29 Mars 2024

Vajzat ngrisin zërin për problemet në komunitet

Prishtinë, 17 gusht - Organizata KosovaLive në bashkëpunim me organizatën ndërkombëtare GlobalGirl Media në vitin 2015 ka themeluar byronë për edukimin dhe fuqizimin e vajzave të reja përmes medias. Byroja titullohet “Girl Be Heard/ Vajzë Dëgjohu” dhe është aktive në shumë vende të botës: Los Anxhelos, Afrikë e Jugut, Londër, Çikago, Maroko, Oakland dhe Nju Jork.

Deri më tani pjesë e byrosë në Kosovë janë rreth 40 vajza të moshës 16 deri 24 vjeç, të cilat kanë raportuar për çështje të rëndësishme, siç janë: ekonomia, shëndetësia, të drejtat e fëmijëve, të drejtat e grave, të drejtat e njeriut, siguria, teknologjia, etj. Gjithashtu kanë prodhuar disa video-storie dhe kanë fituar deri më tani 7 çmime nëpër festivale të ndryshme.

Qëllimi kryesor i byrosë është t’ua mundësojë vajzave ta ngrisin zërin rreth çështjeve të ndryshme që i preokupojnë ato në komunitetin ku jetojnë.

"Prej nëntorit ne presim gjeneratën e katërt të vajzave, prandaj kemi hapur aplikimin për të gjitha vajzat e moshës 16-24 vjeç, të cilat dëshirojnë që përmes artikujve dhe video-storieve të kontribuojnë në shoqëri dhe në komunitetin ku ato jetojnë, duke trajtuar tema interesante", thuhet në një komunikatë të kësaj organizate.

Për vajzat që dëshirojnë të mësojnë më shumë për projektin, do të mbahet një sesion informues në zyrat e organizztës më 5 shtator në orën 11:00. Në këtë sesion të interesuarat kanë mundësinë që edhe të takohen me vajzat që tashmë janë pjesë e byrosë dhe t’u bëjnë pyetje për detajet që u interesojnë.
 
Prej vajzave pjesëmarrëse kërkohet angazhim maksimal dhe serioz në punën e tyre 5-mujore. "Presim që ato t’i përfundojnë në kohë obligimet ndaj projektit (përmbushja e numrit të artikujve dhe video-storieve të kërkuara)", thuhet në komunikatë. Puna e vajzave do të mbikëqyret vazhdimisht nga stafi i organizatës KosovaLive.

Shkrimet e vajzave do të publikohen në ueb-faqen e Kosova Live, ndërsa video-storiet do të publikohen në Youtube dhe në faqen zyrtare të organizatës në Facebook.

"Të interesuarat i inkurajojmë ta plotësojnë aplikacionin", thuhet në komunikatë. Në bazë të aplikacionit bëhet përzgjedhja e vajzave të cilat fitojnë të drejtën të trajnohen për shkrim, përdorim të kamerës dhe editim. Pas trajnimeve bëhet përzgjedhja finale e tetë vajzave, të cilat bëhen pjesë e projektit “Vajzë Dëgjohu”. Vajzat e përzgjedhura do të jenë të angazhuara në projekt për një periudhë 5-mujore. Ato njoftohen me kohë për detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)