18 Shtator 2019

Bashkëpunimi kulturor Kosovë-Shqipëri hyn në vitin e gjashtë

Prishtinë, 9 prill - Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë hyjnë në vitin e gjashtë të bashkëpunimit në realizimin e kalendarit të përbashkët kulturor.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Republikës së Kosovës, Kujtim Gashi dhe Ministrja e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Elva Margariti, në Tiranë nënshkruan sot Protokollin e Bashkëpunimit për Kalendarin e Përbashkët Kulturor Vjetor.

Përmes këtij bashkëpunimi, dy vendet janë pajtuar për përfshirjen e aktiviteteve kulturore në një kalendar të përbashkët, i cili është i bazuar në “Deklaratën e përbashkët për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës” nënshkruar në Prizren më datë 11 janar 2014. Ky kalendar pritet të ketë afër 40 aktivitete e organizime qoftë në Kosovë apo Shqipëri si dhe aktivitete të përbashkëta, përmes shkëmbimit të përvojave dhe artistëve.

Aktivitetet dhe bashkëpunimet do të jenë nga fushat e artit aplikativ dhe skenik, në fushën e bibliotekave, në fushën e filmit, të trashëgimisë, aktivitete për fëmijë dhe të rinj si dhe shënimin e 20-vjetorit të luftës së Kosovës.

Nënshkrimin e këtij kalendari ministri Kujtim Gashi e ka cilësuar si një ngjarje shumë të rëndësishme për botën kulturore shqipfolëse.

“Është një ditë shumë e veçantë për Kosovën dhe Shqipërinë. Nënshkrimi i kalendarit vjetor kulturor po hyn në vitin e gjashtë radhazi. Ky akt e mundëson zhvillimin e aktiviteteve për këtë vit, i cili do të sjell bashkëpunime dhe përvoja të reja për Kosovën dhe Shqipërinë”, ka thënë ministri.

Po ashtu, ministri Gashi tha se “ Së ne takim diskutuam  edhe për  krijimin e një fondi të përbashkët kulturor. Ideja është që nga mbështetja financiare e aktiviteteve kulturore në institucionet kulturore të kalojmë edhe te pjesa e aktiviteteve të pavarura kulturore".

Ndërsa ministrja Margariti tha se kultura i ka kapërcyer kufijtë mes këtyre dy shteteve.“Kufijtë, kultura i ka kapërcyer shumë shpejt dhe aktivitetet janë vetëm një pikë, kontakte të vazhdueshme por që jemi të sigurte se do ketë edhe të tjera. Kjo traditë ka dëshmuar se po fton gjithnjë e më tepër të tjerë njerëz. Jam krenare që me homologun tim kam ndarë edhe ide të tjera në vazhdim”.

Bashkëpunime do të kenë dy Galeritë Kombëtare të Artit, ku do të realizohen ekspozita arti në Kosovë dhe në Shqipëri. Artisti kosovar Sokol Beqiri do të realizojë ekspozitën ‘As Mik as Armik’ / 22 mars – 2 qershor / Tiranë, ndërsa artisti Driant Zeneli do të realizojë më 20 dhjetor në Prishtinë. Ndërkaq në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit – QAFA në Prishtin, do të realizohet në dhjetor ekspozita e pikturës ‘E tashmja e njerëzve të tashëm' me punimet e tre artistëve nga Shqipëria.

Teatri Kombëtar i Operës Baletit dhe Ansamblit Popullor – TKOBAP do të realizojë Koncertin Crescendo musicale, koncert i korit dhe orkestrës me dirigjentin kosovar Rafet Rudi / 3 shkurt / Tiranë; si dhe Koncertin ‘Lidhja e Prizrenit’ e Ansamblit Popullor / 11 qershor / Prizren. Ndërsa Teatri Kombëtar Eksperimental – TKEKS me shfaqjen ‘Kreolët e Ballkanit’ të autorit dhe regjisorit Enver Petrovci do të jetë prezent në qytete të ndryshme në Shqipëri dhe Kosovë.

