20 Prill 2024

Akademik prof. dr. Gazmend Zajmi, apo heroi i Republikës!

Shkruar nga Gani Qarri

Arkitekti themeltar i vulosjes së bazave juridike të ngjarjeve më të përndritura që bënë historinë më të re të Dardanisë, si dhe heroi më sublim i përsosjes së akteve më të larta statusore të ngritjes dhe ndërtimit të Republikës së Kosovës!

Akademiku ynë i përndritshëm, prof. dr. Gazmend Zajmi, ishte heroi sypatrembur i përgatitjes profesionale dhe kushtetuso-juridike të këtij akti kaq sublim dhe njërës nga vendimet më me rëndësi në rrugëtimin historik të Kosovës, që padyshim, do të mbetet përjetësisht në kujtesën dhe ndërdijen e shqiptarëve atdhetar kudo.

Sot mbushen plot 29 vite, nga dita kur 111 delegatët e Kuvendit, përkundër rrezikut dhe gjendjes së rëndë nën okupimin serb që në atë kohë mbretëronte mbi Kosovë, më 7 shtator të vitit 1990,ndërmorën hapin historik dhe miratuan me aklamacion Kushtetutën e Kaçanikut si aktin më të lart juridik, që sinjalizonte lindjen e Republikës dhe fillim-ngritjen e shtetësisë së Kosovës.

Kjo ditë, nga atëherë, ka hyrë me germa të arta në histori, si datë e vendosjes së themeleve të mëvetësisë dhe realizimit të ëndrrës së shqiptarëve për shtet të lirë dhe pavarësi.

Akademik Gazmend Zajmi vije prej një familje të njohur patriotike nga Gjakova, e cila për shkak të përndjekjeve politike nga regjimi okupator i Serbisë, detyrohet të vendoset në Krumë të Hasit në Shqipëri.
 
Familja e akademikut Zajmi, ishte detyruar ta linte Gjakovën, që pas Luftës së Parë Botërore dhe ripushtimit të Kosovës nga Serbia e zhvendosej në Krumë, ku me 20 qershor të vitit 1936, u lind edhe akademiku ynë i ardshëm, i madhi Gazmend Zajmi.
 
Ndërsa në vitin 1941, pas dëbimit të okupatorëve serb nga Kosova, dhe vendosjes së trupave gjermane në trojet tona, familja atdhetare e Gazmend Zajmit do të kthehej në Kosovë dhe vendosej, jo në Gjakovë por në Prizren, në kryeqytetin e Shqipërisë Etnike dhe qendrën kryesore historike të shqiptarëve ku si gjithmonë, jo vetëm që ishin planifikuar, por edhe sipas rendit dhe traditës, me të drejtë priteshin të ndodhnin, sërish vendime të mëdha kombëtare, ashtu siç i kishin hije tradicionalisht kryeqytetit të kombit-Prizrenit.
 
Dhe vërtetë vetëm dy vite më vonë, po në këtë vend u themelua Lidhja e Dytë e Prizrenit, ku xhaxhai i Gazmendit,  sekretari permanent i Bajram Currit dhe njëri prej pjesëtarëve më eminent të kësaj familje, Tahir Zajmi, u zgjodh anëtar i kryesisë së kësaj Lidhjeje legjendare.
 
Kështu që Gazmend Zajmi shkollimin fillor dhe atë të mesëm i kreu në Qytetin e Lidhjes, ndërsa pasi që atë kohë në Kosovë ende nuk kishte mundësi të shkollimit superior, ai fakultetin juridik dhe studimet pasuniversitare u detyrua ti mbaronte në Beograd, ku  magjistroi, e në vitin 1972 edhe doktoroi, me mbrojtjen e disertacionit të doktoratës në fakultetin e shkencave politike.
 
Atdheu për të njëjtë si për paraardhësit familjes së ngushtë të tij, jo vetëm se ishte dhe mbeti, mbi të gjitha, por u shndërrua edhe në sinonim të veprës dhe jetës së këtij akademiku me famë ndërkombëtare, deri në ditët e fundit kur ai edhe u nda, larg tij, nga kjo botë.
 

