13 Nëntor 2019

MKRS dorëzon kallëzim penal ndaj përgjegjësve që kanë dëmtuar Kalanë e Artanës

Prishtinë, 6 shtator - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nëpërmjet Prokurorisë Themelore të Gjilanit ka paraqitur kallëzim kundër Srgjan Gjorgjeviç me banim në Artanë (Novobërdë) dhe kundër kompanisë “KOTO” nga Serbia, konkretisht Beogradi, e kontraktuar për realizimin e punimeve në projektin e Revitalizimit të Kalasë së Artanës.

Kallëzimi penal ndaj të sipërpërmendurve është bërë sepse ekziston dyshimi i bazuar mirë se të dyshuarit kanë kryer veprën penale që u vihet në barrë, ku Srgjan Gjorgjeviç duke vepruar në emër të kompanisë “Koto” në cilësinë e mbikëqyrësit të Projektit për Revitalizimin e Kalasë së Artanës (Novobërdës) ka kryer veprën penale “Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës”, kurse kompania “Koto” mban përgjegjësi për veprën penale në cilësinë e personit juridik.

Kallëzimi penal ndaj të dyshuarve është me arsyetimin se Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore pas marrjes së njoftimit lidhur me dëmtimet në Kalanë e Artanës më datë 5 shtator 2019 ka dalë në vendin e ngjarjes, ku pas takimit me mbikqyrësin e kompanisë “Koto” (tani të dyshuarin) e cila po kryen punimet për revitalizimin e Kalasë, ka konstatuar dëmet që i janë shkaktuar mureve të jashtme të Kalasë, si plasaritje të thella të tyre dhe eventualisht ekziston edhe rreziku i shembjes së tërësishme.

Ky veprim është paraparë si vepër penale sipas ligjit dhe me të drejtë MKRS-ja ka nisur procedurat para vënies para drejtësisë dëmtuesit e trashëgimisë kulturore në Kosovë.

Projekti i revitalizimit të Kalasë së Artanës financohet nga UNESCO dhe kompania fituese ka qenë e obliguar që t’i kryej punimet nën mbikëqyrjen e zyrtarëve profesional të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

Më datë 2 shtator 2019 duke mos përfillur obligimet për të njoftuar organin mbikëqyrës e cila është në kundërshtim edhe me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, e ka angazhuar një eskavator dhe ka filluar që t’i rrënoj muret rrethuese të Kalasë.

Me këto veprime të cilat janë në kundërshtim edhe me standardet e ndërhyrjeve konservuese-restauruese në objekte të trashëgimisë kulturore, i ka shkaktuar dëme të konsiderueshme këtij aseti të trashëgimisë tonë kulturore.

Pasi që në veprimet e të dyshuarit të përshkruar më lartë qëndrojnë të gjitha elementet e veprës penale Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës, si MKRS i kemi propozuar Prokurorit të Shtetit, që ndaj të dyshuarin të ngrisë Aktakuzë në Gjykatën kompetente me propozim që të dënohet sipas ligjit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 13 nëntor 2019

- Save the Children në bashkëpunim me Minstrinë e Arsimit dhe Institutin Pedagogjik organizojnë konferencën ndërkombëtare ‘Fuqizimi i Kujdesit, Zhvillimit dhe Edukimit në Fëmijërinë e Hershme’ që ka për qëllim të ofrojë mundësi për hartuesit e politikave, ofruesit e shërbimeve, përfaqësuesit nga akademia dhe akterë të tjerë, për t’u informuar dhe ndarë praktikat më të mira mbi rëndësinë e investimeve në kujdesin dhe zhvillimin e fëmijërisë së hershme. (Hotel Sirius, ora 9:30)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon tryezën e diskutimit lidhur me dy projekte të mëdha të Ministrisë së Infrastrukturës siç janë, rehabilitimi i rrugës Prishtinë - Pejë dhe Prishtinë - Mitrovicë ku edhe do të bëhet edhe publikimi i hulumtimit mbi arsyet e vonesave në punime në këto dy rrugë, i titulluar “Rrugë pa fund”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Organizata "Voice of Roma, Ashkali and Egyptians" VoRAE organizon Festivalin Multikulturorë i pari i këtij lloji në Kosovë. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Grupi për Studime Juridike dhe Politike organizon tryezën e diskutimit me temë “Roli i vendimeve të Gjykatës Supreme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit: Një thirrje për disiplinim të gjyqtarëve që marrin vendime të kundërligjshme”. (Qendra e konferencave Orion, ora 10:30)

- Në kuadër të fushatës “Jo drogë tek të rinjtë”, Task Forca Anti Drogë tek të rinjtë dhe siguri në Shkolla do të organizoj pritje për student, ku do të shfaqin prezantimet me njohurit e tyre lidhur me narkotikët, si dhe do të bashkëbisedojnë me Shefin e Task Forcës Anti Drogë. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P38, ora 11:00) 

- Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Prizrenti, Visar Shehu, do të mbajë konferencë për shtyp për ta njoftuar opinionin publik me më të rejat nga fusha e shëndetësisë. (Zyret e Shërbimit Urgjent, rruga Tirana në Prizren, ora 11:00)

- Ambasada e Francës në Kosovë mban konferencë për media në të cilën do të prezantojë edicionin e 19 - të Festivalit të Filmit Frankofon në Kosovë i cili organizohet në bashkëpunim me përfaqësitë diplomatike të Zvicrës, Belgjikës dhe Luksemburgut, Aleancën Franceze, Ministrinë e Punëve të Jashtme, si dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës. (Salla e konferencave në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ora 12:00)

- Teatri i Qytetit te Mitrovicës "Muharrem Qena" shfaq premierën teatrore “Kur treni vonohet”, me autor Osman Goranci dhe me regji të Artan Tmavës. (Qendra e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, ora 19:00)