18 Prill 2024

Me 16 maj shfaqet premiera “Babai dhe Babai”

Prishtinë, 11 maj - Me tekstin “Babai dhe Babai” nga Jeton Neziraj, nën regjinë e Kushtrim Koliqit dhe me aktorët Ilire Vinca, Bujar Ahmeti dhe Kosovare Krasniqi, Integra ka realizuar një tjetër projekt teatror i cili në një mënyrë të jashtëzakonshme e trajton çështjen e personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

Me një ndërthurje mahnitëse mes trajtimit të kësaj çështjeje nga aspekti i “të pagjeturve” dhe nga aspekti i atyre që ata lanë pas, kjo shfaqje na sjell jetën dhe sfidat e një familje normale e të zakonshme, të paktën në dukje.
 
Shfaqja paraqet jetën e Dinit, i cili jeton me gruan e vet Sarën dhe vajzën e tyre Lolën. Jeta e tyre është goxha e njëtrajtshme, megjithatë, kjo njëtrajtshmëri duket se vie nga hallet e problemet e jetës me të cilat ballafaqohen. Por përtej kësaj ‘njëtrajtshmërie’, duket se në shtëpi ka edhe një palumturi të pashpjegueshme.

“Babai dhe Babai”, në dukje një dramë për sfidat e zakonshme të jetës së një familjeje, na zbulon një histori tronditëse dhe një traumë të thellë shoqërore, një plagë që ka ngelur e pashëruar dhe e cila personazhet i mban peng, përgjithmonë.

Përfundimisht, kjo është një dramë për ata që duam t’i mbajmë afër... dhe i mbajmë, në një mënyrë apo tjetër!

Pjesë e ekipit artistik të këtij prodhimi janë edhe Njomëza Luci, kostumografe; Adhurim Grezda, kompozitor; Mentor Berisha, skenograf; Kaltërim Balaj, asistent regjisor; Leart Rama, video realizator, Skender Latifi, dizajner i dritave dhe Florian Mehmeti, dizajner.

Premiera e shfaqjes “Babai dhe Babai” do të jepet më 16 maj prej orës 20:00 në Muzeun Etnologjik “Emin Gjiku” në Prishtinë.

Për të vazhduar menjëherë më 17, 18 e 19 maj, me reprizat e para të kësaj shfaqje, që do të jepen nga ora 20:00, po ashtu në Muzeun Etnologjik “Emin Gjiku” në Prishtinë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)