Pas përfundimit me sukses të fakultetit juridik, sipas shënimeve biografike nga arkivi i qytetit të Prizrenit, Gazmend Zajmi, fillimisht punoi për tri vite me radhë gjykatës e më pas u emërua edhe kryetar i Gjykatës së Prizrenit me rrethinë.
 

Ndërsa në vitin 1961, me themelimin e fakultetit juridik të Prishtinës, ai u emërua asistent, kurse nga viti 1963 deri më 1967, ishte sekretar i Kuvendit të Kosovës së asaj kohe.
 
Nga viti 1968, Dr. Gazmend Zajmi iu përkushtua kryesisht mësimdhënies si pedagog në Fakultetin Juridik, e më vonë, do të përzgjidhej edhe prorektor i këtij fakulteti.
 
Ndërsa pas hapjes së Universitetit të parë të Kosovës, Gazmend Zajmi si njëri nga kuadrot më të përgatitura të kohës, fillimisht emërohet kryetar i shoqatës së pedagogëve universitar të Kosovës kurse në vitin 1979, zgjidhet rektor i Universitetit në Prishtinë.

Puna e tij shkencore, u çmua dhe vlerësua aq lartë sa që për hir të kualiteteve që dëshmoi, Dr. Gazmend Zajmi jo vetëm se u shpërblye dhe dekorua disa herë radhazi, por edhe u zgjodh në pozicionet më të larta juridiko-profesionale të Kosovës dhe gjithë federatës së ish Jugosllavisë.
 
Akademik prof.dr. Gazmend Zajmi, përveç posteve të nduarnduarta, që ushtroi në Kosovë, arriti të ngritët deri në postin e Kryetarit të Bashkësisë së Universiteteve të krejt Jugosllavisë dhe bëhet edhe anëtar i Komitetit të Përhershëm të Konferencës së Rektorëve të të gjithë Evropës.
 
Si rektor i Universitetit të Prishtinës parashtroi kërkesën, arsyetoi nevojën dhe përgatiti me ekselencë procedurën për ardhjen e profesorëve universitar të Shqipërisë për mësimdhënie në Universitetin e Kosovës në Prishtinë, ndërsa pas vendimit për ndalimin e ardhjes së mëtejme të profesorëve nga Shqipëria, ai ishte kundërshtuesi i parë dhe më i pa-kompromis i vendimit të qeverisë serbo-jugosllave, për ndërprerjen e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet  Universitetit të Prishtinës dhe atij të Tiranës, që ndalonte ardhjen e mëtejme të profesorëve nga Shqipëria në Kosovë.
 
Ishte nga profesorët e pakët apo edhe të vetëm në rangun e tij, që mori pjesë publikisht në demonstratat studentore të vitit 1981,për ç ‘shkak po më 1981, vetëm pak kohë pas demonstratave të atij viti, ai edhe do të suspendohej nga pozita e rektorit të Universitetit të Prishtinës.
 
Regjimi komunist me shkarkimin e tij, krijoi pasiguri totale dhe një boshllëk të pa zëvendësueshëm jo vetëm për Universitetin, por për gjithë sistemin juridik dhe arsimor të Kosovës.
 
Akademik Gazmend Zajmi, dëshmoi në vijimësi atdhedashurinë e tij të madhe, duke shtuar veprimtarinë e vendosur profesionale, pikërisht atëherë kur vendi dhe populli i tij, kishte më së shumti nevojë.

Ai mu në vitet më të vështira për vendin, derisa ishte edhe kryetar i "Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës", pas suprimimit të Kushtetutës së Kosovës nga Serbia, na vije si bashkëautor i "Apelit të 215 Intelektualëve Shqiptar", të cilët më 1989 dolën publikisht, kundër vendimit arbitrar të Serbisë për heqjen e autonomisë dhe me vetmohim, u vunë në mbrojtje të vendosur të mëvetësisë së Kosovës.
 
