shpalljen e mëvetësisë së Shqipërisë.

Vetëm me përpjekjet e pareshtura e vetëmohuese dhe sakrificat mbinjerëzore të tyre, ata arritën ti largonin përfundimisht pushtuesit otoman nga trojet shqiptare dhe krijuan mundësinë që më 28 Nëntor 1912,përfundimisht të shpallej Pavarësia e Shqipërisë!

Nuk vonoi shumë dhe u mblodh edhe Konferenca e Ambasadorëve në Londër, e cila më 22 mars të vitit 1913, shënoi kufijtë aktual, ndërsa më 29 korrik të atij viti, vendosi përfundimisht, vetëm për njohje të pjesshme të tokave shqiptare si Shtet të Pavarur Kombëtar, duke lënë kështu jashtë kufijve të Shqipërisë londineze, mbi gjysmën e trojeve etnike shqiptare, përfshi edhe Kosovën e Çamërinë  të cilat u copëtuan edhe më tej, pa asnjë mëshirë nga pushtuesit ballkanik, aneksuan me dhunë dhe ranë nën pushtimin e egër të shteteve hegjemoniste fqinje, si Greqia dhe Serbia.

Ndaj si për shumicën e patriotëve të shumëvuajtur shqiptar nga Kosova, edhe për heroin Bajram Daklani, lufta e pandërprerë për çlirimin e atdheut, vijoi deri në vdekje dhe shuarjen e tij fizike.


Shpërthimi i Kryengritjes në Malësi

Nga fundi i shtatorit të vitit 1913,nuk ishin më vetëm Kosova dhe viset tjera shqiptare, që ranë nën pushtimin sllav dhe vuanin nga agresioni serbo-malazez, por ishte pushtuar edhe Malësia  në të cilën gjendja e shqiptarëve ishte rënduar aq shumë sa që nga represioni i pushtuesve serb, ata u detyruan që me gra e fëmijë ,ti linin shtëpitë dhe iknin nëpër male.

Kështu që u detyruan ti bënin thirrje Bajram Currit, të kthehej nga Shkodra dhe organizonte kryengritjen e armatosur në Malësi, kundër pushtuesve serbo-malazez të cilët terrorizonin shqiptarët në vatrat e veta stërgjyshore.


Luftimet atje, jo vetëm se u përhapën shpejt e me vrull në të gjithë Melësin, por dhe u zhvilluan aq beteja të ashpra e të përgjakshme, sa që sipas gjeneralit serb Sava Llazaroviç, apo siç njihej në popull Savë Batarja- epitet të cilin ai e kishte “fituar” nga kërdia e bërë mbi popullsinë civile shqiptare në Kosovë, dhe gjeneralit malazez Radomir Veshoviç i cili në pak më shumë se 6 muaj, vrau tre heronjtë kryesor shqiptar, duke likuiduar qysh në orët e hershme të mëngjesit të 15 korrikut 1915 Çerçiz Topullin, mbas-ditën e të njëjtës datë, masakroi edhe Mehmet Shpendin, kurse më 23 janar 1916,eleminoi Isa Buletinin me djemtë dhe nipat e tij-, që të dy këta gjeneral famëkëqij të armikut, kërkuan të rrisnin numrin e ushtarëve serbo-malazez në 12 mijë trupa, me shpresën që ti përballonin sulmet e kryengritësve shqiptar.

Beteja për mbrojtjen e Flamurit

Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore dhe tërheqjes së forcave Austro-Hungareze, nga trojet shqiptare, të trimëruar nga "Traktati i fshehtë i Londrës, i 26 prillit të vitit 1915, i cili parashihte copëtimin definitiv edhe të asaj pak Shqipërie që kishte mbetur nga njohja ndërkombëtare e para dy viteve në Konferencën e Londrës (më 1913) si Shtet i Pavarur, në verën e vitit 1919, forcat italiane pushtuan Shqipërinë deri në fshatrat e para të Kukësit dhe anën jugore të lumit Drin, kurse forcat pushtuese serbe përveç Kosovës okupuan dhe Shqipërinë Veriore deri në brigjet e epërme të këtij lumi.

Me ripushtimin e vendit nga ushtritë e huaj, Komiteti për Mbrojtjen e Kosovës, krijuar në ilegalitet më 1 Maj të vitit 1918,për mbrojtjen e tokave të shtetit të pavarur shqiptar dhe çlirimin e Kosovës nga Serbia, i shpallur edhe publikisht më 7 nëntor të atij viti dhe vendosur në Shkodër, do të ftonte Bajram Daklanin, si njërin nga udhëheqësit kryesor të "Komitetit për çlirim" që ai me çetën e tij të vendosej në Vaun e Spasit, si pikën më strategjike që lidh rajonin e Kukësit, Pukës dhe Mirditës.

Bajram Daklani ishte i njohur në këto anë edhe më parë, ngase ai edhe gjatë kryengritjes antiosmane të vitit 19911,kishte luftuar për çlirimin e atyre vendeve nga Perandoria turke. Ai për luftën e tij të pakursyer dhe kontribut të shquar kombëtar, qysh atëherë ishte emëruar edhe udhëheqës i postës së xhandarmërisë, pikërisht në Vaun e Spasit.

Ndaj, para se forcat pushtuese italiane dhe ato okupatore serbe të pushtonin edhe atë pikë nevralgjike, me udhëzimin e “Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Kosovës”, Bajram Daklani me disa bashkëluftëtar do të vendosej në Vaun e Spasit, ku kishte ngritur edhe Flamurin Kombëtar, i cili vetëm aty, ende valonte i lirë.

Por, sipas shkrimeve të gazetës “Populli” që asokohe botohej nga Salih Nivica në Shkodër, qetësia zgjati vetëm deri më 24 korrik të vitit 1919,ditë kur forcat pushtuese italiane, i dërguan heroit një ultimatum të rreptë, që menjëherë ta dorëzonte pikën të cilën e mbante dhe largohej me bashkëluftëtarët e tij nga Vau i Spasit.

