24 Shtator 2020

Ministrja Dumoshi takoi drejtorin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka

Prishtinë, 6 gusht  - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka zhvilluar sot një takim me përfaqësuesin e autorizuar të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i OEAK-ut.

Në takim u bisedua për bashkëpunimin mes MKRS-së dhe OEAK-ut në nisma të përbashkëta të cilat janë në interes të dyanshëm dhe në dobi të promovimit të projekteve dhe aktiviteteve të ndryshme.

Ministrja Dumoshi tha se është e gatshme të bashkëpunojë me OEAK-un në projekte që ndërlidhen ngushtë me fushat që mbulon ministria. Ajo e njoftoi drejtorin Zeka për angazhimet që po ndërmerr MKRS-ja në kohën e pandemisë, duke realizuar aktivitete në distancë në pamundësi për të konkretizuar shumë pjesë që janë paraparë në programin e sivjetmë të ministrisë.

Ndërkaq, përfaqësuesi i OEAK-ut, Arian Zeka, e njoftoi ministren për punën që realizon Oda dhe e informoi për planet që kanë për realizimin e një ekspozite me fotografi për përvjetorin e vizitës së parë senatorit Robert Dole në Kosovë, me ç’rast kërkoi edhe mbështetjen e MKRS-së.

Ministrja Dumoshi tha se senatori Dole ka bërë aq shumë për Kosovën sa që meriton çdo respekt, mirënjohje dhe falënderim. Një ekspozitë për vizitën e tij në Kosovë do të ishte e mirëpritur dhe do ta përkrahim pa hezitim, tha ministrja.

Ministrja Dumoshi e drejtori Zeka u pajtuan që do të konkretizojnë veprimet për realizimin e ekspozitës në mënyrë artistike e profesionale, e cila planifikohet të realizohet në Prishtinë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 Shtator 2020

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi viziton Komunën e Ferizajt. (Objekti i Komunës Ferizaj, ora 9:30)

- Në kuadër të Javës së sporti, Federata e Pingpongut në bashkëpunim me Departamentin e sportit të MKRS do të organizoj një aktivitet promovues për pingpongun në Pejë. (Sheshi Dukagjini në Pejë, ora 10:00)

 - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi viziton Mural Fest. (Muralet e qytetit në Ferizaj, ora 10:00)

- Komuna e Prizrenit fillon projektin e Drejtorisë së Shëndetësisë për Kujdesin Geriatrik me ç'rast kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Visar Shehu dhe drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë, Narqize Arënliu Hoxhaj do të prononcohen për media. (Nisja do të bëhet nga objekti i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, ora 10:00)

- Mbledhja e komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në të cilën do të shqyrtohet plani i punës së Komisionit për sesionin vjeshtor 2020. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:30)

 - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi merr pjesë në ndarjen e certifikatave për të rinj të trajnuar për ndërmarrësi. (Qendra e Inovacionit në Ferizaj, ora 11:00)

- Zëvendësguvernatori për Mbikëqyrje Financiare, Sokol Havolli dhe Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi mbajnë konferencën për media. (Auditoriumi i BQK-së, ora 11:30)

-  Mbahet mbledhja e komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione në të cilën do të shqyrtohet Projektligji për mbrojtje nga dhuna në familje. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)
 
 - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi merr pjesë në aktivitet me misionin e OSBE-së. (Muzeu i Kosovës, ora 14:00)