28 Mars 2024

Aperitif për negociatat Prishtinë- Beograd

Shkruar nga Arbër Zaimi

Raporti që Dick Marty paraqiti në 14 dhjetor për Këshillin e Europës tashmë e ka bërë dy a tre herë xhiron e globit. Falë gjuhës eksplicite të përdorur, pa kursyer as figurat që do ia kish patur zili kinemaja horror (s’po them Hitchcock-u, se ai në fakt thellohej pak më shumë në simbolikën e vet), anëtari i asamblesë së Këshillit të Europës, ish-prokurori zvicerian Dick Marty mbërriti të shndërrohet në temë bisede si në tryezat e fshatrave e qyteteve ballkanike, ashtu edhe në qendrat e pushtetit botëror.

Ca rrudhën buzët prej tmerreve e horroreve të përshkruara, e natyrisht që u prekën e u revoltuan për drejtësinë e munguar apo për njëanshmërinë e dhunës, ca të tjerë morën qëndrimin e zakonshëm nacionalist, duke përbuzur raportin si përbaltës të luftës për liri. Me një fjalë, secili mori qëndrimin e vet subjektiv, po rrallëkush u thellua në kontekstualizimin e raportit.

Raportimi i Dick Marty-t, siç shkruan dhe vetë, nuk është një hetim profesional e rigoroz: “nuk e ka patur për qëllim të përcjellë një hetim penal, madje as mjetet nuk kanë qenë për të bërë të mundur një raportim të tillë”. Në fakt mjafton ta lexosh raportin me vëmendje për të gjetur aty shumë fraza abuzive, shumë paragjykime, shumë “ndoshta” e shumë referenca në burime të paidentifikuara.

Të mos qe për gjatësinë e materialit dhe për gjuhën e përzgjedhur, do të dukej se raporti i zotit Marty do të mund të qe shkruar nga ndonjë gazetar shqiptar që mbulon sektorin e politikës në ndonjë të përditshme, se ata e kanë zakon t’i përmbledhin thashethemet e të referohen te formula “sipas burimeve konfidenciale”. Mirëpo Dick Marty nuk është gazetar dhe raporti nuk është një artikull i botuar në ndonjë copë letër në Tiranë apo në Prishtinë.

Ai është një dokument me ngarkesë politike, i paraqitur pranë një institucioni politik siç është Këshilli i Europës. Në të zhvillohet një situatë e paprovuar ende, që prek e përfshin persona politikë. Sidomos po të mbahet parasysh konteksti specifik i momentit në të cilin paraqitet ky raport, duket qartë se nuk është asgjë tjetër, përpos një material i politizuar.

Mjaft të thuhet kjo, dhe tingëllon absurd çdo lexues i këtij raporti që synon të gjejë aty brenda të vërteta apo të pavërteta. Ky raport është raport politik dhe duhet lexuar si i tillë, aty nuk thirret “e vërteta” por të tjera synime. Vjen menjëherë pas zgjedhjeve në Kosovë, po kjo nuk është shumë e rëndësishme. Interesant është fakti se raporti vjen bash përpara negociatave mes Kosovës e Serbisë, të shumëkërkuara prej ndërkombëtarëve (Këto negociata ka dy vjet që kërkohen, dhe po aq kohë ka dhe historia “policeske” që lindi prej Del Pontes).

Negociatat e famshme, për të cilat qeveria serbe dhe vetë kryeministri Tadiç shprehet se “ka kohë që është gati dhe po pret vetëm palën shqiptare” (vëreni, shqiptare) në fakt janë një element kyç për shpjegimin e situatës. Aq të sikletshme janë këto negociata, sa që mund të thuhet se arsyeja kryesore e rënies së qeverisë PDK & LDK ishte pikërisht imponimi i ardhur prej ndërkombëtarëve (kryesisht europianëve) për t’i nisur negociatat në 2010.

Të gjithë mund ta kuptojnë se nisja e negociatave me Beogradin një vit para zgjedhjeve do të rezultonte në fiasko elektorale me votuesit shqiptarë, kështu që partitë realizuan shpejt e shpejt një skenar që do të mund të krijonte një qeveri të re, e cila më pas do të fillonte negocimin e do të kish kohë katër vjet që ta menaxhonte opinionin publik. Edhe kështu ndodhi, ra qeveria Thaçi, me propozim e me votim të vetë qeverisë.