Zyra e administrimit dhe koordinimit të parkut arkeologjik (ZAKPA) Butrint do të organizojë Edicionin e 17-të të festivalit të teatrove "Butrint Summer Festival", ku do të ketë pjesëmarrje të shfaqjes nga Kosova / 6-15 Korrik / Butrint.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës ‘Pjetër Bogdani’ dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë do të organizojnë ngjarjet: Java e Bibliotekës në Kosovë - Edicioni 17 / 7 – 13 prill / Prishtinë dhe 120 Vjetori i lindjes së Lasgush Poradecit - ekspozitë dhe konferencë shkencore / Dhjetor / Prishtinë dhe Tiranë 

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit AQSHF do të organizojë një program të kuruar filmash në kuadër të ciklit ‘Jeta pas Enverit” në Kino Lumbardhi Prizren ku do të shfaqen programe filmash dhe filma të animuar. Ndërsa, Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe Qendra Kinematografike e Kosovës do të realizojnë ngjarjet si vijon: Pjesëmarrje të përbashkët në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, Gjermani; Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Cannes, Francë; Pjesëmarrje në Balkan Film Market, Tiranë; Premiera të filmave të financuar nga Qendrat e Filmit Shqipëri dhe Kosovë. 

Në kuadër të aktiviteteve për fëmijë dhe të rinj, Qendra Kombëtare Kulturore e Fëmijëve, Tiranë do të realizojë Festivalin Ndërkombëtar i Teatrit të Kukullave Tiranë, me pjesëmarrjen e  trupës profesioniste të Teatrit të Dodona Prishtinë / Maj / Tiranë; Festivalin e 53-të i Këngës për Fëmijë organizuar nga QKKF të ftuar dhe interpretues nga Kosova / Qershor / Tiranë; Pjesëmarrjen e ansamblit të valleve të fëmijëve të qendrës sonë në Festivalin Ndërkombëtar për Fëmijë “Ylberi i Prishtinës” / Shtator / Prishtinë. Shfaqjen e Teatrit të Kukullave për fëmijët e qytetit të Prishtinës / Shtator / Prishtinë. Festat e Nëntorit. Me pjesëmarrjen e Ansamblit të valleve të Qendrës Kulturore të Fëmijëve Prishtinë / Nëntor / Tiranë.

Në bashkëpunimin në fushën e trashëgimisë do të realizohet vizita dhe njohja me praktiken e punës në Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare Korçe dhe Qendrës së Trashëgimisë Kulturore në Prizren. Shkëmbim i njohurive, eksperiencave në punë, vizitë të objekteve të trashëgimi kulturore dhe vendosje e ekspozitave: ''Ekspozite me grafika te objekteve Monument Kulture te qarkut te Korçës' / 18 Prill / Prizren; “Tipologjia e objekteve kulturore” / 17 Maj / Korçë. Në kuadër të fushës së arkeologjisë, Agjencia e Shërbimit Arkeologjik (ASHA) dhe Instituti Arkeologjik i Kosovës (IAK) do të organizojnë Konferencën “Arkeologjia e shpëtimit dhe promovimi i vlerave të trashëgimisë kulturore”. Muzeu Historik Kombëtarë Tiranë do të realizojë ekspozitën “Rrugëtim – Ismail Qemali ndër vite” në hapësirat e Muzeut Kombëtar të Kosovës / Maj / Prishtinë. Muzeu Kombëtar "Gjethi" do të realizojë ekspozitë fotografike "Kosovarë të persekutuar gjatë regjimit komunist" / dhjetor / Prishtinë dhe Tiranë. 

Qendra Kombëtare për Veprimtari Folklorike do të realizojë aktivitetet: Pjesëmarrje e ansamblit nga Gjilani në Festivalin Folklorik Popullor të Shoqatave Kulturore në Kavajë / 18-19 prill / Kavajë; Pjesëmarrje e ansamblit nga Kosova në Festivalin Folklorik Tipologjik Kombëtar të Valles Popullore Burimore në Lushnje / Maj / Lushnje.; Pjesëmarrje e ansamblit nga Kosova në Festivalin Folklorik Tipologjik Kombëtar i  Iso-Polifonisë në Vlorë / nëntor / Vlorë; Ndërkaq në Butrint do të organizohet Panairi i Artizanëve të Kosovës  / Gusht / Butrint.

Në shënimin e 20 vjetorit të luftës së Kosovës do të realizohet ekspozita e fotografit Sulejman Dida – gazetar nga Kukësi  ‘Eksodi ‘99 - nga eksodi i kosovareve ne vitet 1998- 1999’ / Maj – qershor / Kukës. Teatri Kombëtar i Operës Baletit dhe Ansamblit Popullor dhe Ansambli SHOTA do të realizojnë koncertin e përbashkët Dita përkujtimore e 20 vjetorit të eksodit të madh të shqiptarëve të Kosovës / 16 prill / Kukës.

