05 Qershor 2020

MKRS dhe UNICEF me program për fuqizimin ekonomik të të rinjve

Prishtinë, 22 maj - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, znj. Vlora Dumoshi, priti sot në takim shefin e UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin. Ministrja Dumoshi e falënderoi z. Sahin dhe zyrën e UNICEF-it në Kosovë për rolin që kanë luajtur për lehtësimin e menaxhimit të situatës me Covid-19, si dhe vlerësoi lartë dhe angazhimin e UNICEF-it në programe të ndryshme fuqizuese për të rinjtë e Kosovës, në veçanti.

Ajo theksoi se angazhimi i të rinjve dhe infrastruktura ligjore që garanton siguri, punë e aktivizëm të të rinjve në Kosovë duhet të jetë kruciale për institucionet e Kosovës. Ndër të tjera e përgëzoi edhe për iniciativën gjithëpërfshirëse #vizapërfëmijë, e cila përmes përkrahjes dhe thirrjeve për promovimin e politikave gjithëpërfshirëse, ka kontribuar për ambient të barabartë për çdo fëmijë.

Z. Sahin, ndërkaq, e njoftoi Ministren Dumoshi për programet e UNICEF-i të cilat fokusohen në zhvillimin e hershëm të fëmijëve, në fuqizimin e rinisë dhe të fëmijëve me aftësi të kufizuara. Zyra e UNICEF-it në Kosovë që nga viti 2014 implementon programe dhe platforma për të rinj, si UPSHIFT, PODIUM, PONDER, KoVo dhe U-Report, të cilat fuqizojnë të rinjtë dhe i ndërtojnë shkathtësitë për punë dhe jetë.

Marrë parasysh situatën me Covid-19 dhe pasojat ekonomike e shoqërore që do të ketë për shoqërinë, pikë kyçe e këtij takimi ishte bashkëpunimi i mëtejmë i MKRS-së dhe UNICEF-it në lidhje me një program gjithëpërfshirës (Kosovo Generation Unlimited) për fuqizimin e rreth 10.000 të rinjve në Kosovë.

Ministrja Dumoshi u shpreh shumë pozitive dhe e lumtur që ajo si Ministre dhe MKRS do të jetë pjesë integrale e një programi të tillë, i cili e prek pikën më vitale të shoqërisë kosovare - rininë. MKRS dhe UNICEF bashkërisht në javët dhe muajt në vazhdim do të punojnë ngushtë që objektivat dhe informatat rreth këtij programi fuqizues ekonomik t’i bëjnë të çasshme për sa më shumë të rinj.

Ministrja Dumoshi dhe Z.Sahin, u pajtuan që ky të jetë takimi i parë i cili do t’u paraprijë takimeve dhe punëtorive të tjera për bashkëpunim të mëtutjeshëm, në dizajnimin dhe jetësimin e kësaj nisme premtuese.

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 Qershor 2020 - Pranimi i detyrës nga Ministri i zgjedhur, Selim Selimi. (Ministrinë e Drejtësisë, objekti ish-Rilindja, ora 9:00)

- Fillon pastrimi i deponisë inerte në fshatin Lebane. (Përfundimi i autostrades në anën e djathtë, ora 10:00)

- Mahet mbledhja e komisionit për Mbikëqyrjen e Financave në të cilën do të behët shqyrtimi i raportit të auditimit për Pasqyrat vjetore financiare të Ministrisë së Drejtësisë. (Ndertesa e Kuvendit, salla  N302, ora 10:00)

- Në kuadër të fushatës "Ta Pastrojmë Kosovën", Komuna e Prizrenit do t'i bashkëngjitet fushatës globale "Dita e Pastrimit të Botës 2020”, për të promovuar rëndësinë e kujdesit ndaj mjedisit, duke marrë për bazë faktin se ky aktivitet do të promovohet në nivel global. (Brigjet e liqenit të Vërmicës, ora 10:30)

- Për Ditën Botërore të Mjedisit, Instituti për Politika Zhvillimore organizon panelin e diskutimit me titull “Tani është koha për natyrën!”. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Kryetari i degës së PDK-së në Prizren Shaqir Totaj, do të mban një konferencë për Media. (Zyret e degës në Prizren, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 12:00)

- Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, pranon detyrën. (Ndërtesa e Ministrisë se Ekonomisë dhe Ambientit, ish-objekti i MZHE-së, ora 13:00)

- Ekipa qëndrore e “Ta Pastrojmë Kosovën” së bashku me vullnetarët fillon aktivitetet në Komunën e Suharekës, ku do të ketë aksion pastrimi dhe mbjellje, në bashkëpunim me komunën e Suharekës. (Suharekë, ora 14:30)

- Kryeministri Avdullah Hoti pret në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 15:45 - vetëm pamje)