Aq me nxitim duhej të nisnin negociatat sa që nuk u kujdes kush për zgjedhjet që u përgatitën sa për sy e faqe, me një infrastrukturë të mjerë (deri dhe bateritë e llampave ultravjollcë apo spray për gishtin mungonin) dhe shkuan për faqe të zezë, ashtu siç e pamë, me vendvotime ku pjesëmarrja nuk e pati të vështirë të arrinte edhe 149%.

Gjithë kjo tollovi, falë denoncimit të disa aktorëve e kryesisht të Lëvizjes Vetëvendosje shkaktoi një reagim institucional (edhe pse jo aq sa duhet) dhe u mor vendim për përsëritje të zgjedhjeve në tre komuna e në disa qendra votimi, duke e shtyrë kështu formimin e qeverisë së re për në janar të 2011. Duan s’duan përfaqësuesit e Bashkimit Europian, negociatat e Kosovës me Serbinë do të fillojnë vetëm në shkurt.

Intermezzo

Po pse nxitohen europianët për t’ia nisur negociatave, e pse përbëjnë kaq problem këto negociata për palët në Kosovë? Pyetja nuk e ka të vështirë përgjigjen e megjithatë nuk është trajtuar shpesh, sepse korrektesa politike në këto anë e kërkon që të mos ngrihen pyetje mbi kërkesat e ndërkombëtarëve (të eufemizuar gjithnjë si miqtë tanë, deri në momentin kur na shkruajnë ndonjë raport plot hipoteza, si ky i fundit).

Negociatat mes Serbisë e Kosovës janë një nga kushtet që duhet të plotësojë Serbia për të filluar procesin me 72 etapa për integrimin në BE. Siç është deklaruar nga qeveritarët serbë, thuajse gjithë konditat institucionale, ligjore e ekonomike tashmë janë realizuar, mbetet vetëm të dorëzohet Ratko Mlladiçi dhe të nisin negociatat me Prishtinën.

Europa nga ana e vet nxitohet që të nisin këto negociata sepse kështu do ta shkëpuste Beogradin prej suazës së Moskës, po edhe sepse shkëmbimet ekonomike mes Serbisë dhe Europës janë të konsiderueshme (në 2010 Serbia ka 300 fishuar eksportin e saj drejt Europës, në krahasim me 2001, ndryshe nga Kosova që shifrat i ka tepër më modeste). Për një sërë arsyesh, mes të cilave dhe për faktin se Serbia e ka një shtet e një politikë dinjitoze, europianët kanë treguar se janë të interesuar ta tërheqin Serbinë sa më shpejt në gjirin e tyre.

Mirëpo cili është impakti i negociatave në lidhje me Kosovën, në lidhje me shqiptarët që përbëjnë mbi 93% të një vendi që është vendosur të quhet “multietnik” shumë më para se kjo etiketë të përdoret për vende europiane ku vërtet që s’ka homogjenitet, as në perspektivë historike të etnive po as në kontekstin e emigracionit masiv drejt perëndimit. Nuk ka pse t’i biem rrotull, Kosova veç humb nga nisja e këtyre negociatave me Serbinë sot.

Çdo qytetar i Kosovës humb prej fillimit të negociatave, pavarësisht se ato paraqiten si kusht i domosdoshëm për të shkuar drejt një të ardhmeje që premtohet si më e mirë (e kur na paskan ekzistuar ata politikanë që kanë patur kurajon të shohin të vërtetën në sy e të thonë se e ardhmja nuk ka për të qenë aq e shndritshme...?).

Së pari, negociatat nuk duhet të fillojnë para se Serbia të njohë Kosovën si shtet. Si mund të negociojnë dy entitete që nuk i njohin sovranitetin njëra-tjetrës? Për Serbinë Kosova mbetet një krahinë, administrativisht e humbur, por ligjërisht prezente në kornizat e saj kushtetuese e më gjerë. Për ta ilustruar për publikun shqiptar – do të qe njësoj sikur Republika e Shqipërisë të fillonte negociata me Burrelin apo Tepelenën (për korrektesë lokale, një lart e një poshtë).