Bajram Daklani, kishte vetëm 10 bashkëluftëtar, por  trima e atdhetar të flakët dhe kryengritës të përbetuar për jetë a vdekje, të cilët donin dhe dinin ti mbronin në mënyrën më të mirë tokat e Shqipërisë dhe Flamurin Kombëtar, kështu që pa menduar gjatë, ata hodhën poshtë me përbuzje, ultimatumin e pushtuesve italian.

Ndaj, forcat pushtuese italiane që ishin të shumta, të bindur se një numër kaq të vogël mbrojtësish shqiptar do ta mposhtnin lehtë e shpejt dhe pa mundime të mëdha, qysh në orët e hershme të paradites filluan sulmet e ashpra me të gjitha llojet e armëve, mbi luftëtarët dardan, me dëshirën për ta pushtuar ushtarakisht Vaun e Spasit dhe larguar me forcë prej andej mbrojtësit dardan dhe Flamurin Shqiptar.

Por, megjithëse beteja zgjati deri në orët e mbrëmjes dhe goditjet me predha e mitraloz të rëndë nga forcat e ushtrisë  italiane vazhduan pareshtur gjatë gjithë ditës, "10 komitët”- trima të Kosovës së robëruar me në krye Bajram Daklanin, nuk lejuan për asnjë moment, që për gjallje të tyre të zbrapseshin e pushtohej Vau i Spasit dhe as të binte simboli i shqiptarizmit, para se ata të vdisnin.

Kështu që, edhe pse i tejshpuar nga plumbat e armikut, Flamuri Shqiptar edhe pas betejës gjithë-ditore, vazhdonte të qëndronte lartë dhe të valëvitej krenar e i pamposhtur, mbi kokat e mbrojtësve të vet trima dhe luftëtarëve të paepur të kombit.

Madje, vendosmëria e heroit Bajram Daklani dhe bashkëluftëtarëve të tij, detyroi ushtrinë italianë që jo vetëm të  tërhiqej me turp nga afërsia e brigjeve të lumit Drin, por edhe të zmbrapsej shumë më poshtë dhe vendosej tejet larg nga posta e Vaut të Spasit.

Qëndresa historike e 24 korrikut të vitit 1919,nuk ishte beteja e parë as heroizmi i fundit i Bajram Daklanit.
Ai, do të shënonte kushedi edhe sa e sa  legjenda e kronologji të tjera trimërie edhe më magjike, të cilat jo vetëm se do të rrezatonin kudo dinjitet luftarak e patriotizëm të lartë si dhe atdhedashuri shembullore por edhe e vendosnin atë përjetësisht në piedestalin e elitës së personaliteteve më të mëdha kombëtare.

Vijimi i rezistencës në Kosovë

Fatkeqësisht e ashtuquajtura Konferenca e Paqes,(18-21 janar 1919), në Paris edhe pas Luftës së Parë Botërore, la Kosovën përsëri nën pushtimin serb, mbi tokat e të cilës menjëherë pas ri-okupimit të saj në vjeshtën e vitit 1918, filloi sërish terrori i pafund shtetëror i Serbisë për shkombëtarizimin e detyruar të të gjithë shqiptarëve.

Më 1919, në emër të "reformës agrare" Serbia nisi tu merrte tokat atyre, kurse nga 1920,ajo filloi edhe zbatimin e kolonizimit të Kosovës me ardhacak serbo-malazez si dhe dëbimin me dhunë të shqiptarëve nga trojet e veta.

Mospajtim me Konferencën e Versajës

Në Ballkan e më gjerë, sa vuanin shqiptarët në trojet e veta të pushtuara nga shtetet hegjemoniste fqinje të cilat synonin shfarosjen e tyre, nuk kishte edhe një komb tjetër të vuante si ata, në cilëndo pjesë të Evropës.

Kështu që veçanërisht shqiptarët, nuk kishin assesi, se si të pajtoheshin me aktet e padrejta të konferencës së Versajës, të cilat edhe pas Luftës së Parë Botërore, lanë përsëri popullin dhe trojet tona të ndara dhe nën okupim të huaj.

Madje, siç ishin të papranueshme për shqiptarët aktet e njëanshme të kësaj Konference, me to nuk u pajtuan edhe disa popuj të tjerë si dhe udhëheqësit me rëndësi të tyre, në mesin e të cilëve ishte edhe intelektuali, letrari dhe ushtaraku i shquar italian, Gabriele D’Annunzio (1863-1938).

Kështu që, sipas shënimeve të Eqrem bej Vlorës, në vëllimin e II-t, të kujtimeve të tij, botuar më 2001 në Tiranë, Gabriele D’Annunzio në vitin 1920, do të organizonte në Trieste të Italisë edhe një tubim të madh të të gjitha organizatave kombëtare, popujt e të cilëve kishin rënë nën pushtimin jugosllav, dhe ishin të gatshëm të luftonin për çlirimin e tokave të tyre nga ky shtet okupues.

Ndaj, me pëlqimin e Bajram Currit dhe vendimin e "Komitetit të Kosovës", përfaqësues të shqiptarëve në konferencën e lartcekur, do të dërgoheshin pjesëtarët e këtij komiteti, si nipi i Sylejman Vokshit, Beqir Vokshi dhe heroi Bajram Daklani i cili do të mbante edhe një fjalim të ashpër mbi shkeljet e rënda të të drejtave të shqiptarëve nga pushtuesit sllavo-grek.

