18 Prill 2024

A mund te merret kjo fushate turistike si lobim, apo deshtim dhe diskreditim

Shkruar nga Behxhet Sh. Shala Bajgora

Pa gjeografi, nuk ka pavarësi: Institucionet e Kosovës, përkatësisht Kuvendi i këtij vendi të pavarur dhe sovran kanë vendosur përfundimisht ta bindin botën e painformuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim të vizave madje, me plotësimin e këtyre kushteve, si bonus kanë fituar të drejtën të lëvizin lirisht edhe në Kolumbi, Meksiko, Peru, Guatemalë, Gabon, Mauritani, Somali, Çad, Mali, Kongo dhe shtete tjera ku demokracia ka traditë shekullore.

Deri më tani ka pasur lobime të niveleve të larta sikur nga presidenti dhe ministri për punë të jashtme dhe personalitete tjera kosovare që bota iu për (k )ulet me respektin më të madh por se nuk janë treguar aq të suksesshme.

Edhe Shqipëria ka kontribuar shumë në këtë drejtim, sidomos politikanët që tymosin duhan të Lazaratit. Jemi dëshmitarë se Izraeli fort po e përkrahë Kosovën, e ka njohur moti pavarësinë e saj andaj, me të drejtë shkojmë atje, përqyrremi dhe vajtojmë te Muri i Lotëve. Për Vatikanin nuk kemi ç’të flasim, ata kanë shkuar përtej Rezolutës 1244 duke deklaruar se Kosova është, jo vetëm pjesë, por djep i Serbisë.

Prandaj i biem në gjunj çdo Pape dhe çdo kardinali.  Sipas disa politikanëve, njohja nga Vatikani është çështje orësh dhe kështu flitet në 10 vjetët e fundit.

Izraeli na ka ndihmuar shumë me konsulenca të tipit Thaçi and Saçi për çka i kanë rruar disa milionë euro sikur edhe me kriminelët që kanë dërguar pacientë të varfër për t’ua marrë organet dhe për të tregtuar me to.

Po në të njëjtin rrafsh janë edhe disa shtete islamike që aq shumë e ndihmojnë Kosovën, me së paku 90 % të besimit islam, duke investuar në Serbi miliarda dhe miliarda dollarë dhe euro.

 Dhe duke u përbetuar, sipas bekimit papënorë se kurrë nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Në disa raste, disa shtete islamike janë më ekstreme se vet Serbia në mohimin e pavarësisë së Kosovës.

Për fat të mirë sot ka ndryshuar situata, kemi politikanë të jashtëzakonshëm dhe deputetë që nuk i ka asnjë shtet evropian dhe se nuk ka gjasa t’i ketë!

Pikërisht për këtë, për t’i bindur edhe skeptikët apo mohikanët e fundit të mohimit të liberalizimit të vizave, një armatë e tërë apo një delegacion heterogjen por jashtëzakonisht i përkushtuar, sakrifikues, i pastër si loti, që nga nesër do ta fillojë lobimin për sigurimin e liberalizimit të vizave për ta dhe anëtarët e familjes së tyre sikur edhe shpurës që i shoqëron, deri në mëditjen e fundit!

Aty ka ish luftëtarë të ish së lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës , ekonomistë të denjë për Çmimin Nobel për Letërsi, këshilltarë të Pelave të Shamallukut, mbrojtës të përkushtuar të pronës publike të cilët, për shkak të humbjes së besimit te institucionet e vendit, paratë dhe të mirat e tjera materiale i ruajnë në objektet ku jetojnë apo ordinojnë, profesionistëve për shërbime orale (folës të spikatur), gazetarë të shquar për profesionalizëm të porositur dhe bosht kurrizor të tipit Harribo, deputetë që kanë fituar vota pa pasur fare nevojë për familjarët e tyre të famshëm, mbrojtës dhe njohës të çështjeve politike, ekonomike, sociale dhe filozofike që do t’ua kishte lakmi edhe vet Ciceroni i famshëm.

Kanuni i Lekë Dukagjinit, përkundër Kanunit të Lekë Lumezit, na mëson për hakmarrje dhëmb për dhëmb dhe sy për sy prandaj kurrë nuk do t’ia falim Vjenës që nuk na lejojë ta pushtojmë Eu( v )ropën , duke na ndalur te muret e Vjenës dhe duke i mposhtur sulltanët e prerandorisë otomane  prandaj edhe këtë fushatë po e fillojmë me Austrinë, përkatësisht Vjenën.