Sipas traditës së marrëdhënieve ndërkombëtare, aktorët në negociata së paku njohin njëri-tjetrin dhe diskutimet i kanë mbi synimet e mbi format, jo mbi ekzistencën. Sepse është e pamundur të negociosh me dikë që nuk të njeh as ekzistencën, as të drejtën tënde për të marrë vendime.

Së dyti, meqenëse flitet se negociatat do të jenë për “çështje teknike”, është mirë të kujtohet se shqiptarët në përgjithësi kanë rezultuar të nxituar kur janë hedhur në procedura teknike pa e teorizuar më parë situatën. Nuk ka asnjë emergjencë “teknike” për shqiptarët, le të kërkojë falje Serbia për krimet ndaj shqiptarëve, le të kthejë të zhdukurit e luftës që ende mungojnë, pastaj le t’ia nisin të diskutojnë për teknikalitete.

Se nuk shkon të flitet për “projekte të përbashkëta të sigurisë rajonale”, apo për zhvillimin e infrastrukturës së drejtësisë kur ka krime masive të dëshmuara publikisht (jo si ato të raportit të Marty-t, që ende kanë nevojë për trajtim serioz që të zbulojë në ka a s’ka prova reale), krime që nuk janë kryer nga individë apo nga struktura të paorganizuara, po nga një ushtri shtetërore siç qe ajo e Jugosllavisë.

Trashëgimtare e atij shteti është Serbia, e për këtë arsye le t’i hedhë hapat e parë drejt mirëkuptimit e drejt drejtësisë, pa ne si shqiptarë nuk jemi shquar si popull që s’falim. Le të kuptohemi, Serbia këtë nuk ia ka për borxh Thaçit, as ndonjë individi tjetër. Kërkesa e faljes duhet t’i drejtohet gjithë popullit të Kosovës, po ashtu dhe kthimi i të zhdukurve.

Së treti, Serbia para se të fillojë të negociojë me Kosovën, do të duhej të paguante reparacione për shkatërrimet ekonomike që Kosova ende i vuan. Do të duhej gjithashtu të çlironte fondet e sigurimeve e ato pensionale që i takojnë popullit të Kosovës, fonde ku ndodhen kontributet e dhjetra viteve punë të shqiptarëve në kohë të Jugosllavisë. Serbia duhet të ketë një marrëdhënie të rregullt ekonomike me Kosovën, duhet të njohë doganat e saj e të pushojë së nxituri apo mbështeturi kontrabandën që po e vret ekonominë e Kosovës që edhe kështu është e brishtë.

Fillimi i negociatave Beograd – Prishtinë para se të sqarohen këto tre çështje prej Serbisë do ta dëmtonte rëndë Kosovën. Mesazhi që do të përçonin këto negociata tek të gjithë ata shtete që ende nuk e kanë njohur Kosovën do të qe negativ, do të mendohej se pavarësia është ende e diskutueshme përderisa mund të ulen kaq lehtë në tryezë me palën që lobon agresivisht për të kundërtën.

Fillimi i negociatave për “çështje teknike” do të bënte të mbetej jashtë agjendës politike gjithçka që u tha më sipër, e natyrisht që askush prej ndërkombëtarëve nuk do të rrezikonte të kthehej më vonë te këto “biseda të nxehta” pasi të zgjidheshin teknikalitetet. Sipas këtij skenari Serbia do të hynte më shpejt në BE vërtet, po nga ky proces qytetarit të Kosovës nuk i hyn asgjë në xhep. Përkundrazi, një Serbi në BE do të mund të përbënte një arsye më tepër për vonesa në integrimin e Kosovës në të njëjtën strukturë.

Rikthim tek raporti

Jo vetëm deklarata e Tadiçit para zgjedhjeve, ku tha se negociatat do t’i fillonte vetëm nëse nuk ndryshonte panorama politike në Kosovë (pra nëse mbetej kryeministër Thaçi), por edhe konteksti i muajve të fundit të bën të kuptosh se në këtë proces pervers negociatash qeverinë e Kosovës do ta përfaqësojë Hashim Thaçi. Ndërkombëtarët nuk këmbëngulën fort në përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore, ashtu siç nuk po këmbëngulin në dënimin e manipulimeve dhe vjedhjeve. Ata janë gati të çertifikojnë Thaçin, që në fakt është e vetmja pikë ku bashkohen qëndrimet e përfaqësuesve amerikanë dhe europianë në Kosovë.

