28 Shtator 2022

Mbahet konferenca për promovimin e punësimit multietnikë në institucione

Prishtinë, 22 korrik - Zyra e Kryeministrit, nëpërmjet Zyrës për Çështje të Komuniteteve, ka mbajtur sot konferencën për promovimin e punësimit multietnikë në institucione. Në këtë konferencë të pranishëm ishin Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut në Republikën e Kosovës, Emilija Redžepi, Këshilltarja për Çështje të Komuniteteve e Kryeministrit, Elizabeth Katherine Gowing, dhe Zëvendësshefja e misionit të Ambasadës Norvegjeze, Jenny Stenberg.

Në fjalën e tij hyrëse kryeministri Kurti shprehu kënaqësinë që ishte në këtë konferencë që siç tha ai, pasqyron diversitetin tonë të pasur dhe të ardhmen e institucioneve tona. Njëkohësisht kryeministri falënderoi Ambasadën e Norvegjisë në Kosovë për përkrahjen e madhe që i ka dhënë Zyrës për Çështje të Komuniteteve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, për programin e praktikantëve gjatë këtij viti dhe gjatë viteve të kaluara.

‘’Duke angazhuar 100 praktikantë të rinj, me prioritet të rinjtë nga komunitetet joshumicë, së bashku kemi mundësuar praktika për të rinjtë nga të gjitha komunitetet’’, theksoi kryeministri Kurti i cili po ashtu shprehu kureshtjen që të dëgjonte nga praktikantët për përvojat nga praktika duke shpresuar që kanë mësuar gjëra që mund t’ju shërbejnë për karrierën e tyre të mëtutjeshme profesionale.

Praktikantët e programit në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, treguan për rrugëtimin e tyre dhe mundësinë që të jenë pjesë e kësaj zyre, derisa falënderuan kryeministrin për hapësirën dhënë atyre për t’u bërë pjesë e institucioneve të vendit.

“Ju siguroj që do ta keni përkrahjen time për fillim të mbarë të karrierave tuaja profesionale brenda institucioneve tona. Sepse këto institucione nuk janë të qeverisë por janë tuajat dhe ju në këto institucione jeni në shtëpinë e juaj dhe ju nuk i përkisni vetëm një komuniteti të veçantë por i përkisni profesionit të cilin do ta ushtroni me zell dhe pa pengesa në vendin tuaj të punë” u shpreh ndër të tjerash, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.


 


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 28 shtator 2022

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim udhëheqësin e Njësisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Vassilis Maragos. (Kabineti i kryetarit, ora 9:50 - Mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit)

- Koalicioni 27, grupi i organizatave të shoqërisë civile që punojnë në fushën e mjedisit bën publikimin e raportit “Shkatërrimi ekologjik - Koha të veprojmë” i cili paraqet gjendjen e mjedisit në Kosovë, në raport me kërkesat e Bashkimit Evropian në kapitullin 27 “Mjedisi dhe ndryshimet klimatike”. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton raportin e shpenzimeve të Kuvendit, të Bankës Qendrore, Fondit të Kursimeve Pensionale, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

- OJQ EC Ma Ndryshe mban konferencën “Zhvillimi i turizmit rural dhe trashëgimisë shpirtërore - Një e ardhme e domosdoshme?”. (Kino Lumbardhi në Prizren, ora 10:00)

-  Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale takohet me kryesuesen e Bordit të Shërbimit Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës znj.Aida Rexhepi dhe me u.d. Drejtoreshën e Shërbimit Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës znj. Pranvera Zejnullahu- Raçi. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Shehu Academy në bashkëpunim me projektin e USAID organizon ngjarjen “Ndërlidhja e ofertës me kërkesën në tregun e punës” me moton “Aftësim, Punësim, Zhvillim”. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Aleanca e të Rinjve të Kosovës zhvillon një aksion simbolik para Ministrisë së Arsimit, në mbështetje të kërkesave minimale të mësimdhënësve. (Para Ministrisë së Arsimit, ora 10:00)

- Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë organizon konferencën rajonale “Promovimi i Investimeve Rajonale”. (Hotel International Prishtina në Veternik, ora 11:00)

 - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim Ambasadorin e Luksemburgut, Eric Dietz. (Kabineti i kryetarit, ora 11:30 - Mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit)​

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton në parim Projektligjin për Institutin e krimeve të kyera gjatë luftës në Kosovë, dhe raportet e komisioneve kryesore për Projektligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 13:00)

- Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Kastriot mban konferencë për media. (Pallati i Drejtësisë, ora 13:00)

- Komisioni Ad-Hoc për Reformën Zgjedhore në Kosovë shqyrton Planin e punës së Komisionit, kërkesen për buxhetin e Komisionit dhe shqyrton termat e referencës për Grupin Këshillëdhënës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 14:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike bën zgjedhjen e eksperteve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 14:00)