24 Maj 2019

Hapet ekspozita me fotografi “Arti i rrudhave” i autorit Muhamed Sadriu

Gjilan, 19 prill - Një ekspozitë e veçantë është hapur këtë të premte në Galerinë e Arteve në Gjilan. Skaj kësaj ekspozite po qëndronin protagonistët e saj, njerëz që kishin shkelur një shekull jetë.

Fytyrat e tyre, që në vete bartin mbi 100 vite sikur rrëfejnë për të kallurën e Kosovës ndër vite e krejt këto me mjeshtri i ka fotografuar artisti Muhamed Sadriu, i cili diç që e kishte nisur si ide e bëri realitet.

Si asnjëherë më parë, galeria ka qenë e mbushur përplot e në mesin e këtij publiku të madh ishte edhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili ka theksuar se është i nderuar se në të ka personazhe, një gjyshe që ka bërë 105 vjet e që po duket më e re se ne, baca Muharrem që është në prag të 100- vjetorit e që janë personazhe të gjalle që do të mbeten në memorien tonë.

“Artisti Muhamed Sadriu na e bëri të këndshëm këtë fundjavë, një ditë jashtëzakonisht e mirë e komuna do të vazhdojë të mbështes çdo lloj aktiviteti kulturor ngase Gjilani do ta ruaj epitetin e kryeqytetit kulturor. E kemi të arritur me punë, me aktivitet të ngjeshur kulturor, me kreativitetin tonë dhe me të mirat që i kemi sjellë. Kjo ekspozitë është diç e re dhe e veçantë, andaj duhet përgëzuar Muhamed Sadriun”, ka thënë kryetari Haziri, që ka uruar qytetarët e Gjilanit që t’u ngjajnë këtyre njerëzve për kah veprat e mosha.

Në ekspozitë ishte i pranishëm edhe Hasan Alia, nënkryetar i komunës së Vitisë, i cili ka theksuar se është kjo një ekspozitë e llojit të veçantë.

Ai përshëndeti edhe personazhet e ekspozitës, kurse Gjilanit i dha notën 10, ngase, siç tha ai, të gjithë po synojmë që ta kemi fatin e këtyre njerëzve. Ai ka inkurajuar autorin që të vazhdojë me ekspozita të kësaj natyre.

Xhevat Latifi në cilësinë e moderatorit ka theksuar se thinjat dhe rrudhat janë shenja të një kohe e kur shikojmë këto shenja i futemi një bote mister që ka jeta dhe vetë njeriu si qenie më delikate që e ka krijuar Zoti në tokë.

“Në këtë ekspozitë jemi me dramën e autorit Muhamed Sadriu, me jetën e njeriut, me ata që kanë shënuar 100 vjet e nëse ne duan të shohim të dashurit tanë që duan të jetojnë 100 vjet, në këto personazhe mësojmë këtë. Në këtë art të rrudhave shohim jetën e Kosovës, vendin që di të rris burra e gra 100 vjet. Zoti e bekoi këtë vend dhe këtë mund ta shohim në këto fotografi”, ka thënë Xhevat Latifi, poet.

Shkaktari i kësaj ekspozite, arkitekti i kësaj ekspozite, Muhamed Sadriu, ka falënderuar kryetarin e komunës, Lutfi Haziri, që ka mundësuar realizimin e kësaj ekspozite dhe tha se mbi të gjithë këtë ekspozitë e kanë hijeshuar nëna Zaide e mixha Muharrem, që ishin të pranishëm në ekspozitë.

“Ka shumë njerëz që duhet falënderuar me emër, që më ndihmuan e ishin bashkë me mua, që bënë që të realizohet ideja ime dhe unë i falënderoj të gjithë ata. Sot janë 21 personazhe, që lidhet me shekullin 21 dhe që moshën mesatare e kanë 101 vjet e gjysmë”, tha autori Muhamed Sadriu, që falënderoi të gjithë, e në mënyrë të veçantë krytarin Lutfi Haziri i cili e ka mbështetur kete ekspozite. ​


Kalendari

Ngjarjet e datës 24 maj 2019

- Nisin punimet për rregullimin e rrugës kryesoret të qytetit të Deçanit Rrugës së  Qendrës konkretisht rrugës 'Luan Haradinaj' dhe 'Dëshmoret e Kombit'. (Në afërsi të pikës së karburantit Agonisi Gas në Carrabreg, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në të cilën do të behët shqyrtimi i Raportit të Auditimit për raportet financiare dhe atyre të deklarimit financiar të subjekteve politike për vitin 2017. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 10:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve të rrugës së qytetit të Deçanit. (Sheshi i qytetit në Deçan, ora 10:00)

- Drejtori i Zyrës për Rritje Ekonomike i USAID-it në Kosovë, Brian Martalus, do të mbajë një fjalim në hapjen e Konferencës Ekonomike të Diasporës Shqiptare nga Evropa - B2B. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- “Let’s Do It” mban aksion pastrimi në disa fshatra të Hasit, me moton “Për një Has të pastër”. (Fshati Gjonaj tek Ura e Drinit të Bardhë, ora 10:00)

- Drejtoresha e misionit të USAID-it Lisa Magno do të flasë me rastin e prezantimit të gjashtë video udhëzuesve për e-prokurim. (Hoteli Swiss Diamond, ora 10:00)

- Mbledhja e komisionit Ad-hoc për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor në të cilën do të behët shqyrtimi i kërkesës së Grupit për Studime Juridike dhe Politike për pjesëmarrje në Grupin Këshillëdhënës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 10:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj me rastin e përvjetorit të rënies së 16 dëshmorëve të Batalionit Gardist “Shkëlzen Haradinaj” bën homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan. (Kompleksi Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, ora 11:00)

- Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës do të shënojnë së bashku Ditën Ndërkombëtare të Grave për Paqe dhe Çarmatim me një konferencë shtypi. (Ambientet e UNDP-së, ora 11:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj me rastin e përvjetorit të rënies së 16 dëshmorëve të Batalionit Gardist “Shkëlzen Haradinaj” bën homazhe në Fshatin Kodrali. (Fshati Kodrali, ora 11:30)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, merr pjesë në Akademinë Përkujtimore për heroin Abdullah Tahiri. (Teatri Kombëtar i Kosovës, ora 12:00)

- Prokuroria Themelore e Pejës organizon konferencën për media ku temë diskutimi do jetë ngritja e dhjetëra aktakuzave për rastin e njohur në opinionin publik si “veteranët e rrejshëm”. (Objekti i Prokurorisë Themelore të Pejës, rruga “Hasan Cermaxhija”. ora 12:00)

- 44 nxënës nga klasa 7 deri në klasën 9, nga të gjitha regjionet e Kosovës do të takohen për të garuar në finalen e garës së tretë vjetore të gërmëzimit.  (Biblioteka kombëtare, ora 13:15)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizon ceremoninë e ndarjes  së çmimeve “Nikete Dardani”. (Kabineti i Ministrit të Kulturës, ora 13:30)

 - Shënohet 19 vjetori i themelimit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Gjakovë. (Pallati i Kulturës” Asim Vokshi” , Gjakovë, ora 18:00)

- Organizuar nga Ministria e Diaspores dhe Investimeve Strategjike dhe Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare mbahet konferenca ekonomike e diasporës shqiptare nga Evropa më B2B. (Hotel Emerald, ora 20:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në Konferencën Ekonomike të Diasporës Shqiptare nga Evropa, organizuar nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike dhe Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare. (Hotel Emerald, ora 20:00)