06 Shkurt 2023

'Kosova në Fokus' në Festivalin e filmit në Lublanë

Lublanë, 18 nëntor - Kosova po merr vëmendje të veçantë në edicionin e sivjetmë të festivalit ndërkombëtar të filmit në Lublanë, i cili ka filluar më 9 nëntor 2022 dhe do të përmbyllet më datën 20 nëntor.

Përveç shfaqjes së filmave, festivali i Lublanës organizoi edhe një numër diskutimesh pas shfaqjeve, duke përfshirë edhe diskutimin Kinemaja Bashkëkohore e Kosovës, ku morën pjesë regjisorja Kaltrina Krasniqi dhe drejtuesi i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Lum Çitaku.

Përgjatë festivalit, Çitaku dha një numër intervistash për televizionet dhe radiot sllovene dhe u takua me homologen sllovene nga Qendra e Filmit e Sllovenisë, Natasa Bucar dhe me drejtorin e Festivalit të Lublanës, Simon Popek. Në Lublanë Çitaku vizitoi edhe studion shtetërore të produksionit Viba film.

Në kuadër të “Kosova në fokus” u shfaqën filmat kosovar të metrazhit të gjatë “Vera andrron detin” nga Kaltrina Krasniqi, premierë sllovene, “Zgjoi” nga Blerta Basholli, “Martesa” nga Blerta Zeqiri, “Në kërkim të Venerës” nga Norika Sefa, propozimi i Kosovës për OSCARS 2023, dhe “Luaneshat e kodrës” nga Luàna Bajrami, të mbështetur nga QKK.

Nga filmat e metrazhit të shkurtër të mbështetur nga QKK u shfaqën “Pa vend” dhe “Në mes” nga Samir Karahoda dhe “Gardhi” nga Lendita Zeqiraj”.

 "Kosova në fokus" shfaqi edhe prodhime të pavarura të autorëve nga Kosova si “Zgjedhe një emër” nga Dritëro Mehmetaj, “Një muaj” nga Zgjim Terziqi dhe "These sounds taste synthetic” nga Gretel Dani.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 6 shkurt 2023

- Forumi Rinor i Lidhjes Demokratike të Kosovës do të organizoj një aksion si reagim ndaj skandalit të fundit me vende të punës në Arsim dhe akuzave publike për shitjen e vendeve të punës. (Para Komunës së Prizrenit, ora 9:30)
    
- Ministria e Financave, Punëve dhe Transfereve lanson Platformën për Punësim të të rinjve ku pjesëmarrës do të jenë Kryeministri, Albin Kurti, Ambasadori i Zvicrës, Thomas Kolly dhe Ministri, Hekuran Murati. (Hotel Sirius, ora 10:00)
    
- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ku në rend dite është Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti. (Kuvendi i Kosovës, salla C301, ora 11:00)

- Kryesia e Parlamentit Studentor mban konferencë për media lidhur me organizimin e marshit kundër asociacionit. (Para Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, ora 11:00)

    Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, takohet me përfaqësues të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Këshillit Koordinues të Familjarëve të Personave të  Zhdukur gjatë luftës në Kosovë. (Kuvendi i Kosovës, salla N302, ora 12:00)

 

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati vizitojnë ndërmarrjen “Liri”, në Prizren. (Ndërmarrja "Liri", Prizren, ora 16:00)

 

- Kryetari i Kryeqytetit Përparim Rama së bashku me përfaqësuesit e grupeve të qytetarëve organizojnë ceremoninë e nënshkrimit të Agjendës për Kontratën Sociale për Kryeqytetin që është zotim i përbashkët ndërmjet zyrtarëve të komunës dhe qytetarëve për të përmirësuar komunikimin, bashkëpunimin dhe veprimet kolektive. (SHFMU “Ismail Qemajli”, Bregu i Diellit, ora 19:00)