Në këtë konferencë, Gabriele D’Annunzio, i tronditur nga vuajtjet e shqiptarëve nën okupim,i premtoi delegacionit të tyre, se kryengritësve të Kosovës, pa vonuar ,do t`ua dërgonte një anije me armatim e municione, në mbështetje të luftës së drejtë që ata bënin, për çlirimin e vendit të vet nga sllavët. (Eqrem bej Vlora, Kujtime, vëllimi II, SHLK, Tiranë 2001)


Ishte koha kur Populli Shqiptar i Kosovës, kryengritjen e filluar nga viti 1919,të udhëhequr nga Azem Bejta, Bajram Daklani e Sadik Ramën, me vendim të Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës, vazhdonte ta rriste e zgjeronte gjithandej Kosovës, duke ngritur në këmbë mese 10 mijë luftëtar, vetëm në Drenicë e Rrafsh të Dukagjinit.

Bajram Daklani si njëri nga udhëheqësit kryesor të "Komitetit për Çlirim", dhe prijës i krahut të armatosur të "Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Kosovës", me çetën e vet, koordinonte veprimet kryengritëse me Azem Galicën, dhe Sadik Ramën, duke u angazhuar kudo që e kërkonte nevoja kundër forcave pushtuese serbe në Kosovë dhe trojet tjera të pushtuara shqiptare, që nga Hasi e Anadrinia deri në Llapushë e Drenicë.

Ato vite banorët vendor shqiptar, përjetonin vuajtjet më të mëdha nga xhandarmëria serbe dhe kolonët serbo-malazez, të cilët të nxitur nga okupatori, përveç marrjes me forcë të tokave të tyre, herë pas here, organizoheshin në grupe të mëdha dhe sulmonin shqiptarët autokton edhe nëpër shtëpitë e veta.

Në mënyrë që tua bënin shqiptarëve jetën edhe më të pamundur dhe dëbonin ata me dhunë e presione banditeske nga trojet e tyre autoktone, serbët organizonin edhe sulme kudo në Anadrini, e veçanërisht në fshatin Krushë, të njohur tanimë për masakrat çnjerëzore të forcave pushtuese serbe mbi popullsinë e pambrojtur civile, sidomos gjatë luftës së vitit 1999, kur çetnikët vranë dhe dogjën për së gjalli, qindra gra e fëmijë të pafajshëm, vetëm pse ata ishin shqiptar.

Krusha e vogël, por edhe ajo e madhe, gjithmonë ishin dhe mbetën lakmi e pushtuesve serb, si për faktin se që të dyja ishin të banuara plotësisht me shqiptar, ashtu edhe për arsyen se ato posedojnë tokë shumë prodhuese si dhe ndodhen njëra pas tjetrës, në pozita tejet të lakmueshme strategjike, buzë rrugës Gjakovë Prizren.

Ndaj kur banorët e pambrojtur shqiptar, binin pre e sulmeve të grupeve çetnike serbe, Bajram Daklani me bashkëluftëtar, i cili asokohe qëndronte më tepër në Has dhe Anadrini (Radostë),pa vonuar u vinte atyre në ndihmë.

Madje përkundër pranisë së okupatorit dhe numrit të madh të forcave pushtuese serbe,falë patriotëve të shquar si Bajram Daklani e Azem Bejta, luftëtarët e "Komitetit për Çlirim" të cilët atdheun e donin më shumë se jetën, edhe atëherë vepronin kudo dhe në tërë Kosovën.

Ndërsa në fund të korrikut të vitit 1920,kur trupat e Mbretërisë Serbo-Kroato- Sllovene sulmuan në drejtim të Shkodrës dhe pushtuan Kastratin, luftimeve kundër agresorëve sllav, të cilave u printe Bajram Curri, ju bashkua edhe Bajram Daklani me kryengritës nga Kosova, si dhe vullnetar nga Shkodra, Shqipëria e Mesme etj.

Zona e lirë e Junikut

Pas luftimeve të pareshtura dhe përpjekjet e pandalshme të kryengritësve shqiptar të Kosovës, me vendim të Fuqive të Mëdha, nga 9 nëntori i vitit 1921,u krijua Zona Neutrale e Junikut, si një territor i lirë që niste në Qafë të Morinës dhe përfundonte në grykën e Deçanit.

Kjo zonë përveç Junikut, përfshinte edhe fshatrat Mulliç,Batush,Brovinë,Ponoshec,Popoc, Babaj i Bokës,Shishman, Koshare, etj. ndërsa kryetar i saj ishte emëruar Beqir Vokshi, nip i kryekomandantit të forcave të Lidhjes së Prizrenit, Sylejman Vokshit të famshëm.
 

Pas ardhjes në jetë të kësaj zone, çetat kryengritëse, ditët më të vështira të dimrit i kalonin atje.

Ndërsa në Krumë ishte vendosur Prefektura e Hasit dhe Kosovës, ndaj kryengritësit e çështjes kombëtare  nga Kosova, dëshironin të punonin dhe vepronin të lirë edhe në Prefekturën e tyre, por që nuk e lejoi asnjëherë qeveria e Ahmet Zogut.

Madje, Muharrem Bajraktari si shef i xhandarmërisë dhe major Prend Jaku njëri nga oficerët më aktiv dhe i njohur për veprimtarinë e tij agresive kundër kryengritësve të Kosovës, në shërbim të të cilit, tanimë ishte vënë edhe Zefi i vogël, jo vetëm se përndiqnin këmba këmbës luftëtarët dardanë, por terrorizonin pa mëshirë dhe torturonin deri në vdekje, secilin banorë të Hasit, i cili guxonte ti mbante, vinte atyre në ndihmë apo edhe vetëm kontaktonte kryengritësit e Kosovës.

Krahas pushtetit të Ahmet Zogut dhe atij pushtues të Serbisë, në ndjekjen e kryengritësve kombëtar, tanimë ishin vënë edhe shumica e bajraktarëve dhe e bejlerëve të vendit.

