26 Janar 2022

Samir Karahoda ftohet të bëhet pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit

Prishtinë, 14 janar - Regjisori i njohur kosovar Samir Karahoda është ftuar të bëhet pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit.

Filmi dokumentar i shkurtër “Në mes” ishte debutimi i tij regjisorial, i cili në 2019 shfaqi premierën botërore në Berlinale si filmi i parë kosovar që konkurroi në këtë festival.

‘Në mes’ ishte gjithashtu edhe kandidat për çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit EFA në 2019. ‘Pa vend’ është filmi i tij i dytë me metrazh të shkurtër i cili shfaqi premierën në konkurencën zyrtare në Festivalin e Filmit në Kanë në 2021 dhe prej nga u shpërblye me nominim për çmimin e Akademisë Evropiane EFA për filmin më të mirë evropian.

Në shtator 2021, ‘Pa vend’ fitoi çmimin IMDb Pro shortcuts si filmi më i mirë i shkurtër në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto.

Samir Karahoda në vitin 2019 është shpërblyer me çmimin vjetor të kinematografisë nga Ministria e Kulturës.

Akademia Evropiane e Filmit u themelua më 1989 si Shoqëri Evropiane e Kinemasë nga presidenti i saj i parë Ingmar Bergman dhe 40 kineast të tjerë për të çuar para interesat e industrisë evropiane të filmit.

Synimet e Akademisë janë të ndajë njohuritë dhe të edukojë audiencën e të gjitha moshave rreth kinemasë evropiane. EFA momentalisht numëron rreth 4200 anëtarë nga lëmi të ndryshme të kinematografisë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 janar 2022

- Kuvendi Komunal i Gjilanit mban seancën e radhes. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës së Gjilanit, ora 10:00)

- Komuna e Rahovecit organizon homazhe dhe nderime për dëshmorët e kombit: Nesimi Elshani, Agron Fetahu, Halim Hoti dhe Hilmi Krasniqi, të rënë në Brestoc me 27 janar 1990. (Brestoc, ora 10:00)

- Kuvendi i Kosovës mban seancën e jashtëzakonshme në të cilën do të mbahet debat parlamentar për gjendjen e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 11:00)

- Komuniteti Bektashian i Kosovës Gjyshata Gjakovë organizon ngjarjen përkujtimore për një vjetorin e kalimit nga jeta të ish-Kryetarit të Komunitetit Bektashian të Kosovës, Baba Mumin Lama si dhe 47 vjetorin e kalimit nga jeta të Baba Musa Himaduna, njëkohësisht rivarrimin e tij në tyrben e baballarëve bektashian në Gjakovë. (Ambientet e Teqesë Bektashiane në Gjakovë pranë “Hani i Haraçisë”, ora 11:00)
 
- Komuna e Rahovecit organizon manifestimin përkujtimor e kulturor për dëshmorët e kombit: Nesimi Elshani, Agron Fetahu, Halim Hoti dhe Hilmi Krasniqi. (Salla e Kuvendit Komunal në Rahovec, ora 11:00)

- Me rastin e 30 vjetorit të Shtëpive-Shkolla, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama së bashku me ekipin e tij, do ta vizitoj Muzeun “Shtëpitë-Shkolla” te familja Hertica, shtëpi këto që u shndërruan në shkolla në periudhën e rezistencës mbarë popullore kundër regjimit serb. (Kodra e Trimave, ora 12:00)

- Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë organizon ngjarjen kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, e cila këtë vit i kushtohet shkrimtarit, veprimtarit politik, laureatit të Çmimit Nobel për Paqe dhe të mbijetuarit të Holokaustit, Elie Wiesel.  (Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë, ora 12:00)

- Institutit për Politika Zhvillimore mban konferencën lidhur me situatën energjetike në vend. (Zyret e INDEP, ora 14:00)

- Kuvendi i Kosovës mban seancë plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 15:00)