29 Mars 2024

Badovci si shkas

Shkruar nga Ylber Vokshi-Ylli

Në fillim të vitit opinioni u njoftua për tendencat e ndërtimit të një kompleksi banimi me 17 vila buzë liqenit të Badovcit.

Çuditërisht si asnjë herë më parë, filluan reagimet publike me arsye e pa arsye, me argumente profesionale qëllimmira.

Duhet theksuar se ka edhe aso prononcime apo reagime që janë edhe pjesë e ‘’trendeve’’ aktuale në shoqërinë tonë që mundën me qenë të dëmshme.

Brengosëse janë deklarimet e individëve që deri sa ishin në pozita vendimmarrëse,  asgjë nuk kanë ndërmarrë që situata hapësinore dhe mjedisore në Kosovë sado pak të jetë normale, e jo të kemi një situatë të tillë kaotike Hapësinore dhe Mjedisore falë mosveprimit të atyre,  si pjesë e pushtetit ekzekutiv në nivelin lokal dhe qendrorë që ishin.

Dëshpëruese është sjellja e Komunës dhe MMPH-së  në rastin konkret,  të lejimit apo mos lejimit të ndërtimit të këtyre vilave,  që do të jenë vetëm si ‘’ballon testues’’ për ndërtimet tjera mu në brigjet e liqenit artificial, që dikur ishte ndërtuar për ujitje dhe furnizim të Prishtinës dhe rrethinës me ujë të pijshëm.

Sot pas rritjes së madhe urbane të tij ky liqen duhet të shërben vetëm për furnizim me ujë të kryeqytetit. 

Duhet pasur kujdes ekstrem të madh nga ana e projektuesve urban për të lejuar me parapa aktivitete rekreative të kufizuara dhe objekte përcjellëse, që në këto raste lejohen.

Lejimi i ndërtimeve të ndryshme banimi afër brigjeve atraktive të liqenit të Badovcit ka elemente të rrezikshmërisë të lartë pasi është në pyetje SIGURIA e banorëve të Prishtinës dhe të tjerëve.

Normat dhe standardet ndërkombëtare lejojnë edhe ndërtime tjera në afërsi të liqeneve, natyrisht duke plotësuar kriteret e ashpra teknike, mjedisore, hapësinore dhe urbanistike.

Ashtu  është edhe në Kosovë por në rastin tonë, duke u nisur nga mënyra se si i zbatojmë ato ligje në praktikë, domosdo duhemi me i inkorporuar edhe specifikat tona.

Planifikimi Hapësinor dhe Urban duhet me qenë realist dhe me iu përshtatur kushteve dhe rrethanave që e kushtëzojnë jetën në një mjedis, në rastin konkret ai është dëshiror dhe i dëmshëm për momentin pasi është jorealist duke u bazuar në nivelin e shoqërisë tonë.
 
Vetëm analizoni polemikat në mes të grupeve të ndryshme të interesit,  partive politike, individëve të ndryshëm se si sjellën në rastin konkret duke promovuar interesat e kufizuara të tyre, e jo qëllimin primar të mbrojtjes së liqenit.

 Si të shpjegohen sjelljet ‘’djallëzore’’ të Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë (MMPH),  të cilat me interpretimin e çuditshëm të ligjeve krijojnë konfuzion edhe ma të ma të madh në trajtimin e rastit të dhënies së lejes ndërtimore, si duket kjo po i konvenon dikujt pasi terreni është atraktiv,   joshës dhe fitimprurës.

Është absurde që autori i propozim projektit i referohet një projekti urbanistik të cilin Komuna e Prishtinës kundërligjshëm e kishte aprovuar në vitin 2004.

Ati ‘’Plani Strategjik...’’, Prishtina në vitet vijuese ’’ia pa sherrin’’ pasi ia dha të mbrapshtën, gjegjësish  zhvillimit kaotik urban të saj.

Ai plan nuk është në fuqi pasi që është zëvendësuar në vitin 2013 me ‘’Planin Zhvillimor Komunal 2012-2022’’,  aspak ma të mirë.

Të çuditshme dhe interesante janë disa prononcime për ndërtimin në brigjet e liqenit duke e arsyetuar atë me ‘’të drejtën e pronarëve të tokës, sipërmarrësve privat’’ për të ju ngulfatur iniciativat për zhvillim, përkundër arsyeshmerisë së projektantit .

Tendenca që me  i paraqitur kundërshtimet si ‘’një lloj mentalitet anti-investim,  anti kapitalizëm’’, si një nostalgji për të kaluarën komuniste, nostalgjinë false ndaj natyrës,  apo shpjegimin e urbanizimit të liqeneve në botë,  çka tregojnë mosdije elementare për lëmin e urbanizmit dhe fyejnë inteligjencën e njohësve të pavarur politikisht.  

Të  qartësoi, nuk jamë luftëtarë ekstrem i mrojtjes së mjedisit, zhvillimet industriale dhe teknollogjike gjithnjë janë në konflikt të hapur me mbrojtjen e mjedisit, për këtë kërkohen kompromise të dhimbshme, që njerëzimi të përparoi.

Rastin e ndërtimeve në brigjet e liqenit të Badovcit duhet trajtuar seriozisht pasi ndotja e ujit të tij do të ishte evidene dhe e rrezikshme në realitetin tonë, se si po funksionojmë si shoqëri.  

Atë që e kam theksuar me  vite të tëra se Ligjet dhe aktet nën ligjore pos respektimit të standardeve dhe direktivave ndërkombëtare duhet me ia përshtatur mentalitetit tonë, specifikave dhe filozofisë jetësore të mjedisit tonë ende feudal dhe primitiv, përndryshe do të jenë të  pa zbatueshme dhe të dëmshme, e në rastin e Badovcit edhe të rrezikshme.

Këto supozime po tregohen të sakta në rastin konkret dhe në shumë raste të tjera në  këto vite,  ku ndotja e ujërave të liqeneve, lumenjve dhe ujërave të tjera sipërfaqësore dhe nëntokësore është evidente, falë sjelljeve tona të pa përgjegjshme.

Për rastin konkret Qeveria e Kosovës duhet sa ma parë me një urdhër  ekzekutiv të ndaloi të gjitha  llojet e ndërtimeve për disa vite, deri sa të ‘’piqen kushtet’’, e të vetëdijesohemi se mirëmbajtja vijuese e  kapaciteteve për pastrimin e ujërave të zeza dhe mbeturinave tjera të funksionojnë, të mirëmbahen dhe të monitorohen,  kontrollohen vazhdimisht, për të kryer funksionin e tyre për çka janë ndërtuar, mirëmbajtjen e pastërtisë së ujit, që këto 20 vite nuk ka ndodhur.

Nga Ministria kërkohet urgjentisht të ndërmerr masa adekuate ndaj të gjitha objekteve me rrezikshmëri të lartë të ndërtuara në afërsi të liqenit me leje e pa leje si është pompa e derivateve të naftës.

Ma në fund ky rast duhet të na shërben si shkas për të ndryshuar qasjen ndaj ndryshimit, korrigjimit, plotësimit dhe përpilimit të ligjeve të reja, gjithnjë në funksion të rritjes se kualitetit të jetës dhe sigurisë e të  mirave materiale të njerëzve që  janë të detyrua të jetojnë në shtetin e Kosovës.

 Përgjegjëse për të gjitha zhvillimet Hapësinore     dhe Mjedisore është Ministria e Mjedisi dhe Planifikimit Hapësinor,  e cila me veprimet e saja ka lejuar të krijohet kjo situatë kaotik në Kosovën e pas luftës.

/Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)/

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)