20 Prill 2024

A mund të ketë shoqëri demokratike, pa parti politike

Shkruar nga Mentor Barani

Shoqëria e Kosovës po kalon nëpër një proces të vështirë politik, nëpër një tranzicion tepër të mundimshëm. E ky proces, përfshinë gjitha aspektet e jetës në Kosovë, mirëpo partitë politike, janë ato grupe të organizuara, të cilat më së shumti kanë përgjegjësi për mbarëvajtjen e këtyre proceseve dhe demokratizimin e shoqërisë.

Ndërsa realiteti deri me tani, ka dëshmuar të kundërtën, sepse partitë politike, sidomos viteve të fundit, që nga vdekja e presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, kanë funksionuar si grupe të çorientuara politike, me fraksione mirëpo të palegjitimuara, fraksione këto që asnjëherë nuk kanë marrë status të njohur publik dhe të pranuar publik, sepse nuk janë motivuar nga qëllime të pastra politike, por nga interesa sekondare.

A mund të ketë shoqëri demokratike, pa parti politike të demokratizuara?

Përgjigja në këtë pyetje, sigurisht se është jo.

E pastaj shtrohet pyetja dhe dilema tjetër, a i kontribuojnë skenës politike fragmentimet e njëpasnjëshme, copëzat partiake dhe grupore pra ato që po i quajmë fraksione?

Në kohën e fundit, gjithnjë e më zëshëm shohim përpjekje të ndryshme për të legjitimuar fraksionet brendapërbrenda partive politike, pa u kuptuar tendencat e qarta politike të tyre.

Një vrojtues i jetës politike, pyet natyrshëm, a janë këto fraksione të motivuara nga interesa ideologjike, programore, ideore, apo vetëm në bazë të inateve të ndryshme, të X dhe Y, pse nuk është në pushtet apo krye të vendit? Vlimet e fundit politike brenda partive në vend, definitivisht po legjitimojnë fraksionet brenda partive politike.

Mirëpo, për çdo vrojtues të politikës, kjo ndarje e partive, apo siç e njohim me gjuhën popullore, kjo përçarje, nuk po bëhet në bazë të parimeve politike, në bazë të ideve dhe programeve të veçanta që ndjekin individ të caktuar, po mbi bazë të tekeve politike, inateve personale dhe aferave të ndryshme, që vijnë si rezultat i përjashtimit, spostimit apo humbjes së individit brenda partisë së caktuar.

Një shembull tipik për të analizuar këtë çështje është LDK-ja dhe përpjekja e ish presidentit të Kosovës dhe kryetarit të mëparshëm të kësaj partie, Z. Fatmir Sejdiu për t’u kthyer në krye të partisë që e humbi turpshëm.

Ne pyesim, nëse z. Sejdiu synon kthimin në krye të partisë, bazuar tek një platformë politike e ndryshme nga ajo që ndjek lidershipi i tanishëm i partisë, a ka ide tjera për organizimin e partisë, apo do kthimin në krye të saj, vetëm për hir të kthimit, për inate të caktuar, të cilat janë bë të mirënjohura tani për opinionin e gjerë.

Pra, partia e parë në Kosovë, LDK-ja, ajo e cila e promovoi demokracinë dhe u bë pishtare e saj, tashmë një kohë të gjatë, nga ajo që flitet dhe që shihet, vazhdon të jetë preh e grupimeve të ndryshme, por që deri tash asnjëherë nuk kanë marrë formë të organizmit si fraksione, me përjashtim të ndarjes së z. Nexhat Daci dhe djalit të ish Presidentit Rugova, z. Ukë Rugova. Mirëpo, në prapaskena shihet qartë se kjo parti është e fragmentuar dhe ka mbet pa koherencë politike.

Në anën tjetër, partia në pushtet, PDK-ja, është një parti që jashtë ka reflektuar një dukje të paqtë, të një partie ku çdo gjë shkon si është më së miri. Ka një kohë të gjatë qysh kjo parti po jep shenja tjera, madje shumë të ndryshme nga ato që janë proklamuar dhe tek të cilat ka mundur të besoj qytetari i ynë.

Ideja për një PDK unike, të ndërtuar mbi baza të idealeve, mbetet vetëm një iluzion i keq. Ajo tashmë jo vetëm që duket se po ndahet në fraksione, por është bë model më i çuditshëm i një partie që për kusure të caktuara, është në gjendje të bëj shumëçka të panatyrshme.

A ju kontribuojnë partive politike fraksionet?

Nëse ato do të formoheshin mbi principe të caktuara ideogjike, parimore dhe principipale, siç ngjet kudo nëpër botë, natyrisht se po. Por, në rastin e Kosovës, sikur tek LDK-ja, po ashtu tek PDK-ja dhe partitë tjera, shohim se fraksionet politike dhe mendimi ndryshe, nuk janë të një vije. Në fakt, fraksionet tek ne nuk krijohen nga mendimet ndryshe, nga programet ndryshe, nga idetë ndryshe, po nga inatet, teket, interesat klanore, grupore dhe jashtë standardeve të pranueshme demokratike.

Këto janë elemente të mjaftueshme që të bëjnë të kuptosh se fraksionet në shoqërinë tonë nuk i kontribuojnë zhvillimit të demokracisë dhe as partive politike. Ato krijojnë vetëm copëza politike, pa një lidhje organike të qëndrueshme dhe pa politika afatgjate.

Një gjë të tillë mund ta shohim tek fraksionet që kanë dal prej LDK-së, ai i Nexhat Dacit, i cili ka humb gjithë terrenin politik në vend dhe ai i ish djalit të presidentit Rugova, Ukë Rugovës, që në opinion është pranuar si një nga dështimet më të mëdha në skenën politike.

A po e ndjek të njëjtin fat, Fatmir Sejdiu dhe grupi i PDK-së në krye me Fatmir Limjan dhe Jakup Krasniqin, kjo është një çështje që mbetet të shihet në të ardhmen, edhe pse këto fraksione tani për tani mbesin një hipotezë.

Mirëpo, një gjë duket e sigurt, këto mendime artificiale ndryshe, tek ne gjerë më tani nuk kanë shënuar asnjë sukses. Të shohim si do rrjedhin në të ardhmen për të parë nëse i kanë shërbyer për të mirë demokracisë së brendshme në vend apo kanë deformuar edhe ashtu të brishtë demokracinë e vendit tonë.

Partia e parë e themeluar në Kosovë, LDK-ja po kalon ditë të vështira. Si parti, e cila theu muret e hekurta të monizmit politik, si parti që krijoi dhe drejtoi një shtet paralel të fuqishëm për rrethanat, brenda një regjimi të çmendur, siç ishte ai serb, ajo pas vdekjes së liderit shpirtëror, Ibrahim Rugova, ndarjes dhe krijimit të një koalicioni të panatyrshëm politik me PDK-në, tani ndodhet para sfidave të mëdha, shumë të paqarta dhe bukur të rrezikshme. Këto sfida, të cilat, janë të natyrave të shumëfishta, po i tkurrin bukur shumë këto parti. Të shpresojmë se këto nuk po e tkurrin demokracinë në vend, ashtu të brishtë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)