Ambasadori amerikan, Christopher Dell, dihet se është një mbështetës i zellshëm i privatizimit të gjithçkaje me çdo kusht, dhe te Thaçi gjen politikanin më të hapur ndaj privatizimit (që shoqërohet me plaçkitje sa herë që bëhet shkel e shko), ndërsa europianët që hallin kryesor e kanë te integrimi i Serbisë gjejnë te Thaçi gatishmërinë për të hyrë në negociata pa i përmendur hiç ato problemet që radhitëm lart.

Raporti i paraqitur nga Dick Marty nuk e rrezikon pushtetin e Thaçit. Ky raport tipik politik ka nota paternalizuese, por jo ndëshkuese. Arsyeja politike e këtij raporti është ulja e autoritetit të Thaçit në sytë e kujtdo. Sepse natyrisht që një lider që ka pushtet, por nuk ka autoritet është më i prirur të bindet, shkon kokëulur në negociata dhe i shet asetet më lirë e më shpejt.

Duket si skenar dominimi nga ato të filmave psikologjikë, po historia moderne e vendeve afrikane, aziatikoqendrore dhe amerikano-latine na tregon se të tilla lojëra nuk janë as të pazakonta, as të pamendueshme. Madje janë pjesë e rutinës së punës, pjesë e etikës në realpolitikë ashtu siç përcillet tek fjala e urtë “gjej shesh, bëj përshesh”. Tek Thaçi (e tek do të tjerë) ndërkombëtarët kanë gjetur “shesh”.

Me këtë nuk dua të them absolutisht që ndërkombëtarët, europianët, amerikanët apo kushdo tjetër (edhe vetë serbët) janë armiqtë tanë. Ajo që po them është se marrëdhëniet ndërkombëtare funksionojnë mbi një paradigmë realpolitike, etika e tyre është ndryshe nga estetika, mënyra se si veprojnë është shpesh ndryshe nga vlerat që propagandohen.

Nuk them se janë të ligj, nuk po i gjykoj negativisht sepse nuk më pëlqejnë gjykimet mbi baza morale, thjesht studimi i sjelljes së shteteve e strukturave ndërshtetërore në nivel ndërkombëtar lë të kuptohet kjo. Në rastin e Kosovës nuk ka përse të jetë ndryshe, gjithë aktorëve do t’u interesonte një pushtet pa autoritet, një pushtet i shantazhueshëm.

Nëse ndokujt do t’i interesonte një Kosovë e denjë, një Kosovë si “gjithë bota”, ku do të dënoheshin edhe ata që mund të kenë bërë krime ndaj serbëve ashtu si ata që kanë bërë krime ndaj shqiptarëve, atëherë duhet kuptuar se e vetmja mënyrë që kjo të arrihet është duke i lënë mundësi popullit të Kosovës që të institucionalizojë shtetin e vet. Kjo kërkon në radhë të parë që të shprehet vullneti i popullit, si vullnet anonim, dhe të ndërtohet forma institucionale pikërisht në bazë të këtij vullneti.

E vetmja mënyrë që institucionet (si bashkësi simbolikash) të funksionojnë, është që ato të mos jenë të varura apo të lidhura me fatin e një individi (qoftë ky Thaçi, a kushdo tjetër), por me një vullnet anonim. Drejtësinë në Kosovë do të mund ta sillnin vetëm këto institucione, pikërisht pse janë në thelb impersonale, jo-klanore, jo-konjukturale, e vetëm kësisoj do të mund të udhëhiqnin një paraqitje të denjë të popullit të Kosovës në marrëdhënie ndërkombëtare, si me Serbinë, ashtu edhe me këdo.

 Sepse është tepër e vështirë të shantazhosh institucionet e dala nga vullneti i popullit, shumë më e vështirë se sa të hedhësh insinuata mbi “politikanin e sofistikuar” shqiptar që ia ka krijuar me qejf të madh vetes imazhin e Capo-s.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)