Edhe ndonjë luftëtar i deridjeshëm i çetave kaloi në anën e Zogut. Kështu ndodhi edhe me trimin e njohur nga Mirdita, Zefin e Vogël, i cili që nga viti 1910 nuk e kishte lëshuar pushkën nga dora, në luftë kundër armiqve të ndryshëm. Tash u bë mik dhe shok i ngushtë i major Prenk Jakut, komandant në Krumë... https://www.facebook.com/255830334508735/posts/736118489813248

Për aq më keq, në një aksion të koordinuar në mes të forcave pushtuese serbe dhe atyre të udhëhequr nga Prend Jaku, në fund të janarit të vitit 1923, pas pak më tepër se dy vitesh ekzistence, trupat e Zogut, do të pushtonin Zonën e lirë të Junikut, kurse më 21 shkurt të vitit 1923,me pëlqimin e qeverisë së Ahmet Zogut, Zona Neutrale e Junikut, iu dorëzua përfundimisht okupatorit serb.

Që në fillim të operacioneve pushtuese, në përpjekje për mbrojtjen e saj, ishte plagosë edhe Hamdi Zajmi njëri nga bashkëluftëtarët e ngushtë të Bajram Daklanit.

Kurse, me të shkelur "Zonën e Lirë të Junikut" ,okupatori serb nuk zgjodhi më mënyrë as mjete për ti dëbuar, jo vetëm ndonjë nga kryengritësit e vetmuar që ende mund të kishin mbetur atje, por të gjithë shqiptarët atdhetar të kësaj treve liridashëse.


Ndaj edhe pse dimër e acar i madh, përkundër kushteve të rënda atmosferike, çeta e Bajram Daklanit me Hamdiun e plagosur, ishin detyruar të tërhiqeshin me shpejtësi në drejtim të Anadrinisë, për tu vendosur përkohësisht tek familja Domi në fshatin Radostë, ku Hamdiu e kishte të motrën të martuar.

Nga ngricat dhe të ftohtit e fund-janarit të vitit 1923, duke mos mundur të ecte dhe lëvizte, gjatë tërheqjes, Hamdiu i plagosur kishte pësuar edhe ngrirjen e këmbëve.


Haraçi i Gani Kryeziut

Pas okupimit të Zonës së Lirë të Junikut, Prefektura e pushtetit okupues serb në Kosovë, tanimë kishte shpallë vendimin për shuarjen e forcave kryengritëse dhe eliminimin e të gjithë udhëheqësve kombëtar, në brendi të Kosovës dhe jashtë saj.

Kështu që, jo vetëm mjekimi por edhe strehimi i thjeshtë i komitëve shqiptar, pa rënë në sytë e okupatorit, spiunëve dhe bashkëpunëtorëve të tij, ishin pothuajse të pamundura.

Luftëtarët kombëtar, nuk ishin të përndjekur vetëm nga pushtuesi, por edhe nga shërbëtorët e tij besnik,të cilët shpesh herë dinin të ishin edhe më të këqij se vet okupatori.

Megjithëse Hamdiu i plagosur kishte nevojë për mjekim urgjent, ai këtë nuk mund ta bënte ,ngase përderisa Cena beg Kryeziu me të vëllain Hasanin, përndiqnin kryengritësit e Kosovës në Shqipëri, vëllai i tyre, Gani bej Kryeziu, vazhdonte gjuetinë këmba këmbës, ndaj luftëtarëve të lirisë, në Kosovë.

Kështu që, shumë familje kryengritësish, në gjendje të tilla të jashtëzakonshme , për të shpëtuar familjarët e vet nga duart e pushtuesit dhe bashkëpunëtoreve të tij, detyroheshin që "begut-kryezi" ti paguanin haraq të rëndë, në mënyrë që bijtë e tyre të mos përndiqeshin edhe nga ai, para se ata ti kapte vet okupatori serb.

Të njëjtin fat, pati dhe përjetoi edhe Familja Zajmi nga Gjakova, e cila për shpëtimin e djalit të saj, luftëtarit dhe pjesëtarit të çetës së Bajram Daklanit, Hamdiut të plagosur ,ishte detyruar që të lidhte një marrëveshje tejet të kushtueshme me Gani beg Kryeziun.

....qe te mos ngucet ky grup, Shaban Zajmi ben marreveshje me Gani Beun ti paguaj nga nje sheke drithe ne dite per te ruajtuar vellaun dhe grupin e shokeve te tij. Per 90 dite deri ne sherimin e Hamdiut, Shaban Zajmi i jep Gani Begut vleren e 72 napoleonave.
Pjesë nga shkrimi i profesori Agim Zajmit, dërguar nga Tirana.

Por begu kryezi, nuk e donte drithin ,ai donte para të "thata", ndaj Shaban Zajmi,i vëllai i Hamdiut, ishte detyruar t`ia paguante me të holla të gjithë haraçin Gani bej Kryeziut.






Ndërsa në anën tjetër, Gani bej Kryeziu, njerëzve hallexhinj të cilëve u merrte paratë, përveç biznesit me fatkeqësitë që ata i kishte goditur e detyruar të trokisnin edhe në derë të hasmit e drejtoheshin atij për ndihmë, në këmbim të pagesës, ai i kushtëzonte edhe me "vendstrehimin" se ku "klientët" e tij duhej të rrinin, duke i shpërndarë tek "Jatakët", e  vet, me të cilët kishte marrëveshje, që kryengritësit të cilët ishin në gjendje të paguanin haraç, ti "strehonin" ndonjë ditë "dimri", gjë që shpesh atyre u kushtonte edhe me jetë.

Jatak* shprehje me të cilën pushtuesit serb emërtonin njerëzit që strehonin kundërshtarët e pushtetit, ("banditët") gjatë dimrit.

Kështu Gani beg Kryeziu, jo vetëm se mbante nën kontroll lëvizjen dhe vendqëndrimet e kryengritësve, jeta e të cilëve varej prej tij, por në bashkëpunim me jatakët e vet, ai për udhëheqësit më të shquar kombëtar, në ato vende përgatiste edhe fundin e tyre me tradhti.

