29 Tetor 2020

Qeveria miraton 4 propozime të ministres Dumoshi për bashkëpunim me Shqipërinë

Prishtinë, 28 shtator - Qeveria e Kosovës në mbledhjen  e sotme ka miratuar propozimet e Ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, për Kalendarin e Përbashkët Kulturor mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, i cili nënshkruhet nga dy ministret respektive të kulturës.

Po ashtu, Qeveria ka miratuar gjithashtu edhe Marrëveshjen e cila do të nënshkruhet për bashkëprodhime filmike mes Kosovës e Shqipërisë, e cila do të mundësojë bashkëpunimin mes Qendrës Kinematografike të Kosovës me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë së Shqipërisë, që do të shërbejë në prodhimin e filmit dhe forcimin e mëtejmë të lidhjeve kulturore dhe etnologjike midis dy vendeve. Me këtë marrëveshje parashihet edhe ndarja e përbashkët e çmimeve për fushën e kinematografisë.

Gjithashtu, është miratuar edhe Memorandumi i bashkëpunimit, i cili do të nënshkruhet mes Kosovës e Shqipërisë për veprimtarinë botuese dhe librit me qëllim të rritjes së shkëmbimit kulturor në këtë fushë, të qarkullimit të librit dhe të bashkëpunimit të Bibliotekave Kombëtare të të dyja vendeve.

Edhe në fushën e sportit, Qeveria, miratoi propozimin e ministres Dumoshi për memorandumin Ligën Unike në Basketboll e cila do të jetë një mbështetje institucionale për themelimin e një lige të përbashkët në basketboll.

Ministrja Dumoshi, me rastin e miratimit të propozimeve të MKRS-së nga ana e Qeverisë tha se janë vendime të cilat do të ndikojnë në rritjen e bashkëpunimit konkret të Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e kulturës.

“Me vendimet të cilat ka miratuar Qeveria në mbledhjen e sotme, Kosovës dhe Shqipërisë i hapet rruga për shkëmbimin e përvojave në fushat e kinematografisë, të librit dhe aktiviteteve tjera kulturore që institucionet tek ne dhe në Shqipëri i planifikojnë për t’i zhvilluar me qëllim të kultivimit të vlerave të mirëfillta kombëtare dhe me këtë rast dua ta falënderojë Qeverinë Hoti për miratimin e këtyre nismave”, u shpreh ministrja Dumoshi.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 Tetor 2020 - Open Data Kosovo në bashkëpunim me Zyren për Qeverisje të Mirë lanson projektin “Iniciativa për Qeverisje të Hapur dhe të Mirë”, të financuar nga programi MATRA 2020 në kuadër të Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Kosovë. (Hotel Sirius, ora 9:30)

- Vazhdon seanca plenare e Kuvendit te Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 10:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti së bashku me Zëvendëskryeministrin e parë Besnik Tahiri, merr pjesë në tryezën “Reforma e administratës publike: Shtytja e saj përpara”. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 10:00)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi do të vizitojë Komunën e Ferizajt ku do te takohet me Kryetarin e Komunës, Agim Aliu. (Zyra e Kryetarit të Komunës, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, e thirrur nga kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit, në Shtëpia e Bardhë, ora 10:00)

- Mbahet takimi i 188-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës. (Takimi do të organizohet nëpërmjet video konferencës, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e dhjetë e rregullt e Kuvendit Komunal të Rahovecit. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal në objektin e ri të komunës, ora 10:00) .

- Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, do të pres në takim ministrin e Transportit të Maqedonisë së Veriut, Blagoj Boçvarski. (Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, salla P-37​, ora ora 10:30)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi do të vizitojë punimet në ndërtimin e Pallatit të Kulturës. (Afër Qendrës së Inovacionit në Ferizaj, rruga "Brahim Ademi", ora 10:40)
 
- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi pruron fushat e tenisit. (Afër Palestrës së Sporteve "Bill Clinton" në Ferizaj, ora 11:00)

- Mbahet seanca plenare e Kuvendit te Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 11:00)

- Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi dhe ministri i Transportit të Maqedonisë së Veriut, Blagoj Boçvarski mbajnë konferencë për medie. (Salla e konferencave në Qeveri të Kosovës, ora 11:15)

- Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri viziton Komunën e Rahovecit. (Komuna e Rahovecit, ora 13:00)