Gjithashtu, sivjet kalendari parasheh organizimin e aktiviteteve të operatorëve të pavarur të cilët ka mbështetur Ministria e Kulturës e Shqipërisë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 shtator 2019

- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti viziton Xhaminë e Çarshisë në Prishtinë. (Xhamia e Çarshisë në Prishtinë, ora 9:10)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, do të vizitojë Komunën e Kaçanikut ku do të takoj kryetarin e kësaj komune, Besim Ilazin, për të diskutuar rreth përgaditjes së Garës Nacionale të Sportit. (Objekti i komunës, ora 9:30)

- Specialistët stomatologë të papunë do të protestojnë para Ministrisë së Shëndetësisë. (Para Ministrisë së Shëndetësisë, ora 10:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon tryezën e diskutimit ndërmjet qytetarëve dhe kandidatëve për deputetë nga subjektet politike lidhur me temën “Qasja e subjekteve politike rreth çështjes së gjinekologut në nivel komunal”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti viziton Kalanë e Artanës. (Kalaja e Artanës, ora 10:30)

- Ministri në detyrë i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Muzafer Shala, mbanë konferencë për media, ku do të lansojë Fondin për Mbështetjen e Ndërmarrjeve Mikro të Vogla dhe të Mesme në vlerë prej 4 milionë euro. (ndërtesa e Ministrisë së Punëve të Jashtme, kati i 3-të,  përballë New Born-it, ora 10:30)

- Oda e Afarzimit të Kosovës në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë në Tiranë dhe Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore organizojnë ngjarjen “Regional B2B Event”. (Holiday Inn në Shkup, 11:00)

- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, mirëpret fituesit e medaljeve të Taekwandos. (Kabineti i Ministrit në MKRS, ora 11:00)

- Lëvizja FOL organizon diskutimin e tretë në kuadër të Forumit FOL Hapur me kandidatët për Kryeministër ku i ftuari i radhës do të jetë Nenad Rašić, Kandidat për Kryeministër nga koalicioni Slloboda. (Zyrat e Lëvizjes FOL, ora 11:00)

- Kryetari i Komunës së Gjianit, Lutfi Haziri, nënshkruan kontratat me tetë përfituesit e nën-granteve, në kuadër të projektit "Te rinjtë në Agrobiznes- Regjioni Ekonomik Lindje". (Zyra e Kryetarit Haziri, ora 11:00)

- Punëtorët teknik te qendrës studentore do të protestojnë para drejtorisë së qendrës studentore. (Para drejtorisë së qendrës studentore, ora 11:00)

- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti viziton Ulpianën. (Ulpianë, ora 11:40)

- Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Zyren e Bashkimint Evropian në Kosovë organizon promovimi i shtegut për çiklistë, si fazë testuese. (Rruga Zagrebi në Prishtinë, ora 12:00)

- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti viziton Janjevën. (Janjevë, ora 12:20)

- Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Zyren e Bashkimint Evropian në Kosovë organizon tryezë diskutimi “Ecja, çiklizmi dhe transporti urban”. (Kolegji Tempulli, rr. Eduard Lir 156, ora 14:00)

- Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur bën promovimin e publikimeve dhe organizon panel diskutimin “ Njohja e Kosovës bashkëkohore”. (Swiss Diamond Hotel, ora 14:00)

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (Ndërtesa e KQZ-së, ora 15:30)

- Iniciativa për Histori Gojore organizon lansimin e aplikacionit mobil Prishtina Ecë. (Kafe—librarinë dit’ e nat’, ora 17:00)

- Kandidati i PDK-së për Kryeministër të ardhshëm të Kosovës, Kadri Veseli, merr pjesë në takimin e organizuar nga Gruaja Demokratike. (Hotel Venus, Magjistralja Prishtinë-Lipjan, ora 17:00)

- Lëvizja Vetëvendosje! shpalos prioritetet qeverisëse. (Atelja e Sallës së Kuqe, ora 17:00)

- Federata e Piingpongut e Kosoves, organizon ndeshjet e ligës së parë, e ndeshja derbi pritet të jetë ajo ndërmjet Shkollës dhe Hasan Prishtinës. (Prishtinë, ora 18:00)

- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti mban tubim më banorë të fshatit Rufc. (Rufc, ora 19:30)

- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti mban tubim më banor në fshatin Gadime. (Gadime, ora 21:00)