27 Nëntor 2022

Kryeministri Kurti vizitoi asetet e restauruara të trashëgimisë kulturore

Prishtinë, 2 tetor - Për të parë nga afër zbatimin e programit për ndërhyrje restauruese në asetet e trashëgimisë kulturore, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, vizituan kullën e Sheremetit në Pejë, nga shekulli i XVIII, kullën e Tahirsylajve në Isniq të Deçanit, rreth 170 vjet e vjetër, Hanin e Haraqisë në Gjakovë, shekulli i XVII, si dhe Muzeun etnografik në Gjakovë, shekulli XIX.

Gjatë vizitave në monumentet e restauruara u theksua se për vitin 2022 është planifikuar buxhet prej 8.4 milionë euro, prej të cilave 1 milion euro janë për ndërhyrje emergjente. Po ashtu u theksua që restaurimet përcjellen me plane menaxhimi dhe funksionalizim të monumenteve.

Përveç ndërhyrjeve restauruese në asetet e vizituara, janë realizuar dhe janë duke u realizuar ndërhyrje restauruese në dhjetra monumente: Muzeu Etnologjik Emingjiku në Prishtinë, Kulla e Sylejman Vokshit në Gjakovë, Kinemaja e Parë në Prizren, Hamami i Gazi Mehmet Pashës në Prizren, Hamami në Mitrovicë dhe në disa monumente brenda Qendrës Historike të Prizrenit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 nëntor 2022

- Në shënim të 110-vjetorit të Pavarësisë Shqipërisë do të mbahet mbledhje e përbashkët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. (Kuvendi i Shqipërisë në Tiranë, ora 10:00)

- Me rastin e Ditës së Forcës, Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës organizojnë “Ditën e Hapur’’ në të cilën do të marrin pjesë edhe udhëheqësit më të lartë shtetërorë, si dhe përfaqësuesit ushtarakë e diplomatikë të vendeve partnere. (Kazerma “Adem Jashari”, ora 12:00)