Gjendja e rëndë nën okupimin klasik nga Serbia kërkonte vendosmëri të paepur dhe qëndrueshmëri të fortë e të vazhdueshme, sakrifica të mëdha dhe përgjigje adekuate, virtyte të cilat nuk i kishte secili, por ato dëshmoi në vepër, se që të gjitha deri në një, edhe në ato kohë të vështira, i posedonte Akademiku ynë i ndritur Prof. Dr. Gazmend Zajmi.
 
Sa herë ishte në pyetje vendi dhe çështja e atdheut Dr.Gazmend Zajmi nuk e kurseu kurrë punën, mundin as sakrificën, duke dhënë çdo gjë nga vetja, për vendin e bashkëkombësit shqiptar nën pushtimin sllav, si dhe shtetin e ri, në ngritje të Kosovës.
 
Tradita e atdhetarisë së pinjollëve të kësaj familje, jo vetëm se vijoi pandalshëm dhe me besnikëri të pafund, por shkëlqeu edhe më fuqishëm, në të katër cepat e Arbërisë, veçanërisht në momentet më të shënuara historike të zhvillimeve politike në Kosovë.

Pikërisht në ato mote dramatike, personaliteti më i shquar akademik i kohës në vendin tonë, prof. dr. Gazmend Zajmi, në koordinim me presidentin historik të Kosovës dr.Ibrahim Rugova, i mori mbi vete vullnetarisht dhe përgatiti personalisht, pothuajse i vetëm të gjitha aktet e nevojshme juridike dhe statusore, për jetësimin në praktikë të Republikës së Kosovës.
 
Madje Akademi Gazmend Zajmi u përkujdes me përkushtimin më sublim, që për secilën fazë të zhvillimeve të parapara , të cilat ishin planifikuar qysh më parë nga shqiptarët, që të ndodhnin në Kosovë, ai ti kishte të gatshme dhe veç e veç, të gjitha aktet përkatëse të nevojshme juridike, që kërkoheshin për vulosjen e themelimit të shtetësisë së Kosovës.
 
Kontributi dhe bëmat e tij,jo vetëm që ishin të pazëvendësueshme por edhe të jashtëzakonshme të cilat, sot e përgjithmonë, na bëjnë që para emrit dhe veprës së Akademikut tonë vizionar, prof.dr.Akademik Gazmend Zajmi të përkulemi me respektin dhe pietetin më të lartë të mundshëm njerëzor e kombëtar.
 
Akademik Gazmend Zajmi, me autorizimin personal nga Dr. Ibrahim Rugova, kryetarit historik i Kosovës, ishte  edhe autor i Deklaratës së Pavarësisë të Republikës së ardhme të Kosovës, të njohur si "Deklarata e 2 Korrikut" të vitit 1990.

Kështu që në kohën më kritike të vëllimeve më të vrullshme politike në Kosovë dhe ish jugosllavi, si fillim vitet e 90-ta, me ç`rast edhe populli shqiptar po përgatitej të unifikohej si një, për ngritjen e statusit politik, lirinë dhe çlirimin e vet kombëtar, kryetari i Akademisë së shkencave dhe Arteve të Kosovës prof. dr. Gazmend Zajmi, hartoi me pedanteri të jashtëzakonshme â€¯“Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut”, aktin më të lart juridiko-politik të Kuvendit të Kosovës.
 
Akt, të cilin në mënyrën më burrërore dhe pa iu trembur syri, për asnjë moment, njërit as tjetrit, bashkë me mbi 109 deputetët që i shoqëronin, para dyerve të mbyllura me dhunë nga okupatorët serb, të Kuvendit të Kosovës dhe nën rrethimin e hekurt të policisë okupuese të Serbisë së Millosheviqit, më 2 korrik të vitit 1990, e lexuan deputetët heronj Muharrem Shabani dhe Bujar Gjurgjeala.

