19 Nëntor 2018

Sot fillon fushata vetëdijesuese mbarëkombëtare Një Miliard në Këmbë

Prishtinë, 14 shkurt - Fushata vetëdijësuese mbarëkombëtare One Billion Rising apo Një Miliard në Këmbë do të organizohet edhe këtë vit për të pestën herë në Kosovë.

Sot në Prishtinë tek Teatri Kombëtar, Sheshi Skenderbeu do të jehojë nga muzika, performanca dhe protesta tradicionale e grave dhe burrave të cilët e dënojnë shfrytëzimin e grave.

Nikoqire e këtij organizimi nga ky vit do të jetë Qendra për art dhe komunitet- Artpolis në bashkëpunim me këto organizata: Rrjeti i Grave të Kosovës, Programi për Studime Gjinore, Cel Kosova, Këshilli Rinor Kosovar, PEN - Peer Educators Network, Qendra Kosovare për Studime Gjinore, ECMI Kosovo dhe ORCA.
 
Me 14 shkurt në gjithë botën organizohet fushata One Billion Rising, si protestë kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Sipas statistikave, një në tri gra në planet, dhunohet apo rrihet gjatë jetës së saj që do të thotë Një miliard gra dhe vajza.

Çdo shkurt njerëzit ngriten në qindra vende të botës, për t’i treguar komuniteteve tona lokale dhe botës se si duken Një miliard gra dhe vajza, si dhe për të hedhur dritë mbi mosndëshkimet dhe padrejtësitë me të cilat të mbijetuarat çdo ditë përballen.

Njerëzit ngriten përmes vallëzimit për të shprehur gëzimin dhe komunitetin dhe për të festuar faktin se ne nuk jemi të mposhtura nga kjo dhunë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 nëntor 2018 - Kuvendi i Republikës së Kosovës shënon Diten e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve.(Ndërtesa e Kuvendit, salla C 405, ora 10:00)

- Kryeparlamentari Kadri Veseli merr pjesë në Ditën e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 405, ora 10:00)

- Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare. (Ndërtesa e Kuvendit, salla  C-301, ora 11:00)

- Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim do të përurojë impiantin i për trajtimin e ujërave të zeza në vise rurale në fshatin Kramovik, Komuna e Rahovecit. (Fshati Kramovik, ora 11:00)

- Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Impiantit për Trajtimin e Ujërave të Zeza - moçalishtë e ndërtuar në Kramovik të komunës së Rahovecit. (Fshati Kramovik, ora 11:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti, do të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me Kryetarin e Komunës së Ferizajt, Agim Aliu për avansimin e pozitës së të rinjve në sport, kreativitet kulturor dhe mendim kritik dhe në dituri. (Objekti i Komunës së Ferizajt, ora 11:00)

- Kryeparlamentari Kadri Veseli merr pjesë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 11:00)

-  Mbahet ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Integrimit Evropian dhe Norvegjisë, me ç’rast nënshkruhet projekti përkrahës i Norvegjisë për ngritjen e kapaciteteve të shërbyesve civilë për zbatimin e MSA-së. (Ndërtesa e Qeverisë, salla e Konferencave P-32, ora 11:00)

- Mbahet sesioni informues i thirrur nga  Fondi i Ballkanit Perëndimor e cila është thirrja e dytë me radhë për propozimet e projekteve rajonale. (Ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, ora 11:00)

- Kryeparlamentari Kadri Veseli pret në takim të përbashkët ministrin e Financave, ministrin e Drejtësisë dhe kryeshefin e Agjencisë Kundër Korrupsionit në Kosovë. (Kabineti i Kryeparlamentarit, ora 13:00)

- Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, mban takim me të rinjtë e Nismës në Shtime. (Shtëpia e Kulturës në Shtime, ora 16:00)
 
- Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, mban takim me të rinjtë e Nismës në Lipjan. (Golden Day në Lipjan, ora 18:00)

- Galeria Kombëtare e Kosovës organizon hapjen e ekspozitës “Muzeu i tri pikave” të artistit Lulzim Zeqiri. (Galeria Kombëtare e Kosovës, ora 20:00)