28 Mars 2024

Ndërtohet Qendra e edukimit jo-formal me përvojë amerikane për rininë e Kosovës

Prishtinë, 22 maj - Pas vizitës, në fillim të këtij muaji, e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në SHBA, ku ka qëndruar në degën e Amerikës së organizatës botërore për rini YMCA, sot në MKRS është nënshkruar memorandumi i bashkëpunimit për financimin e projektit “Qendra e edukimit jo-formal për rini”.

Memorandumi u nënshkrua mes MKRS-së dhe OJQ “George Williams Youth Association in Kosovo” (GWY), respektivisht ministrit Kujtim Gashi dhe drejtoreshës së GWY-së, Dorina Davies. Ky dokument parasheh investimin e MKRS-së në vlerë financiare prej 150 mijë euro për projektin “Qendra e edukimit jo-formal për rini” me lokacion në fshatin Pjetërshan në Komunën e Gjakovës, i cili do të realizohet në vitin 2018.

Investimi në këtë projekt ofron një platformë dhe infrastrukturë fizike me kushte shumë të mira për zhvillim të aktiviteteve për të rinjtë dhe rejat e Republikës së Kosovës përfshirë komunitetet pakicë, personat me aftësi të kufizuara, organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet shtetërore.

Ministri Kujtim Gashi u shpreh se me nënshkrimin e memorandumit mundësohet krijimi i një hapësire të re për të rinjtë e Kosovës.

“Ndjehem shumë i lumtur që përmes nënshkrimit të sotëm, të rinjve të Kosovës do t’ua mundësojmë që të kenë një qendër të mrekullueshme që të trajnohen dhe edukohen në fusha të ndryshme. Bashkëpunimi me GWY-në e cila është përfaqësuese e YMCA-së në Kosovë është një rast i mirë, sepse do të realizojë aftësimin e mëtejmë të të rinjve, sidomos me përvojën amerikane për organizimin e rinisë”, ka thënë ndër të tjera ministri Gashi.

“Si ministër dhe MKRS-ja mbetemi të angazhuar maksimalisht që ta mbështesim grupin shoqëror më të rëndësishëm dhe më të ndjeshëm të vendit tonë, rinisë. Vit pas viti, kemi rritur buxhetin për rininë, kemi përkrahur drejtpërdrejt të rinjtë përmes subvencionimit të projekteve të ndryshme në ndërmarrësi, në sigurinë njerëzore, në edukimin shëndetësor, në edukimin jo-formal. Kemi investuar dhe janë në plan të investohen edhe më tej, projekte kapitale duke ndërtuar qendra të rinisë nëpër lokacione të ndryshme anekënd Kosovës, siç është edhe memorandumi që nënshkruam sot”, tha ministri.

Ndërsa, udhëheqësja e OJQ “GWY”, Dorina Davies, e falënderoi ministrin për gatishmërinë e treguar për realizimin e projektit. “Qendra multifunksionale që do të ndërtohet është e para e këtij lloji në rajonin e Ballkanit dhe Kosova është me fat për këtë. Sot është një ditë historike për të rinjtë. Kjo qendër do t’i ketë 90 shtretër, salla për trajnime të ndryshme”, tha Davies, duke shtuar se edhe shkollat e Kosovës mund t’i dërgojnë fëmijët në këtë qendër, e cila përpos edukimit jo-formal ka për qëllim edhe nxjerrjen e talenteve të ndryshme në art dhe sport.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)