29 Mars 2024

PriFest zbulon anëtarët e jurive për edicionin e 11

Prishtinë, 6 korrik - Në prag të edicionit të tij të 11, PriFest zbulon anëtarët e jurive. Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë do t’i ketë 8 juri, secila me nga 3 anëtarë, të cilët do t’i përcaktojnë fituesit e çmimeve në 5 programet garuese të filmit.

Sipas traditës, PriFest do të jetë nikoqir i emrave të mëdhenj nga kinematografia dhe industritë filmike ndërkombëtare, evropiane dhe rajonale, të cilët do t’i bashkohen anëtarëve të komunitetit artistik kosovar, si dhe përfaqësuesve të studentëve dhe mediave, për t’i vlerësuar filmat që do të marrin pjesë në programet garuese të festivalit.

Në progrmain kryesor, Mjaltë dhe Gjak / programi garues i Ballkanit, juria do të përbëhet nga Karin Dix (Gjermani), drejtoresha e projektit Shooting Stars të European Film Promotion; Daniel Mulloy, regjisor filmi nga Britania e Madhe dhe fitues i katër çmimeve BAFTA; dhe Eponine Momenceau, xhiruese nga Franca, e njohur për punën e saj në “Dheepan”, që fitoi çmimin Golden Palm.

Juria e programit garues evropian sivjet do të përbëhet nga Claudia Landsberger, producente me përvojë dhe anëtare e kahmotshme e komitetit përzgjedhës për programin garues të Berlinales; Armond Morina, aktori i mirënjohur kosovar; dhe Vladimir Anastasov, producenti i spikatur nga Maqedonia.

Një nga programet kyçe të festivalit, programi garues i metrazhit të mesëm, do të gjykohet nga producenti i filmit dhe ekzekutivi i industrisë së mediave nga Holanda, Raymond van der Kaaij; filmofili kosovar Kushtrim Krasniqi, si dhe Petar Protic, kuratori i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Novi Sad të Serbisë, “Cinema City”.

Programi garues i filmave dokumentarë do të vlerësohet nga kritikja e mirënjohur e filmit nga Parisi, Barbara Lorey de Lacharriere; aktori i famshëm nga Shqipëria, Lulzim Zeqja; dhe regjisori dhe producenti i filmave dokumentar, e njëkohësisht edhe drejtori i International Queer & Migrant Film Festival në Amsterdam të Holandës, Chris Belloni.

Juria e programit garues të studentëve do të përbëhet nga Myra Appannah, drejtoreshë e kompanisë londineze të mediave BRiGHTBLACK, ekspertja e Realitetit Virtual dhe bashkëkuratorja e Play UK Festivals të British Council; Fabio Tucci, Menaxheri i Festivalit të Romës, Intramovies; dhe Besmir Bitraku, aktori i teatrit dhe filmit nga Tirana.

Juria e mediave, e cila do ta gjykojë Programin e Filmave Evropianë, do të përbëhet nga gazetari i mirënjohur, moderatori televiziv, ligjëruesi dhe aktivisti social, Adriatik Kelmendi; aktorja dhe gazetarja e kulturës në RTK, Rabije Kryeziu; dhe gazetari e redaktori i bazuar në Prishtinë i cili ka fituar disa çmime për punën e tij, Arbër Selmani.

Juria FIPRESCI, e cila para pesë vitesh e zgjodhi PriFestin në Kosovë si festivali në të cilin do të jepnin çmimin prestigjioz për filma të Ballkanit; përbëhet nga tre kritikë të filmit dhe gazetarë me shumë përvojë: Dieter Wieczorek, me origjinë nga Gjermania dhe i bazuar në Paris; Barbara Glebicka Giza, profesoreshë dhe kritike e filmit e bazuar në Poloni; dhe Steven Yates, kritik filmi dhe gazetar britanez i bazuar në Berlin.

E për fund, Juria e Pavarur e Studentëve - nëpërmjet së cilës PriFest i jep rol të rëndësishëm studentëve nga Kosova duke i mundësuar atyre ta gjykojnë programin garues të filmave të metrazhit të mesëm - përbëhet nga studentët e aktrimit Dora Xhemajli dhe Armend Ballazhi, dhe studentja e marketingut dhe administratës së biznesit, Elena Tafa.

PriFest nis më 16 korrik, prej kur filmat do të shfaqen në katër lokacione të ndryshme: Teatri Kombëtar, Kino ABC, Kino Armata dhe Kinemaja Open-Air te Sheshi Zahir Pajaziti.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet në Teatrin Kombëtar në ditën e fundit të festivalit, më 21 korrik.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)