Një përfundim të tillë të tmerrshëm e makabër, begu kryezi, kishte përgatitur në qetësi të trisht edhe Bajram Daklanit, të cilin, pas marrjes së parave nga Shaban Zajmi,ai e kushtëzoi që bashkë me Hamdiun dhe ndonjërin nga kryengritësit të strehoheshin "përkohësisht" në familjen Dobroshi, "Jataku" i begut, në Rogovë të Hasit, ku bashkarisht, ata edhe realizuan likuidimin e heroit.

Vrasja e Bajram Daklanit

Prijësi dhe kryengritësi i shquar kombëtar Bajram Daklani, u vra më 3 shkurt të vitit të 1923, mbrëmjen që ai me disa bashkëluftëtar, sipas marrëveshjes së arritur ndërmjet Gani bej Kryeziut dhe Shaban Zajmit sapo kishin mbërri tek dera e prapme e cila kishte dalje në kopsht dhe  përmes saj, bëheshin gati të hynin në oborrin e familjes Dobroshi,në Rogovë të Hasit.

Pa e ditur për tradhëtinë që u ishte përgatitur, shtëpinë e familjes Dobroshi, ata ende e mendonin si një vendstrehim të sigurt, siç u ishte thënë, të përkohshëm dhe kalimtar ,para se ata të merrnin rrugën drejt Pashtrikut, vend ku vetëm shqipet lindin dhe trimat e lirisë ndërtojnë foletë e qëndresës në lartësi aq të mëdha.

Ndaj të shtrënguar nga ngricat dhe acari i madh i dimrit, plagës së Hamdiut si dhe ndjekjes këmba këmbës nga pushtuesi serb,ata përfundimisht ishin detyruar, që sipas marrëveshjes me begun haraçegji, ti drejtoheshin shtëpisë së familjes "Dobroshi", pa u shkuar ndër mend se pikërisht aty ishte ndalesa e fundit për patriotin Bajram Daklani dhe pika fatale, nga e cila për heroin, më nuk do të kishte kthim prapa.



Rogova e ka prish Hasin

Deri atëherë, krahina e Hasit, siç dëshmohet edhe nga kronikat shekullore të kohës, që nga lashtësia, konsiderohej si treva më mikpritëse në rajon e më gjerë.

Kjo trevë tradicionalisht ishte vendi më i sigurt dhe oaza më e preferuar, për kryengritës e atdhetar të shumtë nga të gjitha trojet dhe konsiderohej vatër e besnikërisë së përhershme, në të cilën, deri më atë ditë, kurrë nuk kishte ndodhur që të ngitej a keqtrajtohej dikush, qoftë ai edhe një bari i thjeshtë bagëtish a udhëtar i largët e i panjohur, i rastësisë, e lëre më të vriteshin a lëndoheshin luftëtarët e lirisë dhe patriotët më të shquar kombëtar.

Në Has edhe në vitet më të vështira, kishin kaluar pa asnjë problem, qëndruar të sigurt dhe të mirëpritur e garantuar më sinqerisht se në cilindo vend tjetër, personalitetet më të larta kombëtare të kohës, nga Bajram Curri e Azem Bejta deri te Bajram Daklani, Sadik Rama e shumë të tjerë.

Aty deri me vrasjen e Bajram Daklanit, nuk kishte ndodhur asnjëherë  të tradhtohej a pritej kush në besë se lëre më të goditeshin edhe patriotët e kombit prapa shpine.

Por, ja që më në fund edhe në një skaj të Hasit, siç është  fshati Rogovë, mjerisht organet okupuese të Serbisë dhe këlyshët e Gani bej Kryeziut, kishin arrit të infiltronin spiunët e vet dhe krijonin bashkëpunëtorë besnik edhe aty, me të cilët, kishin përgatitur bashkërisht kurthin ogurzi, për eliminimin përfundimtar të prijësit dhe heroit të mirënjohur kombëtar, Bajram Daklanit.

Madje,ata kishin zgjedhur edhe shenjëtarët më të sprovuar, të cilët jo vetëm se u treguan aq të kujdesshëm sa që përveç likuidimit të heroit Bajram Daklani, të mos vrisnin as plagosnin askënd tjetër, por dhe të zhdukeshin ashtu siç kishin ardhë të "pa-emër" e të pa gjurmë, duke "humbur" si ti kishte lëshuar toka dhe mbetur të pa zbuluar asnjëherë.

Heroin Bajram Daklani, nuk e shpëtuan as marrëveshjet e arritura ndërmjet Shaban Zajmit, vëllait të Hamdiut të plagosur, me familjen Dobroshi, besa e dhënë rrejshëm dhe kanuni as tradita shqiptare, përkundër takimit të disahershëm dhe bisedave të stërgjata, për tu marrë vesh mirë e në detaje me të zotin e shtëpisë Dan Dobroshin dhe meshkujt e asaj familjeje, si për kohën kur Bajram Daklani të cilin ata e njihnin mirë, me Hamdiun e plagosur dhe pjesëtarët e tjerë të çetës së tij, do të arrinin atje, ashtu edhe për derën (e prapme) të cilën, sipas marrëveshjes ata ua kishin caktuar kryengritësve që ta përdornin për të hyrë në shtëpinë e dobroshëve.


Meqenëse marrëveshja ishte që kryengritësit në shtëpinë e familjes Dobroshi,"Jatakut" të lidhur këmbë e krye me kryezinjtë e Gjakovës, të shkonin pasi që të binte terri, kurse Hamdi Zajmi nuk mund të ecte dhe dera e vogël e cila lidhte kopshtin me oborr, ishte e ngushtë, Bajram Daklani që mbante pjesën e përparme të vigut, mbi të cilin ishte shtrirë Hamdiu i plagosur, me të kaluar kopshtin dhe afruar derës së prapme, ishte detyruar ta lëshonte vigun në tokë, për ta hapë atë pa zhurmë e me kujdes dhe bërë vend që ta fusnin Hamdiun me vig në oborr.

