23 Prill 2024

Antibashkimtarët dhe homoseksualët

Shkruar nga  Faton Abdullahu

Në Kosovë kurrë nuk kanë qenë të paktë ata që e kanë dashur dhe nuk janë të paktë ata që e duan edhe sot bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Në anën tjetër në Shqipëri duket se në këtë aspekt ka një rritje të kësaj dëshire dhe këtij vullneti, sado që pakrahasimisht më pak se sa në Kosovë.

Shpjegimin më të mirë për këtë e jep miku im V. Murati i cili thotë se në Kosovë ideja e bashkimit me Shqipërinë për Kosovën ishte e gërshetuar fortë me idenë e lirisë, gjë që natyrisht nuk mund të thuhet kështu edhe sot.

Përderisa dikur kundërshtimi i kësaj ideje bëhej nga pushtetarët komunist të Kosovës, sepse ideja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë ishte antishtetërore anti-jugosllave sot, kur shumë çka ka ndryshuar për mirë dhe për rrjedhojë kundërshtimi i kësaj ideja përveç që vjen gjithashtu prapë nga zyrtarët, sepse kjo ide është në kundërshtim ta zëmë me Kushtetutën e Kosovë, me Pakon e Ahtisarit, etj. ajo përkrahet edhe nga disa intelektual publicistë dhe të tjerë të cilët, për dallim nga koha e monizmit, e bëjnë këtë sepse kështu mendojnë lirshëm dhe arsyetimet e tyre gjithsesi janë të dallueshme, sepse fundja edhe rrethanat kanë ndryshuar shumë, krahasuar me ato që ishin në kohën e Jugosllavisë komuniste.

Vështruar nga prizma e liberal-demokracisë dhe shprehjes së lirë të mendimit si pjesë vitale e kësaj ideologjie, kjo është krejt në rregull. Pse të mos kundërshtohet ideja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, nëse dikush mund të mendoj se kjo nuk është e dobishme për ne.

Fundja kjo ide ende vazhdon të mos jetë e përpunuar si duhet nga vetë shqiptarët në Ballkan. Edhe sot e kësaj dite nuk ka pajtim të gjerë as në qarqet intelektuale dhe nuk dihet saktë se çka nënkupton konkretisht bashkimi kombëtar, term dhe ide kjo me të cilën vazhdohet të manipulohet shumë dhe në mënyra të ndryshme.

Kjo ide ende nuk është e përpunuar mirë, sepse për të nuk investohet nga institucionet përkatëse, shkencore, kulturore etj të cilat sot themi se janë dal nga vullneti i qytetarëve tanë.

Për bashkimin kombëtar sot nuk ka para. Kjo ide do një mekanizëm të madh dhe të pandalshëm pune intelektuale dhe shkencore që të merret në shqyrtim gjithanshëm dhe të bëhet më pragmatike duke e plotësuar dhe ndryshuar e mbi të gjitha duke ja përshtatur rrethanave të reja.

Për më keq, kjo ide, më shumë ka mbetur në nivel të publicistikës, me ç’rast jo rrallë kemi publikime të individëve entuziast me qëllime të mira, por të papërgatitur të cilat në vend se ta bëjnë këtë ide më të pranueshme me argumente e analiza të qëndrueshme, ato me qasjen jo profesionale dhe të cekët analitike, me vokabularin e stilit sllavo-ortodoksët, serbo-çetnikët e të ngjashme, veç se i bëjnë dëm kësaj ideje.

Bile ka disa nga ata të cilët thjesht mund ti kualifikosh më së miri me atë thinjen e njohur  “patriotizmi është strofulli i fundit e horrit” sepse bëhen horë diku e me diçka tjetër në jetën e tyre e mandej si vetëmbrojtje marrin idenë e bashkimit kombëtar, të cilës nuk i bëjnë asgjë mirë e më së paku nder.

