28 Mars 2024

Analfabetizmi ambientalist

Shkruar nga Faton Abdullahu

Të flasësh për ambientalizmin në Kosovë, ke përshtypjen se as nuk dëgjohesh me vëmendje, as nuk merresh seriozisht. Të flasësh për ngrohjen globale, për nevojën e veprimeve miqësore me ambientin, të flasësh për rrezikun e dyoksidit të karbonit, për efektet e këqija të përdorimit të plastikës dhe të tjera të ngjashme, është disi ngjashëm si të flasësh me një burrë që i ka mustaqet vesh më vesh, për llojet e grimit dhe ngjyrën e fustaneve që bahen këto ditë.

Reagimi i jo pak prej neve, kur flitet për ngrohjen globale dhe ambientalizmin përgjithësisht, është i ngjashëm me atë iritimin e musteqokut nga temat e ‘parëndësishme’.

Duhet të kursehet uji, ta zëmë të mos mbahet çezma hapur gjatё gjithë kohës sa lajmë dhëmbët, duhet të kursehet rryma ta zëmë duke mos i praktikuar poçet elektrike me voltazh të madh, duhet.....

Dhe kështu vazhdon lista e gjatë e këshillave nga më të ndryshme se si duhet qytetari në të përditshmen dhe atë në të gjitha sferat e jetës të jetë ambientalisht miqësor.  Si duhet ai të sillet me përgjegjësi ambientaliste, duke kontribuar çdo ditë për të pasur një ambient më të shëndosh për veten e sidomos për të siguruar një të tillë për gjeneratat që do të vijnë?

Është pyetje që shtrohet anekënd planetit tonë dhe dhënia e përgjigjes kërkon një hulumtim të vazhdueshëm për ta krijuar një kulturë të re të sjelljes ambientaliste. Çështja e ngrohjes globale, tani më është çështje planetare. Kjo çështje, ky rrezik kërcënon pandalshëm.

Ai nuk njeh kufij, nuk njeh kombe, shtete, kontinenteve, është rrezik për njerëzimin pa dallime. Sikur të ishte ndryshe, sikur ngrohja globale të godiste vetëm kombet, mbase ne ballkanasit qysh herret do të krijonim mekanizma larg më të mirë se të tjerët, për ta mbrojtur kombin tonë nga ngrohja globale.

Por ja që kështu nuk është dhe në këtë vetëdijesim kulturor ambientalist jemi të fundit. Mjafton të përmendet Termocentrali në Kastriot dhe prerja e pakontrolluar e pyjeve gjithandej në Kosovë në këtë dimër, për të pranuar gjithsesi me keqardhje se kjo është e vërtetë e hidhur.

Mund të shpjegohet lehtë pse tek ne, kjo çështje, për ndryshe në shumë shtetet prioritet i qeverive aktuale, nuk e ka vendin që duhet ta ketë. Thjeshtë sepse ne ende jemi larg asaj që ta kuptojmë se ky rrezik është i njëjtë për ne shqiptarët, sa është rrezik edhe për anglezët, edhe për tajlandezët apo edhe për fisin tutsi në Ruandë.

Por thjeshtë kjo as për së afërmi nuk kuptohet kështu dhe atë për shumë arsye. Ne vazhdojmë të kemi prioritete të tjera, shumë prej të cilave elementare për jetën dhe ekzistencën tonë të vështirë, që këtë interesim dhe këto veprime ambientalitste i konsiderojmë herë ‘ luks të tepruar’ herë krejt të panevojshme. Edhe kjo mund të shpjegohet.

Ja se si. Si mund të kërkosh nga një qytetarë i Kosovës – ta zëmë nga shembulli që mund ta gjesh shpesh në reklamat ambientaliste në vendet e Evropës perëndimore që të mos rrjedhë uji gjatë gjithë kohës deri sa i lanë dhëmbët – kur ky qytetarë edhe pse ndoshta në kryeqytet dhe i cili jeton në shekullin XXI , në shtëpinë e tij nuk ka ujë të pijshëm 24 orë.

Si mund të kërkosh nga ky qytetarë të mos përdorë poçe elektrike të voltazhit të madh, apo t’i fikë poçet e ndezura në shtëpi të cilat mund të rrinë ndezur pa nevojë, kur ky qytetarë nuk ka rrymë 24 orë. Kjo është e vërteta e hidhur që na jap të drejtë të konstatojmë se pak janë ato fenomene të cilat më mirë se ambientalizmi na dëshmojnë se sa jemi larg Evropës dhe kulturës ambientaliste evropiane.

Por ky shpjegim i yni do të ishte gjysmak dhe mbase disfatist sikur të mos e shtronin problemin edhe ndryshe. Askush nuk na pengon që të jemi ambientalist të mirë në mënyrën tonë origjinale, duke iu përshtatur rrethanave ku punojmë e veprojmë. Këtë mund ta bëjmë në mënyra të ndryshme.

Përdorimi i biçikletës, mos përdorimi i plastikës dhe përpjekja që të përdoret transporti publik më shumë se makina, dhe shumë e shumë të tjera veprime apo abstenime të ngjashme të gjitha janë miqësore me ambientin dhe për të gjitha këto mund të bëhet dhe duhet të bëhet presion qytetarë në qeveritë tona lokale që ato të bëjnë më shumë në këtë drejtim. Në të vërtetë janë vetë institucionet tona ato që bëjnë pak e hiç në këtë drejtim. Ato ende të shpeshtën e rasteve janë me kulturë ambientalisht jomiqësore, apo thënë pak më ashpër janë vetë analfabet ambientalist. 

Ndërkohë që ato do të duhej të ishin prijëse në këtë përpjekje. Por kjo nuk ndodhë. Ne kishim ta zëmë një ministër dhe anëtarë parlamenti që me motoçikletën e madhe krijonte ‘imixh’ të ri prej politikani, pa e qarë kokën dhe mbase as që i shkonte mendja se si mund të ndikoj kjo shfaqje në aspektin ambientalist. Edhe perceptimi i tij ka qenë me këtë mangësi. Apo aktualisht kemi një deputet në Kuvendin e Kosovës që në facebook ka vendosur foton e tij duke pirë cigare. Goxha shmeki dukej.

Kurse pothuajse asnjëri prej kuvendarëve aktual nuk merr mundin që të angazhohet në ndonjë formë sado simbolike e të merr pjesë në gjithë atë që punohet e veprohet gjithandej në Evropë e më gjerë e që quhet vetëdijesim ambientalist.

Dhe nëse kështu e vendosim një raport aktual - politikanët tanë dhe ambientalizmi - parlamentarët tanë dhe ngrohja globale apo - qeveritarët tanë dhe ngritja e kulturës ambinetaliste – apo biznesmenët tanë dhe prodhimet miqësore me ambientin – s’ka se të mos i quajmë gjithë këta tek e tek, por edhe të gjitha ata bashkë, analfabetë ambinetalistë. E çfarë të thuhet për ne të tjerët.  Dorën në zemër nuk jemi më të mirë se që i kemi politikanët.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)