Por me tu futur vetëm me gjysmën e trupit të vet brenda në oborr, në përpjekje që ta vendoste derën si duhet, ende pa i dhënë afat që të ulej e kapte vigun, nga kulla u dëgjuan pushkët që shkrepën zjarr, të cilat të porositura enkas për ta vrarë  vetëm atë, qëlluan pikërisht mbi trupin shtatlartë të heroit, duke shpuar tej për tej, gjoksin e tij prej luani dhe lënë në vend të vdekur heroin Bajram Daklani.

Atentatorët e specializuar, me të parë trupin e tij, nuk i lanë më kohë as të ngrinte vigun nga toka, ngase kjo dhe ishte mënyra më e sigurt, që pushkët e tyre të mos dëmtonin askënd tjetër, dhe të vrisnin vetëm këtë Burrë të Kombit.

Ndaj, megjithëse ata vepruan ashtu siç ishin dakorduar, të "siguruar" edhe me "garanci" dhe premtimet me "Be e Rrfe" nga "dobroshët" përsëri ndodhi ajo që nuk do duhej dhe kështu u shua edhe një pushkë e lirisë, prijës e kryengritës i dëshmuar dhe shpresë e fortë e shqiptarëve të robëruar.

Nga ajo ditë, jo vetëm se u pikëlluan bashkëkombësit kudo, por më shumë se të gjithë, u dëshpëruan e zhgënjyen "për të hy në tokë-për së gjalli" vet banorët hasjan.

Për herë të parë në historinë e kësaj treve, po ndodhte diçka e padëgjuar në anët e Hasit. U pre në besë njëri prej patriotëve më të shquar shqiptar dhe vra me tradhti një nga heronjtë më të njohur, të kombit!
U thye tradita qindravjeçare hasjane e besës dhe mikpritjes, lartësuar në histori dhe njohur e pranuar në të gjitha anët kudo flitet dhe jetohet shqip.

Kështu, përfundimisht, në të gjithë fshatrat e kësaj treve, u përhap fjala, se me atë ditë-Rogova e prishi Hasin!.

E prishi Besën, e cila deri në këtë ngjarje tragjike, veçantë në Has, ishte e shenjt dhe e paprekshme, trevë ku nuk kishte ndodhur kurrë që të vritej asnjë shqiptar pas shpine, e lëre më të likuidohen me tradhti edhe patriot e heronj të rangut të Bajram Daklanit.

Madje,jo vetëm që nuk ishte vrarë njeri i gjallë në oborr a shtëpi hasjane, por një akt i tillë makaber nuk kishte ndodhur as në ara, male as luadhe të Hasit.

Ndaj qëkur u vra Bajram Daklani me tradhti në Rogovë, shprehja "Rogova e ka prish Hasin" u bë shprehje popullore e cila në këto anë, tradicionalisht tash e atëherë,përdoret si shprehje më dëshpruese edhe për ngjarje të tjera, të cilat edhe nëse dallojnë nga rasti në fjalë, mjafton që ato, të mos përkojnë plotësisht me qëndrimet e trevës hasjane.

“Është mjaft enigmatike vrasja e Bajram Daklanit dhe tentim vrasja e grupit të Hamdi Zajmit, thotë nipi i Hamdiut Naim Zajmi në një koment të tij. Pse Dobroshi gjuan pa paralajmërim kur e dinte se atë nate do të vinin mysafirët me Bajram Daklanin”, citon komentin e kusheririt të tij-Naimit, profesori i historisë, z.Agim Zajmi, i cili jeton në Tiranë.

Kurse vrasjen e heroit pa paralajmërim nga familja Dobroshi , e trajton edhe Shkelzen Zajmi, specialist i rëntgenologjisë nga Gjakova,i cili shton se paraardhësit e tij dhe të familjes Zajmi nuk e falën gjakun e Bajram Daklanit, madje aktin e ndodhur e konsideruan si prerje në Besë, dhe për këtë shkak, me familjen Dobroshi do të ngelnin, për dhjetëra vite në gjak ndërmjet veti.


Zhdukja e eshtrave të heroit Bajram Daklani

Pas vrasjes së Bajram Daklanit, nga dëshprimi asnjëri nga pjesëtarët e çetës së tij, nuk kishte pranuar të hynte më në shtëpinë e familjes dobroshi.

Bashkëluftëtarët e mbetur të çetës së Bajram Daklanit, Hamdiun e plagosur do ta vendosnin në shtëpinë e familjes Zajmi në fshatin Fshej, ku ata kishin edhe tokat e veta, kurse kufomën e Bajram Daklanit, do ta dërgonin në drejtim të fshatrave të Hasit, sa më afër kufirit shqiptaro-shqiptar.

Sipas asaj që pasardhësit e familjes Zajmi kanë mund të marrin vesh, dhe fjalëve të dëgjuara nga njerëzit e vjetër të këtyre anëve, edhe pse sot me saktësi të plotë nuk mund të thuhet, pasi që eshtrat e heroit tash e atëherë mungojnë, Bajram Daklani, besohet se u varros pak mbi fshatin Smaq dhe anën e majtë të lagjes Halilaj, rreth një kilometër në brendësi të rrugës kryesore që lidh fshatrat e Hasit, në pjesën e mbuluar me drunjë të rrugës transite që njihet si "Rruga e Demjanit", vend i cili edhe sot përdoret për varreza.

Të vetëdijshëm se pushtuesit as të vdekur nuk do ta linin të pushonte i qetë, varrimi i heroit ishte krye në fshehtësi të madhe dhe nën errësirën e thellë të pas mesnatës, në mënyrë që vendi ku ai prehej në amshim, të mos binte në sy të armikut.

