29 Mars 2024

Vendimmarrja e MMPH-së sfidon mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Prizren

Prizren, 15 shkurt - Kërkesa e vazhdueshme e EC Ma Ndryshe për unifikimin e veprimeve të institucioneve lokale dhe atyre qendrore për zbatim të ligjit dhe rend urbanistik në Prizren vazhdon që të shpërfillet nga autoritetet përkatëse.

Praktika e mos koordinimit ndërinstitucional, sikurse edhe mos unifikimi i procedurave mes tyre, po krijon rrethana të pafavorshme për ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore në këtë qytet.

Komuna e Prizrenit me 13 shkurt 2020 ka publikuar informatën për publikun lidhur me projektin e kompleksit afarist-banesor në ish fabrikën e Farmakosit ku në afërsi ditë më parë është djegur “Ndërtesa Austriake”.

Komuna ka njoftuar se pas vendimmarrjes së MKRS-së, DUPH-ja më 22.11.2019 kishte refuzuar kërkesën e investitorit për ndërtimin e objektit disa katësh, derisa MMPH-ja më 10.01.2020 merr vendim që ta shpallë të paligjshëm aktvendimin e Drejtorisë.

 “Djegia e ndërtesës në lokacionin ku parashihet ky projekt nuk e ndryshon qëndrimin e Komunës dhe në vijim do të shikohen mundësitë ligjore që të kundërshtohet vendimi i MMPH-së”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Një praktikë e ngjashme ka ndodhur edhe me kërkesën e një investitori tjetër për ndërtimin e objektit për banim kolektiv në rrugën “Rifat Krasniqi” në Prizren.

QRTK-ja në Prizren me 01.10.2019 ka lëshuar vendim për refuzimin e kërkesës për ndërtimin e këtij objekti, për arsye se:

-Parcelat për të cilat është parashtruar kërkesa gjenden në Zonën e Dytë të Mbrojtjes, sipas Planit të përgjithshëm të Prizrenit, ku lartësia e lejuar për këtë zonë është P+2;

-Parcelat për të cilat është parashtruar kërkesa gjenden në kufirin verior të Qendrës Historike të Prizrenit, respektivisht brenda rrezes 100 metra;

-Në këtë zonë gjenden disa shtëpi të vjetra tradicionale me etazhitet P+0 dhe P+1;

-Ndërtimi i një objekti kolektiv me etazhitet 2B+S+P+3+NK do të ndikonte negativisht në strukturën urbane të lagjes dhe do të degradonte vlerat ambientale të kësaj zone.

Bazuar në këtë vendim, DUPH me datë 09.10.2019 ka nxjerrë aktvendimin për refuzimin e kërkesës së investitorit. Mirëpo MMPH-ja më 24.10.2019 ka nxjerrë vendim që të aprovohet si e bazuar ankesa e investitorit dhe ka anuluar aktvendimin e DUPH-së dhe vendimin e QRTK-së, duke detyruar DUPH-në që të veproj sipas kërkesës së investitorit konform dispozitave të Ligjit për Ndërtim. Pas kësaj, DUPH-ja me 24.01.2020 merr vendim për lëshimin e lejes ndërtimore për objektin e banimit kolektiv.

EC Ma Ndryshe përkujton se disa herë ka bërë thirrje publike që Institucionet e nivelit lokal dhe qendror t’i unifikojnë veprimet për zbatim të ligjit dhe rend urbanistik në Prizren.

Prandaj EC-i, përsëri i bën thirrje Komunës së Prizrenit, si dhe ministrive përkatëse në Qeverinë e re të Kosovës, që të ndërmarrin nisma për bashkërendimin e veprimeve me qëllim të vënies së rregullit urbanistik dhe zbatimit të tërë legjislacionit në fuqi, pa e veçuar vetëm një ligj të caktuar.

Të dyja nivelet e qeverisjes duhet të bëjnë përpjekje për respektimin e legjislacionit në tërësi, unifikimin e procedurave dhe koordinim më të mirë, me qëllim të ruajtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore dhe interesit publik në Prizren.  
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)