Çka na duhet Mocarti kur i kemi shahirët dhe profesionistët e daireve dhe daulleve ?! Me këtë ofensivë “ diplomatike “ po i shprehim mirënjohje dhe përkushtim Davutogllut dhe Erdoganit, për ta rikthyer lavdinë në të gjitha pjesët e botës që kanë qenë nën sundim otoman apo që kanë dashur të futen nën këtë sundim.

Pastaj, Vjena është kryeqytet i diplomacisë botërore dhe duhet të ndjehet e nderuar që diplomatët kosovarë, përkundër agjeeeendes së ngjeshur, po e ndajnë një kohë për të ligjeruar në këtë  akademi diplomatike e që, dorën në zemër është në nivel shumë më të ulët se akademia diplomatike e Bashkurcit në të cilën kanë diplomuar shumica e deputetëve të Kosovës dhe plejada e shkëlqyer e diplomatëve kosovarë !

Aty mund të takojnë edhe pensionistët si Rohan dhe Petriq , miq të presidentit tonë të respektuar dhe t’iu tregojnë se pjesë e delegacionit është një diplomate e shkëlqyer, ligjeruese në shumë akademi diplomatike botërore, shkruase dhe përpiluese e të gjitha dokumenteve më të rëndësishme ndërkombëtare, që nga Konferenca e Dejtonit e deri më tani, ndryshe mbesë e presidentit si dhe  trashëgimtarja e kapitalit politik të ish – presidentit duke ua sqaruar se këto dy shpresa diplomatike janë lutur shumë nga populli i Kosovës që të bëhen deputete dhe se është dashur të derdhen shumë lotë, djersë e sidomos para, ta pranojnë këtë përgjegjësi.

Kur ta pushtojnë Vjenën, do e thërrasim Erdoganin dhe Davutogllun për t’iu treguar se e përmbushëm amanetin  sikur që do të bëjmë edhe flijime tjera për shpirtërat e sulltanëve që nuk e kanë pushtuar Vjenën.

Meqë nuk kemi koqe ta kalojmë Urën e Ibrit sepse ia kemi frikën Rakiqit prej të cilit Agimi pëshurret me ta dëgjuar emrin e tij, qoftë prej frikës, qoftë nga kënaqësia, pa asnjë frikë do të marshojmë nën Portën e Bradenburgut.

Për disa nga delegacioni, Parisi do të jetë vendi ku, për herë të fundit do ta kenë rastin ta luajnë Tangon e fundit në Paris, për ta vazhduar edukimin muzikorë në Dubravë apo Gërdoc.

Ndërkaq, për disa të tjerë që duan ta parashohin fatin ashtu siç dëshirojnë, Roma është destinimi më i pëlqyer për ta. Saktësisht, për dikend që ka “ strehuar “ miliona euro para të shtetit në xhepat e tyre, Roma është qytet i bekuar për ta sepse, duke hedhur disa monedha, euro apo centë metalike në Fontana Trevi, mund të kërkojnë përmbushjen e dëshirave të tyre e në rastin konkret është që prokurorët dhe gjykatësit e EULEX-it, të kenë jetë të gjatë dhe shëndet të mirë dhe ta vazhdojnë misionin e tyre “ të sundimit të ligjit “ në Kosovë, në mënyrë edhe më konsekuente, duke u bërë ombudsperson i krimit të organizuar dhe korrupcionit për çka kanë dhënë dëshmi që nuk mund të mohohen.

Pyeteni për këtë ish – prokuroren Bamieh dhe gjyqëtarin Simons, që të dy, në mesin e shumë të korruprtuarve tjerë, edhe vet janë pjellë e EULEX-it .

Numri i madh i këtij delegacioni, po të ishte formacion ushtarak gjatë luftës së fundit në Kosovë, do të ishte përcaktues edhe për Betejen e Koshares dhe, po ky formacion lobues, i përkthyer në formacion ushtarak, po t’i shkonte në ndihmë komandantit legjendar në Prekaz, historia e Prekazit do të dukej   dhe shkruhej ndryshe !

Ky delegacion dhe në këtë përbërje, me njohuritë politike dhe diplomatike që nuk i ka, jo që nuk ka kapacitet t’i bindë burokratët e rryer dhe të regjur evropianë për të arriturat por se, pasi t’i kenë dëgjuar, ekziston rreziku potencial t’i fusin kufizimet për lëvizje edhe brenda territorit të Kosovës e lëre më ta fitojmë Shengenin.

