26 Prill 2024

8 Marsi i ri

Shkruar nga Partia Socialdemokrate

Organizimi publik i grave çdo herë ka qenë tejet i vështirë dhe është përcjellur me pësime edhe në jetën private.

Çdo protestë, grevë apo aksion i ri publik, shpesh kalonte në dhunë fizike e verbale në shtëpi.

Në anën tjetër, duke qenë se gratë takonin në statuse të ndryshme sociale dhe klasa të ndryshme shoqërore, organizimi bëhej edhe më i vështirë.

Organizimi në nivel sindikate ishte i pamjaftueshëm, sepse problemi nuk ishte vetëm klasor, ndonëse pikëprerje kishte edhe klasën.

As organizimi partiak nuk shquante luftën gjinore si shtypje që dallon nga ajo e pabarazive të përgjithshme sociale.

Gratë përballeshin me beteja të jashtme dhe të brendshme, në shtëpi e punë, në sindikatë e organizime (brenda)partiake. Fronte të hapura në të gjitha anët.

Këto beteja ende vazhdojnë. Por sot organizimi nuk e ka kusht hapësirën e përbashkët fizike.

Ndërlidhja e çështjeve bëhet globalisht dhe për këtë arsye sot protestohet në shumë vende të botës pavarësisht: kjo mund të shquhet si shpikje e re e hapësirës publike dhe metodë e re e organizimit politik.

Pikërisht vendi ynë e ka të domosdoshme të bëhet pjesë e kësaj beteje. Në Kosovë vetëm 12.6% e grave janë aktive në tregun e punës. Gratë janë të përjashtuara ekonomikisht dhe të keqtrajtuara sistematikisht.

Përmes përcaktimit si një ndër çështjet qendrore, "Vlera e punës së papaguar", është duke prekur lidhjen në mes të sistemit ekonomik neoliberal dhe rendit patriarkal të cilët tok së bashku justifikojnë njëri-tjetrin, duke e ngritur në nivele normative këtë lloj të shfrytëzimit, prej nga pastaj lindin detyrimet dhe nderi i gruas.

Për këto arsye, shpikja e hapësirës së re të njohjes dhe qëndresës, që në boshtin e saj ka çështje përbashkuese është jetike për fuqizimin e lëvizjes feminste.

Transformimi i hapësirës nga çfarë është nënkuptuar me të historikisht, është zbulimi që i takon gruas sot.

E, gratë nga Kosova duhet të shënohen në hartën e fronteve që i kanë shpallur luftë patriarkatit.

Edhe tani, si përherë, përgjigja dhe zgjidhja qëndron tek organizimi dhe solidariteti. Gjetja e çështjeve përtej kufirit nacional është nevojë dhe mundësi e kohës.