07 Dhjetor 2019

Lansohet “Arkivi Rilindja”

Prishtinë, 2 dhjetor - CHwB Kosova organizon lansimin e “Arkivi Rilindja” të realizuar nga Ervina Halili dhe në diskutimin e hapur rreth arkivistikës, çështjes së të drejtave të njeriut në të gjitha përmasat e saj, veçanërisht në raport me harresën kulturore.

“Arkivi Rilindja” nuk është arkivi zyrtar i Ndërmarrjes Shoqërore Rilindja. Arkivi i kësaj ndërmarrjeje me gjithë hallkat e veta dikur funksionale, nuk është trashëguar në ditët tona. Ky material është mbledhur me shumë kujdes mes hirit e pluhurit të gjithçkaje që deri më tani është konsideruar e papërdorshme, e humbur prej “Rilindjes”, por që është prodhuar nga vetë ajo, nga gazetarët që ka prodhuar, shkrimtarët që ka botuar, redaktorët dhe fotografët.

Në kuadër të lansimit të “Arkivi Rilindja” përveç shfaqjes së dokumentarit ‘N’Rilindje’, do të diskutohet edhe për:

• Ndërmarrjen Shoqërore Rilindja, funksionimin e atëhershëm të saj, arkivin i dikurshëm që posedonte, bibliotekën dhe politikat botuese;

• Historinë e mbylljes së Rilindjes, humbjen e materialeve dhe dokumentimit të një periudhe historike që mbulonte shtypi në Kosovë;

• Arkivistika dhe muzeologjia në raport me të drejtat e njeriut, me fokus të veçantë në kontekstin e pasluftës në Kosovë, dhe përballjes aktuale me një zbrazëti sa i përket trajtimit, mbledhjes dhe ruajtjes së prodhimeve kulturorore të së kaluarës.

Nazmi Rrahmani, shkrimtar, drejtor i redaksisë së botimeve në Rilindje (1941) dhe Musa Ramadani, shkrimtar, redaktor i kulturës në Rilindje (1943) kalojnë nëpër kujtimet e tyre në Rilindje dhe nëpër veprat e tyre letrare të cilat i kanë krijuar dhe botuar gjatë asaj perudhe.
 
Ky projekt u realizua në kuadër të platformës të #HeritageSpace qe implementohet nga CHwB Kosova.

Ky aktivitet është pjesë e projektit “Dialogu ndërmjet komuniteteve përmes ruajtjes gjithëpërfshirëse të trashëgimisë Kulturore” i zbatuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Kosovë dhe fiancuar nga Instrumenti i Bashkimit Evropian që kontribuon për Paqe dhe Stabilitet (IcSP) dhe Qeverise Suedeze.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 7 dhjetor 2019 - Këshilli Gjyqësor i Kosovës organizon Konferencën e Nëntë Gjyqësore në të cilën do të marrin pjesë tërë struktura e sistemit të drejtësisë në Kosovës për të diskutuar temën: “Të arriturat dhe sfidat e sistemit gjyqësor gjatë vitit 2019”. (Hotel Emerald, ora 9:30)

- Federata e pingpongut të Kosovës do të organizojë turneun më të fortë të vitit 2019,  TOP 12 për Seniorët më të mirë, me të cilat edhe përmbyllen garat për vitin 2019. (Palestra e sporteve në Prishtinë, ora 10:00)

- Federata e Futbollit e Kosovës organizon turneun final të projektit “Rekrutimi i vajzave të reja në futbollin e organizuar” nën moton “Ti mund ta bësh – You Can Do It”, ku do të marrin pjesë ekipet fituese të turneve të mbajtur në 13 komuna. (Kompleksi “Sopa Sport” në Lipjan, ora 10:15)

- Rrjeti i Grave të Kosovës mbledhë 158 organizatat anëtare, përkrahësit individual, partnerët, miqtë, dhe përfaqësuesit e mediave në Kuvendin e 17-të Vjetor të Anëtareve. (Hotel Sirius, ora 10:30)

- Misioni i OSBE-së organizon konferencë ku do të prezantojë aktivitetet që Misioni ka organizuar gjatë vitit 2019 me të rinj, siç janë Akademia e OSBE-së për Dialog, Deklarata Ndër-Komunale për Dialog ndërmjet Komuniteteve, si dhe Lojërat Mini-Olimpike për Njerëz me Nevoja të Veçanta, të cilat kanë sjellë së bashku të rinj nga komunitete të ndryshme. (Hotel Swiss Diamond, ora 11:30)

- Gecjan Fashion Group sjellë për të 13-in Vit me radhë, ngjarjen më të madhe të modës në rajon “Kosova International Fashion Week 2019”. (Salla e panaireve në Shkabaj, ora 18:00)