Por janë edhe të tjerët të cilët janë kategorisht kundër kësaj ideje. Ata vijnë me argumentet e tyre pse nuk bën të bashkohet Kosova me Shqipërinë. Kjo është e mirë sepse ngjallin diskutimin e nevojshëm që e bënë këtë ide të lëvizë, të pasurohet, si premisë që të mbetet gjallë apo edhe të pranohet, përndryshe bëhet e papranueshme refuzohet dhe si e tillë davaritet.

Por ka një fenomen këtu jo të zakonshëm për të cilin dua të flas me këtë rast. Pothuajse të gjithë ata që janë kundër bashkimit kombëtar, dhe të tillët të shpeshtën janë edhe për theksimin e identitetit të ri kosovar, për të cilin thonë se është identitet i ri nacional, dihet se kush janë, apo thënë ndryshe njihen me emra e me mbiemra se kush janë.

Ata janë publicistë nga Kosova të cilët edhe pse nuk janë të shumtë, sado që mund të mos jenë ekspresiv, dihen me emër dhe mbiemër. Kjo njohje nuk është e kësaj përmase, sepse ata janë ekspresiv dhe se vijnë me argumente të forta në kundërshtimet e tyre, por në rend të parë sepse edhe përkundër faktit se janë të paktë, medieve ju duhen për ta ngjallur diskutimin, për ta çartur muhabetin, për të rënë në sy.

Sot kjo ‘bela’ dhe mbase të tjera si kjo, ju duhen jo pak medieve, si buka. Ata që unë po i quaj apo thënë më mirë po i emëroj si antibashkimtarë janë shumë të vetëdijshëm për këtë dhe i bien këtij fylli, sepse kështu kërkohet më shumë nga mediet. Për ta argumentuar më mirë këtë që po themi duhet ta shtrojmë problemin edhe ndryshe.

Ndryshe do të thotë se ata intelektual që janë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ata të cilët e kundërshtojnë identitetin kosovar si identitet të ri nacional, nuk dihen e nuk njihen me emra të përveçëm, nuk janë të popullarizuar sa të tjerët që kundërshtojnë këtë ide.

Nëse pyes sot se, kush në Kosovë thotë se ka komb kosovar, ju mund të vini menjëherë me dy tre emra publicistësh. Por nëse ju pyes se kush është kundër kësaj ideje, emrat e përveçëm të intelektualëve do të mungojnë, thjeshtë  sepse kundër saj janë shumica dhe ata as nuk janë të zhurmshëm as që disa medieve ju duhen shumë për “belat’ e tyre.

Do ta bëjë një krahasim këtu me shpresë se nuk do të keqkuptohem. Ka një fenomen të ngjashëm në Britani të Madhe të cilën e vëreja deri sa jetoja atje por për diçka krejt të ndryshme. Thonë se krahasimet çalojnë shpresoj që ky i imi të mos çaloj shumë. Kur një VIP një këngëtar, politikan apo prezantues ta zëmë në Londër dilte hapur dhe deklaronte se është homoseksual gjë që edhe për rrethanat e atjeshme nuk ishte e zakonshëm, mediet britanike të nesërmen e kishin në faqe të parë.

Për disa ditë ai ishte ‘top news’, në të gjitha tryezat e medieve ai ishte mysafir dhe të gjithë e diskutonin këtë risi. Për të me diytë të tëra flitej si për më të madhen hata. Kjo ndodhte në Britani dhe mediet e lansonin këtë tip deri në atë shkallë për të ngjashmet arsye pse mediet në Kosovë e lartësojnë një anti - bashkimtar. Edhe antibashkimtari në Kosovë edhe homoseksuali në Britani ju duhen jo rrallë medieve si atraksion, si lajm, si “bela”.

Nuk do ta shtroja kështu problemin sikundër e shtrova, sikur nga ky fenomen në Kosovë ku roli jo korrekt i disa medieve është vendimtar të mos krijohet përshtypja se ata që janë kundër bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë janë të shumtë në numër dhe ata që e kundërshtojnë këtë ide janë ekspresiv në qasjet e tyre.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)