24 Shtator 2020

MKRS investon me 2.6 milionë për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Suharekë

Suharekë, 30 korrik - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, bashkë me zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj, zëvendësministrat Halil Matoshi e Nexhat Ramadani dhe një pjesë të stafit të MKRS-së kanë vizituar sot Komunën e Suharekës.

Gjatë kësaj vizite ministrja Dumoshi dhe stafi i MKRS-së u pritën në Komunë nga kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj.

Në takim u bisedua për projektet që financon MKRS-ja dhe bashkëpunimin me Komunën. Gjatë takimit u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyqi”, projekt ky për të cilin MKRS-ja do të investojë rreth 2.6 milionë euro.
 
Ministrja Dumoshi me këtë rast tha se nënshkrimi i këtij memorandumi ka rëndësi të madhe. Ky investim i kontribuon jetës kulturore në Suharekë dhe u ofron kështu qytetarëve mjedise ku mund të përcjellin ngjarje kulturore e artistike.

“Shtëpia e Kulturës mban emrin e Ukë Bytyqit, veprimtar i cili ka punuar shumë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. E kemi për detyrim të kujdesemi dhe këto objekte me emra të mëdhenj t’ua lëmë trashëgimi gjeneratave të reja”.


Ministrja Dumoshi vizitoi edhe stadiumin e qytetit të Suharekës ku njoftoi se MKRS-ja ka ndarë 200 mijë euro për rinovimin e këtij stadiumi. Kjo në vazhdën e investimeve që MKRS-ja po bën në komuna të ndryshme nëpër Kosovë, për ta ndihmuar e rregulluar infrastrukturën sportive.


Ministrja po ashtu njoftoi se sot fillojnë punimet për ndërtimin e stadiumit ndihmës në fshatin Studenqan të Suharekës. Ajo theksoi se ky stadium do të jetë i kategorisë së parë sipas kushteve të UEFA-së dhe siguroi që pas finalizimit këto projekte të jenë një ndihmë e madhe për qytetarët e Suharekës. 

Ministrja Dumoshi tha se sa i përket trashëgimisë kulturore, MKRS-ja është duke punuar në projektin për Shtëpinë - Muze “Fadil Vata”, në fshatin Sallagrazhdë dhe shtoi se MKRS-ja ka projekte edhe për rininë duke i inkurajuar të rinjtë që përmes organizatave komunale të aplikojnë dhe të jenë fitues të këtyre projekteve.

“Bashkërisht me kryetarin diskutuam për projekte që janë shumë të nevojshme e të cilat do të parashihen në buxhetin e vitit 2021. Si ministre e kam për detyrë bashkëpunimin me të gjithë kryetarët e komunave të Kosovës”, tha mes tjerash ministrja Dumoshi.

Ndërkaq zëvendëskryeministri Driton Selmanaj tha se në këtë komunë do të ketë investime edhe në infrastrukturë dhe do të ketë edhe në projekte të tjera për ta përmirësuar jetën e njerëzve.

Shtëpia e Kulturës do t’ia shtojë bukurinë qytetit meqë Suhareka është vend i vogël por me vlera të mëdha.

Kryetari Bali Muharremaj u shpreh i lumtur për vizitën e krerëve institucionalë dhe për investimet e pakursyera në këtë komunë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 Shtator 2020

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi viziton Komunën e Ferizajt. (Objekti i Komunës Ferizaj, ora 9:30)

- Në kuadër të Javës së sporti, Federata e Pingpongut në bashkëpunim me Departamentin e sportit të MKRS do të organizoj një aktivitet promovues për pingpongun në Pejë. (Sheshi Dukagjini në Pejë, ora 10:00)

 - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi viziton Mural Fest. (Muralet e qytetit në Ferizaj, ora 10:00)

- Komuna e Prizrenit fillon projektin e Drejtorisë së Shëndetësisë për Kujdesin Geriatrik me ç'rast kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Visar Shehu dhe drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë, Narqize Arënliu Hoxhaj do të prononcohen për media. (Nisja do të bëhet nga objekti i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, ora 10:00)

- Mbledhja e komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në të cilën do të shqyrtohet plani i punës së Komisionit për sesionin vjeshtor 2020. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:30)

 - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi merr pjesë në ndarjen e certifikatave për të rinj të trajnuar për ndërmarrësi. (Qendra e Inovacionit në Ferizaj, ora 11:00)

- Zëvendësguvernatori për Mbikëqyrje Financiare, Sokol Havolli dhe Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi mbajnë konferencën për media. (Auditoriumi i BQK-së, ora 11:30)

-  Mbahet mbledhja e komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione në të cilën do të shqyrtohet Projektligji për mbrojtje nga dhuna në familje. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)
 
 - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi merr pjesë në aktivitet me misionin e OSBE-së. (Muzeu i Kosovës, ora 14:00)