25 Prill 2024

MKRS për vitin 2018 ka një rritje buxhetore për sektorin e rinisë

Prishtinë, 4 janar - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur sot në takim një grup të të rinjve vullnetarë të organizatës  “Let’s Do It Kosova”.

Në këtë takim u diskutua gjatë rreth kushteve të punës vullnetare të të rinjve të Kosovës. Ministri Gashi iu uroi mirëseardhje përfaqësuesve të organizatës “Let’S Do It Kosova”.

Ai i njoftoi të pranishmit se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për vitin 2018 ka një rritje buxhetore për sektorin e rinisë dhe se prioritet i Ministrisë për këtë vit do të jetë rinia.

Po ashtu ministri i njoftoi edhe me një program që pritet të themelohet në kuadër të Ministrisë së Rinisë i cili do të quhet Fondi Rinor, si dhe planifikimin për ndërtimin e një Qendre të Edukimit Jo-Formal për të rinjtë, e cila do të jetë qendra më e madhe rinore në rajon.

Ministri po ashtu theksoi se duke qenë se  Udhëzimi Administrativ për Vullnetarizmin ka hapësira dhe zbrazëti të mëdha, po punohet në ndryshimin e këtij Udhëzimi Administrativ por edhe për hartimin e një Ligji për vullnetarizmin i cili do të përfshijë edhe çështjen e rinisë, ku theks të veçantë do të ketë njohja e punës vullnetare si përvojë e punës, si dhe do të pajisen vullnetarët me kartelën e vullnetarit.

Ai tha se bashkërisht edhe me organizatat tjera, me një bashkëpunim të jashtëzakonshëm do t’i shtyjmë proceset përpara dhe se MKRS-ja do të jetë mbështetëse e madhe e punës vullnetare të të rinjve.

Të rinjtë vullnetarë e njoftuan ministrin se problemi kyç me të cilin përballen janë kostoja e lartë për realizimin e aktiviteteve si pasojë e së cilës shumë ide dhe projekte të tyre mbesin të parealizuara.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i kësaj organizate Luan Hasanaj, falënderoi Ministrin Gashi për pritjen. Ai po ashtu falënderoi ministrin për gatishmërinë për të bashkëpunuar duke u shprehur se do të punohet shumë në rritje të këtij bashkëpunimi në mënyrë që të realizohen aktivitetet e tyre vullnetare.

Gjithashtu ai  vlerësoi edhe iniciativën për ndërtimin e një Qendre Rinore me përmasa rajonale, si një nevojë shumë e madhe e të rinjve të cilët aktualisht kanë mungesë të hapësirave për zhvillimin e aktiviteteve rinore.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)