Por megjithatë, siç duket pa kaluar shumë kohë, mercenarët e Gani beg Kryeziut, do ta hetonin vendvarrimin e tij dhe për ta vrarë edhe për së vdekuri heroin, ata do të vepronin njëjtë me trupin e tij, ashtu siç veproi edhe Serbia me të vrarët për liri dhe çlirim të Kosovës, duke bërë edhe këta zhvarrosjen e kufomës dhe humbjen e përhershme edhe të eshtrave të luftëtarit dhe prijësit kombëtar Bajram Daklanit.

Dimri i gjatë dhe rënia e herë pas hershme e borës, duket tu ketë ndihmuar renegatëve, që ta zhvarrosnin trupin e pajetë të këtij udhëheqësi të mirënjohur, gati pa u hetuar, të cilët me dheun e shprishur dhe grumbullimin e borës mbi vendvarrimin e tij, do të lenin një si varr të improvizuar, që përkohësisht dhe nuk do të hetohej lehtë, as kuptohej shpejt se nga bashkëpunëtorët e Serbisë edhe diçka antinjerëzore kundër heroit shqiptar, përsëri ishte vepruar.

Në anën tjetër, asokohe as që guxonte kush të pyeste hapur, se ku mbet dhe ç`ndodhi me trupin e një luftëtari e udhëheqësi kombëtar si Bajram Daklani të cilin pushtuesi serb e kishte halë në sy, ngase pyetje të tilla njerëzve në ato vite të rënda u kushtonin me jetë, nga strukturat e okupatorit të egër serb.

Kështu që, me shkrirjen e borës dhe ardhjen e Pranverës, edhe dheu i shprishur, pothuajse do të njëjtësohej me tokën përreth dhe përveç zhdukjes së eshtrave, do të shuheshin përgjithmonë edhe gjurmët e varrit të shpërfytyruar të të këtij heroi.

Ndaj, përveç likuidimit me tradhti, të njërit nga prijësit më të shquar kombëtar të "Komitetit për çlirim" që ende vepronte në Rrafshin e Dukagjinit dhe Kosovën kudo, megjithëse bashkëluftëtar dhe dashamirë të shumtë, kushedi sa e sa herë më kot kishin kërkuar dhe provuar ta gjenin vendin ku pushonin eshtrat e atij trimi, nga atëherë e deri më sot, ende nuk dihet asgjë dhe thuhet se nuk u gjet kurrë asnjë gjurmë e trupit të heroit Bajram Daklani.

Kështu më 3 shkurt të vitit 1923,në Rogovë të Hasit, nga plumbat e tradhtisë, ndaluan përgjithmonë hapat e këtij burri, duke renë për të mos vdekur kurrë, në kohën kur mosha e tij nuk kishte arrit as në të 50-t, e jetës dhe pritej të bënte ende shumë për lirinë e atdheut dhe popullin e  robëruar shqiptar.

Pra, ai do të vritej barbarisht, jo nga serbët as Serbia, por nga shqiptarët e shitur dhe tradhtarë, të cilët atëherë dhe sot, sikur ende janë me bollëk, aty dhe vendet tjera kudo.

Në këtë mënyrë dhe nga njerëz të tillë, do të shuhej përgjithmonë pra edhe njëri nga prijësit më të shquar kombëtar, që pati Kosova dhe Shqipëria etnike, duke e pakësuar kështu edhe për një më tepër, numrin e trimave të mbetur ,historikisht më të dëshmuar dhe institucionalisht më meritorët për tu dekoruar me mirënjohjet më të larta kombëtare, për kontribut të shquar, nga Shteti Shqiptar.

Ai, ishte njëri nga ata, të cilët ditën të luftonin në çdo vend e kohë dhe kundërviheshin cilitdo armik a agresor sado të tërbuar që mund të ishin ata, gjatë gjithë kronologjisë së periudhave më të vështira nëpër të cilat kaloi populli ynë, gjatë përpjekjeve për lirinë dhe çlirimin e tij.

Dekorimi i Bajram Daklanit

Sakrificat e mëdha dhe të gjithanshme atdhetare, të heronjve si Bajram Daklani me shokë, bënë që edhe pas epokës së Skënderbeut dhe në vitet më të vështira për liri e çlirim të vendit,emri i popullit tonë përsëri të lartësohet, të madhërohet historia shqiptare dhe të rritet e përjetësohet deri në pafundësi, shkëlqimi rrezatues i flamurit kombëtar.

Veprimtaria patriotike e BAJRAM DAKLANIt, u përket dy shekujve të lavdisë më të madhe kombëtare dhe periudhave më të rëndësishme historike, të para dhe pas mëvetësisë së Shqipërisë, përpjekjet mbinjerëzore të të cilit, për zgjidhjen e çështjes shqiptare, në zemrën e kombit, nuk shuhen as vjetrohen kurrë.

Lufta dhe kontributi i pazëvendësueshëm gjithëkombëtar i Bajram Daklanit, kudo në trojet tona etnike, bënë që ai si prijës i shquar, nga ministria e mbrojtjes së Republikës të Shqipërisë, të nderohej me medaljen më të lart të Atdheut, si dhe emri i tij, të shkruhej me germa të arta në lartësitë kulmore të Historisë së Popullit Shqiptar.

Heronj të tillë edhe pas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, të cilat përkundër shpalljes së Pavarësisë kombëtare, lanë pa të drejtë Kosovën e Çamërinë dhe viset e tjera etnike, jashtë kufijve të Shqipërisë londineze, bënë që përpjekjet historike shqiptare të nisura, që nga Lidhja e Prizrenit, të mos ndalen, por të vijojnë edhe më tej për liri dhe bashkim kombëtar.

Burrat si Bajram Daklani, mbetën gjithmonë ushtar besnik dhe kryengritës të pa lodhur të atdheut, të cilët luftuan me vendosmëri edhe për ruajtjen e tokave të shtetit të pavarur shqiptar, çlirimin e Kosovës e trojeve tjera etnike nga pushtimet e huaja dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë.

