19 Nëntor 2018

Ansambli “Shota” është identitet kulturor i vendit

Prishtinë, 17 tetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “SHOTA”.

Me këtë rast, Kryeministri Haradinaj, falënderoi Ansamblin “SHOTA” për vlerat artistike dhe përfaqësimin e shqiptarit në mënyrën më të mirë përmes artit, duke thënë se sot është një ditë më ndryshe, pasi ndihet i nderuar sa herë që është përballë këtij Ansambli.

“Arsyeja pse jam i nderuar, është se vërtetë kam parë vlera artistike dhe një fuqi ta quaj ashtu njerëzore të jashtëzakonshme, por edhe e kam pa shqiptarin në mënyrën më të mirë përmes artit i përfaqësuar. Kur them shqiptarin, kuptohet me këtë duke besuar në vlerat tona kombëtare, kulturën, artin, atë që është e çmuar prej nesh, nënkupton se i çmojmë të gjithë tjerët, pra nuk është veç një veçim i vetvetes se kemi respekt për vlerat e të gjithë popujve”, tha Kryeministri Haradinaj, pas takimit që zhvilloi me Ansamblin “SHOTA”, me të cilët biseduan për sfidat me të cilat përballen ata, por edhe përgjegjësitë e Qeverisë ndaj tyre.

Kryeministri Haradinaj, në shenjë falënderimi për punën e tyre artistike, e nderoi Ansamblin “SHOTA” me medaljen e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, në kuadër të vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut, dhe tha se Ansambli “SHOTA” është identitet kulturor  i vendit.

Ndër tjerash, Kryeministri Haradinaj, tha se Kosova është me fat që ka një Ansambël që është kaq lartë, edhe në vlera të artit, por edhe me njerëz kaq të mrekullueshëm.

Ndërkaq, Drejtori i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “SHOTA”, Shefqet Gjocaj,  falënderoi kryeministrin Haradinaj për pritjen, duke thënë se si institucion i kulturës ngado që shkojnë pretendojnë të jenë ambasadorët më të mirë shtetit.

Ai tha se në këtë takim, e ka njoftuar Kryeministrin Haradinaj për sfidat, problemet me të cilat përballet Ansambli, duke theksuar se kjo vizitë u jep shpresë se trajtimi i institucioneve të kulturës dhe artit në përgjithësi do të jenë në nivelin më të lartë dhe do të kenë kujdesin e shtetit.

Me këtë rast drejtori Gjocaj i ka ndarë kryeministrit Haradinaj fotografinë nga shfaqja “KUMT” që i dedikohet Gjergj Kastriotit Skënderbeut në kuadër të vitit mbarëkombëtar.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 nëntor 2018 - Kuvendi i Republikës së Kosovës shënon Diten e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve.(Ndërtesa e Kuvendit, salla C 405, ora 10:00)

- Kryeparlamentari Kadri Veseli merr pjesë në Ditën e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 405, ora 10:00)

- Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare. (Ndërtesa e Kuvendit, salla  C-301, ora 11:00)

- Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim do të përurojë impiantin i për trajtimin e ujërave të zeza në vise rurale në fshatin Kramovik, Komuna e Rahovecit. (Fshati Kramovik, ora 11:00)

- Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Impiantit për Trajtimin e Ujërave të Zeza - moçalishtë e ndërtuar në Kramovik të komunës së Rahovecit. (Fshati Kramovik, ora 11:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti, do të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me Kryetarin e Komunës së Ferizajt, Agim Aliu për avansimin e pozitës së të rinjve në sport, kreativitet kulturor dhe mendim kritik dhe në dituri. (Objekti i Komunës së Ferizajt, ora 11:00)

- Kryeparlamentari Kadri Veseli merr pjesë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 11:00)

-  Mbahet ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Integrimit Evropian dhe Norvegjisë, me ç’rast nënshkruhet projekti përkrahës i Norvegjisë për ngritjen e kapaciteteve të shërbyesve civilë për zbatimin e MSA-së. (Ndërtesa e Qeverisë, salla e Konferencave P-32, ora 11:00)

- Mbahet sesioni informues i thirrur nga  Fondi i Ballkanit Perëndimor e cila është thirrja e dytë me radhë për propozimet e projekteve rajonale. (Ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, ora 11:00)

- Kryeparlamentari Kadri Veseli pret në takim të përbashkët ministrin e Financave, ministrin e Drejtësisë dhe kryeshefin e Agjencisë Kundër Korrupsionit në Kosovë. (Kabineti i Kryeparlamentarit, ora 13:00)

- Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, mban takim me të rinjtë e Nismës në Shtime. (Shtëpia e Kulturës në Shtime, ora 16:00)
 
- Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, mban takim me të rinjtë e Nismës në Lipjan. (Golden Day në Lipjan, ora 18:00)

- Galeria Kombëtare e Kosovës organizon hapjen e ekspozitës “Muzeu i tri pikave” të artistit Lulzim Zeqiri. (Galeria Kombëtare e Kosovës, ora 20:00)