24 Janar 2019

Organizohet shfaqja teatrale 'Surpriza'

Prishtinë, 8 qershor - Aksioni për Nëna dhe Fëmijë në partneritet me organizatën Save the Children në Kosovë organizoi shfaqjen teatrale “Surpriza” me datën 8 Qershor në Sheshin “Nëna Terezë”.

Kjo shfaqje është e bazuar në programin “Disiplina Pozitive në Prindërimin e Përditshëm” dhe ka për qëllim vetëdijesimin e prindërve për rritje të shëndetshme të fëmijëve.

Ky program është zhvilluar si një përgjigje ndaj rekomandimeve të Raportit Botëror të Kombeve të Bashkuara për Dhunën kundër Fëmijëve, të cilët kërkojnë eliminimin e ndëshkimit fizik dhe ndëshkimeve të tjera poshtëruese të fëmijëve, si dhe kërkojnë mbështetjen e prindërve për të mësuar qasje jo të dhunshme në rritjen e fëmijëve.

“Jemi shumë të lumtur se shfaqja përfundoi me sukses dhe mesazhi i shfaqjes u përçua tek të pranishmit. Qëllimi i kësaj shfaqje ishte ngritja e vetëdijesimit dhe të inkurajojmë implementimin e këtij programi në familjen e secilit. Ne si organizatë kemi për qëllim mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe ndalimin e ndëshkimit fizik dhe psikologjik te fëmijët ” u shpreh Albiona Beselica Beha, Kordinatore e Projektit në Aksionin për Nëna dhe Fëmijë.

Koncepti dhe realizimi i shfaqjes “Surpriza” u bë nga Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet, ndërsa aktorët e shfaqjes ishin Verona Koxha, Kaltrinë Zeneli, Fisnik Sykaj dhe Edlin Gashi.

 

---

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 janar 2019  - Projekti i financuar nga Bashkimi Evropian “Mbështetje Kodit Civil – faza 2”, i cili po mbështetë Ministrinë e Drejtësisë organizon ngjarjen “Rruga drejt një Kodi Civil modern të Kosovës,”. (Amfiteatri i Madh në ndërtesën e re të Qeverisë, ora 9:30)

- Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova do të marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit të Kodit të ri Civil për Kosovën në Ministrinë e Drejtësisë. (Amfiteatri i Madh në ndërtesën e re të Qeverisë, ora 10:00)

- Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria e Kosovës organizojnë aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut për nevojat e Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzion të Gjakut. (Komanda e  Forcave Tokësore të FSK-së, kazerma “Adem Jashari” në Prishtinë, ora 10:00)

- Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj pret në takim kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, me të cilin do të nënshkruaj marrëveshje bashkëpunimi. (Kabineti i ministrit te Infrastrukturës dhe Transportit, ora 10:00)

- Lëvizja Vetëvendosje! shënon 100 vjetorin e vdekjes së Ismail Qemalit me homazhe tek shtatorja në Prishtinë. (Prishtinë, ora 10:30)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi në të cilën do të diskutohet lidhur me kërkesën e Rektorëve të Universiteteve Publike rreth programeve të pa akredituara. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 11:00)

- Me rastin e 90 vjetorit të lindjes së regjisores së mirënjohur të kinemasë shqiptare Xhanfise Keko, nën patronatin e Ministrisë së Kulturës dhe Ambasadës së Shqipërisë, do të shfaqet premierë filmi dokumentar "Koha e pelikulës" i regjisorit Mevlan Shanaj, dedikuar artistes që ia kushtoi krijimtarinë, botës së madhe të fëmijëve të vegjël. (Kino ABC, ora 11:00)
 
- Kryeministri Ramush Haradinaj vizitë pune në ndërmarrjen “Fox Marble”. (Fshati Poturovc në Lipjan, ora 12:30)

- Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, do të mbajë mbledhjen e radhës, në të cilën do te shqyrtohet draft-Planit të punës së Komisionit për vitin 2019. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N-302, ora 13:00)

- Mbahet takimi i përbashkët i Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës. (Objekti i Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Rr. “Luan Haradinaj”, ora 14:30)

- Jepet shfaqja “I vetëm në banesë” i autorit gjilanas Avni Shkodra, me regji të Natyra Kallabës, kurse do të luajnë aktorët e Tetarit të Gjilanit. (Teatri i qyteti te Gjilanit, ora 19:00)