22 Tetor 2019

MKRS nënshkruan memorandum me Ferizajn në vlerë mbi 4 milion euro

Prishtinë, 16 shtator - Qyteti i Ferizajt do të bëhet me Qendër Multifunksionale, projekt i parë i kësaj natyre në Kosovë.

Kjo pasi Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, nënshkroi memorandum bashkëpunimi me Kryetarin e Ferizajt, Agim Aliu.

Projekti kapital, i cili është investim i MKRS-së, sipas memorandumit, parasheh që të investohen mbi 4 milionë euro të ndara në 3 vite, 2019 deri 2021.

Me këtë rast, ministri Gashi sqaroi se projekti në fjalë, është projekti i parë në Kosovë i kësaj natyre, ku do të ndërtohet një qendër me shumë funksione, për të organizuar koncerte, ngjarje e takime të ndryshme kulturore e të rinisë.

“Është projekti i parë në Republikën e Kosovës. Është një projekt i cili ngërthen në vete hapësira të ndryshme për zhvillimin e aktiviteteve kulturore, rinore dhe sportive, në mesin e të cilëve do të ketë edhe një sallë prej 840 ulëseve, pastaj hapësira për galeri si dhe pjesë e qendrës do të jetë edhe muzeu i qytetit si dhe sallat koncertale e teatrale”, sqaroi mes tjerash ministri Gashi.

Ministri foli edhe për bashkëpunimin e deritashëm që MKRS-ja ka pas me Komunën e Ferizajt, dhe falënderoi drejtuesit e komunës për gatishmërinë dhe përkushtimin për të punuar dhe shtyrë përpara projektet që janë në dobi të Ferizajt me rrethinë, duke thënë se në qytetin e Ferizajt planifikohen që për tri vitet e ardhshme të investohen mbi 10 milionë euro.

Ministri Gashi po ashtu përmendi edhe projektet që janë finalizuar sa ishte ministër dhe ato që janë në finalizim e sipër si investimet në rinovimin e stadiumit të qytetit dhe finalizimin e sallës së sporteve dhe panaireve në Greme, rinovimin e teatrit aktual dhe tërë këto po bëhen, sipas ministrit, sepse Ferizaji ka një traditë jashtëzakonisht të mirë të zhvillimit të aktiviteteve.

“Kemi përkrahur edhe shumë aktivitete e festivale me karakter kombëtar e ndërkombëtar në Ferizaj”, u shpreh ministri Gashi duke treguar mbështetjen e institucionit për jetën kulturore e sportive në Ferizaj.

Ndërkaq, kryetari Agim Aliu, tha se sot është një ditë e gëzuar për Ferizajin, ngase bashkë me ministrin nënshkruan një memorandum shumë të rëndësishëm për komunën dhe qytetin që ai udhëheq.

“Ajo që e bën të veçantë ditën e sotshme dhe në përgjithësi mbështetjen e projekteve që janë bërë nga ministri Gashi është se sot kemi nënshkruar një projekt unik për Ferizajn, Qendrën Multifunksionale. Dhe me këtë rast, e falënderoj ministrin Gashi për vazhdimësinë e mbështetjes që keni treguar gjatë këtyre dy viteve”, tha Aliu.

Në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit, i pranishëm ishte ish-deputeti i kësaj zone, Ilmi Reçica, i cili tha se ky projekt në radhë të parë do të jetë në interes të qytetarëve të Ferizajt dhe falënderoi ministrin Gashi e kryetarin Aliu për punën dhe bashkëpunimin e mrekullueshëm

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 tetor 2019 - Me rastin e 30 vjetorit të rënies së komunizmit, Instituti Shkencor Kosovaro-Suedez do të organizojë konferencën shkencore ndërkombëtare me titull '30-vjetori i rënies së sistemit komunist'. (Hoteli Sirius, ora 9:00)

- Nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit mbahet dita e dytë e “Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit” me ç‘rast do të organizohet konferencë per koordinimin ndërinstitucional në trajtimin e rasteve të trafikimit të qenieve njerëzore si dhe sfidat në trajtimin e rasteve të dhunës seksuale gjatë luftës. (Hotel Emerald, ora 9:30)

- Drejtori i Zyrës për Rritje Ekonomike pranë misionit të USAID-it në Kosovë, Matthew Cullinane, do të flasë në hapjen e Konventës së tretë vjetore të Industrisë së Veshmbathjeve në Kosovë. (Hoteli Emerald, ora 10:00)

- Punëtorët teknik të Fakulteteve të UP-së “Hasan Prishtina” në Prishtinë, do të protestojnë para Rektoratit të UP-së. (Para Rektorati, ora 10:00)

- Nën patronatin e kryetarit të komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri do të mbahet Panairi i Sportit me të gjitha klubet sportive të qytetit të Mitrovicës. (Sheshi “Isa Boletini” në Mitrovicë, ora 10:00)

- Dega e Alternatives në Gjakovë mban konferencë për media. (Zyrët e Alternativës në Çarshinë e Jupave në Gjakovë, ora 11:00)

- Bëhet promovimi i librit “Gjinekologjia me obstetrikë  për infermieri dhe mami” me autore Prof. dr. Myrvete Paçarada dhe bashkautorë  Ass. dr. Vlora Ademi Ibishi dhe Ass. dr. Nyltene Kongjeli. (Biblioteka Kombëtare e Kosovës, ora 11:00)

- Më rastin e Ditës Boterore të Energjisë, Instituti për Politika Zhvillimore mban konferencë për media me temë 'Cilat duhet të jenë prioritete e qeverisë së re në sektorin e energjisë në Kosovë?  - Rekomandime dhe propozime nga shoqëria civile'. (Zyrët e Resource Center (Lagjja Pejton, Rr. Pashko Vasa, nr. 1, përballë Hotel Royal, ora 13:00)

- Këshilli Prokurorial i Kosovës mban takimin e 173-të. (Objekti i Prokurorisë së Shtetit, ora 13:30)

- ETEA organizon premierën e shfaqjes “Muret Flasin” që i dedikohet përkujtimit të organizimit të arsimit paralel gjatë viteve të '90-ta. (Shtëpia - shkollë “Sami Frashëri” e familjes Aliu - Hertica, ora 20:00)