18 Prill 2024

D4D ndanë çmimet për Vullnetarizëm dhe Qytetari Aktive

Prishtinë, 5 dhjetor - Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Vullnetarizmit, Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) përmes inkubatorit të Vullnetarizmit dhe Qytetarisë Aktive (V4D) të mërkurën ka organizuar ceremoninë për ndarjen e çmimeve për vullnetar dhe qytetar aktiv të vitit 2018.  Kjo ceremoni modeste është mbajte në lokalin NANA Fashion foods & drinks në Prishtinë, duke filluar prej orës 10:00.

Ky është viti i tretë që D4D e ndan këtë çmim, me qëllim të vetëm që të nxiten qytetarët që brenda komunitetit ku jetojnë të aktivizohen për të mirën e përgjithshme. Këtë viti çmimi ka qenë i ndarë në dy kategori, kategoria vullnetar i vitit dhe qytetar aktiv i vitit. Komisioni vlerësues ka përzgjedhur 4 nominime nga 109 sa kanë aplikuar.

Fituesit e sivjetmë vijnë nga fusha e edukimit, kujdesit ndaj ambientit si dhe nga promovimi i politikave rinore. Kontributet e tyre në komunitet kanë pasur ndikim të madh në komunitetin e tyre, veçanërisht duke ndihmuar të rinjtë e qytetit të tyre përmes kauzave të ndryshme. Kjo tregon përkushtimin dhe dëshirën e qytetarëve për të ndihmuar në zhvillimin e komunitetit dhe shteti në përgjithësi.

Çmimet që janë darë sivjet nga D4D janë si vijon:

VULLNETARJA E VITIT – Festa Sh Shabani

Për kontributin e saj në krijimin e klubit për lexim të librave me tregime për fëmijët e komunës së Gjilanit. Gjithashtu, Festa ka organizuar mbledhjen e materialeve shkollore për t’ia dhuruar fëmijëve, familjet e të cilëve nuk kanë mundësi financiare t’i sigurojnë ato.

VULLNETARI I VITIT – Ensar S. Shaqiri

Për angazhimin e tij vullnetar në fuqizimin e rinisë në Komunën e Gjilanit. Përmes angazhimit të tij të pareshtur, është arritur hapja e një zyre në Departamentin e Edukimit në Komunën e Gjilanit, e cila është në shërbim të të gjithë nxënësit për të adresuar problemet, kërkesat, dhe nevojat e tyre. Kjo zyre ka për qëllim fuqizimin e rinisë dhe mundësinë për t’iu dëgjuar zëri në institucionet qeverisëse të Gjilanit. Përveç kësaj, Ensari ka organizuar ngjarje të ndryshme, duke filluar nga kampanja bamirësie për mbledhje të fondeve për fëmijët me sindromën Down, e deri tek blerja e materialeve shkollore për nxënësit në nevojë.

QYTETARJA AKTIVE E VITIT – Egnesa V. Vitia

Një nismëtare e vozitjes me biçikleta në qytetin e Prishtinës me moton “Jo tymit, Po biçikletave”, me synimin për të vetëdijesuar qytetarët dhe vendimmarrësit për ndotjen e ajrit që shkaktohet nga veturat, por njëherësh edhe vetëdijesimin e tyre për nevojën e shtigjeve për biçikleta nëpër rrugët e qytetit. Ajo së bashku me mbi 2000 qytetar të tjerë organizojnë vozitje me biçikleta nëpër qytet në kuadër të grupit “Critical Mass Prishtina” çdo të mërkurë nga ora 20;00, si dhe premteve të fundit të çdo muaji. Gjatë vikendeve ky grup i qytetarëve bënë edhe ngasje të biçikletave në distanca më të largëta, jashtë qytetit të Prishtinës.

KONTRIBUTI PËR QYTETARI AKTIVE – Shoqata "17 shkurti"

Për kontributin e kësaj shoqate në fshatin Dobërqan të Gjilanit, dhe mobilizimin e gjithë banorëve për të kontribuar në rregullimin dhe mirëmbajtën e fshatit. Përmes kësaj shoqate, fshati Dobërqan është ndër fshatrat më të pastër, më të rregulluar, dhe më të mirëmbajtur në Komunën e Gjilanit, dhe ndoshta edhe në mbarë Kosovën. Banorët e këtij fshati sigurohen që mbeturinat të mos hudhen në tokë por nëpër kontinierët të cilët janë ndarë në bazë të përbërjes së mbeturinës, që kontribuon në riciklimin e mbeturinave. Parqet e rregulluara përmes donacioneve nga shoqata, mirëmbahen me dëshirë dhe punë nga banorët e fshatit. Nxitja e banorëve të këtij fshati për të kontribuar në komunitetin ku jetojnë meriton mirënjohje dhe vlerësim të mundit të dhënë.

Këto storie suksesi duhet të shërbejnë si shembuj për të nxitur të gjithë qytetarët e Kosovës për të dhënë kontribut në shoqërinë tonë, dhe të promovojmë vlerat e vullnetarizmit dhe qytetarisë aktive tek të gjithë, pa dallim moshe, gjinie apo përkatësie.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)