22 Nëntor 2019

Ekspozita e artit francez vjen në Prishtinë

Prishtinë, 25 mars - Në Galerinë Kombëtare të Kosovës, në kuadër të Javëve të Frankofonisë në Kosovë, u hap ekspozita Koleksioni Francez nga Muzeu i Artit Bashkëkohor në Shkup, ku nga sot deri më 14 prill në Prishtinë do të sillen veprat e artistëve francez nga ky koleksion.

Në hapje të ekspozitës, e cila është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Ambasadën e Francës në Kosovë, morën pjesë shumë personalitete nga bota e artit dhe politikës.

Në hapjen e kësaj ngjarjeje të rëndësishme të Javëve të Frankofonisë morën pjesë edhe Kujtim Gashi, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Didier Chabert, Ambasador i Republikës së Francës në Kosovë.

Me këtë rast, ministri Gashi, u shpreh se ndjehet i kënaqur që po merr pjesë në një ngjarje kaq të rëndësishme për jetën kulturore të vendit tonë për faktin se kjo ekspozitë po ndodh në kuadër të Javëve të Frankofonisë dhe artistët e artdashësit e Kosovës do të kenë rastin të shohin për së afërmi përvojën kulturore të artistëve francez.

“Ne si Ministri e Kulturës gjithmonë e kemi përkrahur Frankofoninë në forma të ndryshme. Edhe kjo ngjarje e cila po fillon dhe që do të zgjasë deri më 14 prill do të jetë një mundësi që të shohim më tepër nga arti i mrekullueshëm francez i cili ndodhet në koleksionin francez të Muzeut të Artit Bashkëkohor në Shkup."

"Më vjen mirë që si Ministri në bashkëpunim me Ambasadën dhe Galerinë kemi bërë të mundur që në Kosovë, mes shumë veprave të sjellim emrat e shumë artistëve të mëdhenj”, tha mes tjerash ministri duke u zotuar se bashkëpunimet e këtilla ai është i gatshëm që gjithmonë t’i mbështesë.

Ndërsa ambasadori i Francës, Chabert, tha mes tjerash se më mesin e këtij koleksioni që përbëhet sot nga afro 300 veprave të realizuara nga përafërsisht 150 artistë, veprat e artistëve francez zënë një vend krejtësisht të veçantë. Ato ilustrojnë lëvizje të ndryshme- kubizmin, surealizmin, apo edhe ekspresionizmin- dhe janë një dëshmi të tërheqjes që kishte Parisi gjatë tërë shekullit XX sa i përket artit bashkëkohor.

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës, është hera e dytë që mbahen ekspozita të artistëve francez. E para ka qenë nga Picasso te Calderi e cila ka qenë e hapur në vitin 1985, ndërsa kjo ekspozitë është e dyta.

Muzeu i Artit Bashkëkohor në Shkup është themeluar në vitin 1964, nga i cili edhe vjen një pjesë e këtij koleksioni. Ndërkaq, kuratorë të kësaj ekspozite kanë qenë Marika Bočvarvova Plavevska dhe Blagoja Varošanec.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 nëntor 2019 - UBT në bashkëpunim me Institutin Shkencor Suedez-Kosovar do të mbajnë bashkërisht konferencën “30-vjetori i Rënies së Sistemit Komunist”. (Hotel Sirius, ora 9:00)

- Drejtoresha e misionit të USAID-it në Kosovë Lisa Magno do të flasë në hapjen e konferencës Vetë - Qeverisja Lokale në Kosovë - 20 Vjet. (Hoteli Swiss Diamond, ora ora 9:00)

- OJQ-Voice of Roma Ashkali and Egyptians - VoRAE organizojnë hapjen e ceremonisë të tri projekteve të financuara nga Roma Education Fund dhe Komisioni Evropian organizim ky i mbështetur nga Roma Versitas dhe Roma Education Fund, Kosovo së bashku me VoRAE. (Qendra Kulturore dhe Informative të BE-së në Prishtinë, ora 9:00)

- Instituti Demokratik të Kosovës organizon tryezën e diskutimit “Tejkalimi i sfidave të Kuvendit - nevoja për një Rregullore të re të punës”, në një diskutim të hapur me përfaqësues të partive politike parlamentare si dhe përfaqësues të organizatave vendore dhe ndërkombëtare. (Salla e konferencave Orion, ora 10:00)

- Në prag të 25 nëntorit, Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, dhe fillimit të fushatës 16 Ditët e Aktivizmit, Misioni i OSBE-së në Kosovë do t’i prezantojë rezultatet e Anketës mbi Mirëqenien dhe Sigurinë e Grave në Kosovë. (Hotel Swiss Diamond, ora 11:00)

- Iniciativa për Histori Gojore përmes projektit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim “Dialogu ndërmjet komuniteteve përmes ruajtjes gjithëpërfshirëse të trashëgimisë kulturore”, financuar nga Instrumenti i Bashkimit Evropian që kontribuon në Stabilitet dhe Paqe, do të lansojnë aplikacionin mobil 'Janjeva Ecë'. (Restoran 2000 në Janjevë, ora 11:00)

- Grupi për Studime Juridike dhe Politike organizon konferencën për media me temë “Vetingu: Mënyra e vetme për të siguruar pavarësinë e plotë të sistemit të drejtësisë në Kosovë”. (Qendra e Konferencave Orion, ora 11:00)

- Komuniteti Merakli t'kerreve organizon protestë kundër rritjes së cmimeve për sigurimin e veturave. (Rr. Luan Haradinaj, pran Bankes Qendrore të Kosovës, ora 13:00)

- Promovohet libri "Profili i Bjeshkëve të Nemuna’’ nga Profesor Sadri A Lokaj. (Salla e Asamblesë Komunale në Deçan, ora 14:00)

- Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan dhe Universiteti “Hasan Prishtina” në Prishtinë, në mbështetje të Aktivitetit të USAID-it Drejtësia Vlen dhe në bashkëpunim me Odën e Avokatëve të Kosovës, organizojn diskutim në lidhje me “Klinikat Jurdike me raste reale”. (Salla A34 në Universitetin e Gjilanit, ora 14:00)

- Shoqata e Malazezëve të Kosovës organizon shfaqjen e leximit skenik të dramës “Flora”. (Qendra e zhvillimit Malazezeve në Arbëri ish Dragodan, rruga Eduard Lir 4, ora 19:00)