 Nga përvoja e gjatë me “ miqtë” ndërkombëtarë jam bindur se kur të thonë se keni bërë punë të shkëlqyer nënkupton se na konsiderojnë budallenj ordinerë ndërsa, kur e shtojnë se keni t’i bëni edhe disa punë shtesë nënkupton se mund të bëhemi budallenj edhe më të mëdhenj !

Pastaj, duhet ta kemi të qartë se ka kaluar koha e Ali Bungut kur, për shkak të mungesës së teknologjisë informative, kemi folur ç’kemi dashur dhe se edhe budallakinë më të madhe e kemi llogaritur si diçka gjeniale.

Tash, shtetet ku po “ lobojnë “ urtakët dhe të mençurit e Kosovës i kanë vëzhguesit dhe diplomatët e tyre në Kosovë dhe i njohin të gjithë anëtarët e armatës lobuese, edhe më mirë se që e njohin ata veten e tyre. E njohin Kuvendin, kush çka diskuton dhe si diskuton, kush dhe si u bë deputetë, kush është në dashuri me gjyqin dhe a ka përfunduar divorci me gjykatën për shkak të hajnive dhe shpërdorimeve milionëshe etj.

Ne jemi mësuar t’i shesim njëri – tjetrit dushk për gogla, në perëndim nuk e njohin këtë llojë të tregëtisë. Është një rregull i pashkruar me të cilën mbrohet apo bëhet publike injoranca i një personi!

Dukja e një personi mund dhe është vetëm udhëzues apo sinjalizues identifikues për një injorant potencial, hapja e gojës përveç se e tregon higjienën orale dhe gjendjen e dhëmbëve, nëse shoqërohet edhe me fjalë, bëhet tregues e 100% e injorancës së dikujt.

Prandaj, është edhe rregull elementar i mirësjelljes që të mbani gojën mbyllur kur konsumoni ushqim kurse  mbajtja e gojës mbyllur kur jeni budalla, është pasuri më e vlefshme se të gjitha paratë që i keni vjedhur !

Bekimi po vazhdonë ta përdorë të njëjtën meny ushqimore duke deklaruar se nuk tregohen kompromiset, pa u arritur marrëveshja sikur që është duke folur për ngjyrën dhe madhësinë e të brendshmeve të ndonjë kurtizaneje që paguhet për shërbimet e jo për fatin e një vendi dhe 2 milionë qytetarëve të saj.

Madje, kësaj menyje kontaminuese po ia shtonë edhe një mëlmesë apo delikatesë se Shefi i Tij qenka paracaktuar për rolin e pazëvendësueshëm të kryenegociatorit, pavarësisht kundërshtimeve, duke e barazuar me Pejagmerin Muhamet apo Abrahamin (Ibrahimin), Moisin apo Musën.

Çka është e tepërt, është e tepërt, qoftë edhe nga Bekimi prandaj e sygjeroj ta lexojë paragrafin paraprak, nëse nuk dëshiron të shkojë në “ shpëortën e mbeturinave “.

Kurse, kryetarit të Kuvendit i isha drejtuar me një lutje ; lëri këta deputetë të bëjnë Bajram me anëtarët e familjes dhe të afërmit. Ramazani është muaj i rahmetit dhe solidaritetit. Mos i ngushto duke ua vënë një barrë të cilën nuk mund ta bartin, as fizikisht e lëre më politikisht. Liroje edhe veten tënde !

Jam në pritje që i Madhërishmi president të ma ndajë një znaçkë sikur disa patriotëve të mëdhenj dhe intelektualëve  që ua ndau këtë javë. Unë jam rast sui generis prandaj i meritoj dy dekorata për jubilenë e 10 vjetorit të pavarësisë, një znaçkë rreth qafe nga presidenti dhe një pirsing në vesh nga Shpend Ahmeti në mënyrë që të fitojë të drejtën të shtrihem gjerë e gjatë shesheve të Prishtinës, të lehë kur të dua dhe sa të dua, të sulmoj dhe kafshoj kur dhe kend të dua (e di kend duhet ta kafshoj). Shëndet dhe jetë të gjatë për të dy kryetarët, Hashim Thaçin dhe Shpend Ahmetin ! 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)