Po ashtu Akademiku më rrezatues që pati vendi ynë Kosova asokohe, prof. dr. Gazmend Zajmi ishte autor sublim edhe i Kushtetutës së Kosovës që u miratua me aklamacion nga Kuvendi i Kosovës dhe shndërrua në aktin më të lartë juridik dhe statusor të Republikës dhe shtetit të ardhshëm të Kosovës.

Pra,vetëm dy muaj më vonë, Akademik ynë i përndritur Gazmend Zajmi, do ta sfidonte edhe një herë hapur okupatorin serb, regjimin e Millosheviqit dhe tërë sistemin pushtues të Serbisë, duke kryer sërish me përgjegjësinë më të lart patriotike e kombëtare, detyrën e shenjtë të patriotit më sublim ndaj atdheut e çështjes kombëtare dhe përgatitur Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila më 7 shtator të vitit 1990,do të miratohej me aklamacion nga 111 deputetët e Kuvendit të Kosovës në qytetin e Kaçanikut.

Po ashtu, siç është e njohur tashmë edhe historikisht, ishte pikërisht prof. dr. Gazmend Zajmi, ai i cili sërish para hundëve të pushtuesit dhe nga posti zyrtar i kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, përgatiti të gjitha aktet e nevojshme juridiko-politike të referendumit popullor, që do të mbahej më 26 shtator të vitit 1991, me ç`rast qytetarët në gjithë vendin, u deklaruan me shumicën absolute të votave për Pavarësinë e vendit të tyre-Republikës së Kosovës.
 
Ky ishte Akademiku  ynë patriot i cili e mbrojti me aftësi, dije, këmbëngulje e vendosmëri, përvojën profesionale dhe të gjitha mundësitë që posedonte ai si njeri dhe akademik shkencoro-juridik, çështjen kombëtare dhe të drejtat e shqiptarëve, për Republikë, mëvetësi e çlirim nga pushtimi sllav. 
 
Përveç veprave voluminoze juridiko-profesionale akademik Gazmend Zajmi la të botuara edhe mbi 30 shkrime shkencore.

Por, pas gjithë asaj që bëri për vendin dhe kombin e tij, Akademiku ynë Gazmend Zajmi vdiq në moshë tejet të re dhe atëherë kur kishte arritur vetëm në vitin e 59 të jetës së vet, duke na lënë përgjithmonë pa njërin prej akademikëve dhe shkencëtarëve kushtetueso-juridik më të arrirë e më të zotin që pati Kosova dhe të gjithë shqiptarët kudo në trojet tona etnike.

Ai ndërroi jetë më 10 mars të vitit 1995 në Zagreb të Kroacisë, prej nga heroi i Republikës tonë u soll dhe varros me nderime të veçanta në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës dhe atdheut të tij të shtrenjtë, që pati nderin të shpallej Republikë dhe shtet sovran e i pavarur, pikërisht sipas akteve kushtetuso-juridike të përgatitura në mënyrën më ekscelente, nga vet Akademiku ynë i përndritur, i paharruari Prof. Dr. Gazmend Zajmi.

Trupi i pajetë i tij, u soll nga Zagrebi dhe varros me nderime të mëdha në kryeqytetin e vendit në Prishtinë, ku tash e atëherë, na kujton përherë të kaluarën e vështirë nën pushtimin e Serbisë dhe përndritëson përgjithmonë të tashmen dhe të ardhmen e atdheut tonë në liri, për të cilin ai si profesionist dhe njeri, dha gjithçka që mundi dhe arriti, si dhe shfrytëzoi pa asnjë ngurrim përvojën e veçantë dhe dijen e madhe që kishte, duke mos kursyer as vet jetën e tij personale, që pas themelimit de-jure të përgatiste ngritjen edhe de-fakto të shtetit tonë të ri, për ti hapur rrugën çlirimit dhe garantuar të ardhmen e shtetit të pavarur të Kosovës në liri.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)