Përkundër faktit se ai nuk pati as fëmijë dhe rriti vetëm një vajzë, të falur nga i vëllai Emini, sa për ta thirrur edhe atë dikush "baba", heroi Bajram Daklani , si atdhetar i flakët dhe kryengritës stoik që ishte, megjithëse pa trashëgimtar fizik, që do të mund ta vazhdonte rrugën e tij patriotike, ai asnjëherë nuk e ndali luftën për lirin e atdheut dhe bashkimin e trojeve shqiptare që nga vitet e hershme të rinisë, duke sakrifikuar gjithçka për çlirim dhe unitet kombëtar deri në momentin tragjik kur dhe u vra tragjikisht me tradhti.



Zyhra Daklani

Ndaj, vepra e tij e ndritshme, madhëroi përpjekjet e të gjithë bashkëkombësve dhe ngriti e lartësoi kudo, kryengritjet popullore shqiptare për liri e çlirim si vlerën më të çmuar kombëtare.

Kështu që me rastin e jubileut të 100 vjetorit të Pavarësisë, më 23 nëntor të vitit 2012,në mënyrë plotësisht të merituar, "Për shërbime të shquara dhe kontribut të çmuar për liri dhe Pavarësi Kombëtare" Heroi i Kombit-Bajram Daklani, me të drejtë u dekorua me medaljen më të lartë që jep Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë

Shkëlqimi i emrit të heroit Bajram Daklani, dhe sakrificat e tij për Flamur dhe çështjen Kombëtare, nuk mbaruan asnjëherë.

Atdhedashuria dhe trimëria e heroit, u dëshmuan në vende e mote dhe data me rëndësi të madhe kombëtare, protagonist i të cilave ishte edhe ai vet, duke dalë shumë herë fitimtar para pushtuesit.


Sot e atëherë, trojet tona etnike, janë përmalluar aq shumë, që në gjirin e vet, të kenë të paktën edhe një herë burra të tillë si Bajram Daklani dhe heronjtë të tjerë të shquar të Rilindjes Kombëtare.


Sado që është e pamundur të numërohen dhe përfshihen të gjitha veprat e tij në vetëm një shkrim, vendimi i "Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, për dekorimin e heroit Bajram Daklani, mbetet vërtet një veprimi i qëlluar dhe më i drejti që mund të jetë bërë ndonjëherë deri më tani, në historinë tonë më të re.


Atdhedashës të përbetuar si ata të periudhave të; para e pas Pavarësis së Shqipërisë, të cilët ishin figurat më të ndritshme patriotike dhe më të nderuarat gjithë-shqiptarë, bënë që populli ynë nga një popull i shtypur dhe i nënshtruar për shumë shekuj me radhë, të cilit për qindra vjet i mohohej emri, identiteti etnik dhe hapësirat territoriale nga pushtuesit më të egër, të ngritët e ndërgjegjësohet si komb i njëmendët, luftojë për lirinë e vet dhe rreshtohet mes kombeve të nderuara të Evropës.

Ky trim i merituar në shkallën sipërore për dekorimet më të larta kombëtare, jo vetëm në 100 vjetorë-pavarësie, dëshmoi se pa figura legjendare si Bajram Daklani me shokë, nuk mund të ishte e tillë, e bujshme dhe heroike, as historia jonë kombëtare.

Kryengritës i paepur të cilin me gjithë fatet tragjike që e përcollën gjatë jetës nën pushtim, nuk mundën ta thyenin as dëshpëronin edhe periudhat më të vështira të krejt historisë së mundimshme të përpjekjeve për çlirim kombëtar në periudhat më të lavdishme historike që mbahen mend gjatë për sublimim flijimesh kombëtare për liri.

Emri tij i përditësuar, u kthye përjetësisht në Diell të tej-ndritshëm të heroizmit mbarë-shqiptar!


Ndaj, është koha e fundit, kur duhet të kërkohet nga të gjithë që edhe pasardhësit e atyre që patën dorë në zhdukjen e trupit fatkeq të këtij heroi kaq sublim, ti kujtohen mallkimit të historisë e cila thuhet se vonon por nuk harron, dhe përfundimisht edhe ata të reflektojnë, duke ndihmuar në gjetjen sa më parë të eshtrave të këtij Burri të Kombit, në mënyrë që edhe ato të rivarrosen njerëzisht dhe prehen në vendin e merituar.

Dhe në nderim të jetës dhe veprës kombëtare pranë tyre të ngritët një lapidar meritor kushtuar heroit Bajram Daklani, para të cilit të gjithë dashamirët e luftës dhe përpjekjeve të tij heroike për liri e çlirim, do ti bënin nderimet dhe shprehnin mirënjohjen e pafund, për shqiptarizmin e çiltër, veprat heroike, besnikërinë e pafund ndaj atdheut, si dhe gjithë bëmat e tij plot lavdi kombëtare.

Bajram Daklani ishte dhe mbeti njëri nga kryengritësit më sublim të mbijetesës gjithë-shqiptare ndaj padyshim, ai edhe meriton të ketë një varr si të gjithë heronjtë e tjerë të kombit, që flijuan edhe jetën, për tu ngritur përjetësisht në luftëtar motesh e ëndrrash lirie për të gjithë ne.

Pra ai ishte hero që u shndërrua në legjendë dhe dëshmitar kohe, i cili që atëherë me krenari vijon të shpalos para brezave të rinj kombëtar, argumentet e pashterura të historisë dhe patriotizmave tradicionale shqiptare, si dhe përçoj para Botës liridashëse, kronikat e pafundme dhe më të mirat të mundshme të atdhedashurisë gjithëkombëtare, të cilat përjetësisht lartësojnë popullin tonë dhe gjithë kombin shqiptar, tash e përgjithmonë, në piedestalin më të lartë të lavdisë.



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)