07 Prill 2020

Shënohet 31 vjetori i grevës së minatorëve të “Trepçës”

Prishtinë, 20 shkurt - Me rastin e 31 vjetorit të grevës së minatorëve të Trepçës, e cila shënon ngjarjen historike të minatorëve, jo vetëm të “Trepçës”, por të tërë Kosovës, në Stantërg u mbajt manifestimi qendror “Java e Minatorëve”.

Përveç minatorëve grevistë dhe atyre aktual, në këtë manifestim mori pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryetari i komunës, Agim Bahtiri, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, përfaqësues të ministrive, deputetë të Kuvendit të Kosovës, drejtorë dhe asamblistë të Kuvendit Komunal të Mitrovicës.

Me këtë rast kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, potencoi se greva e minatorëve është një ngjarje e cila shënoi një epokë të re, të cilën vazhdojmë ta kujtojmë me rezistencën e jashtëzakonshme të 1300 minatorëve.

“Minatorët ishin minatorë me profesion, por ishin edhe avokat me pasion, minatorë sepse duhet të krijonin të ardhura për familjet e tyre, ndërkaq avokat sepse kishin marrë mbi supet e tyre mbrojtjen e popullit shqiptar duke e pasur parasysh faktin sepse ata kishin njohuri shumë të thella mbi sistemin e atëhershëm, dhe kështu nuk i duruan padrejtësitë të cilat iu bënë gjatë asaj kohe. Ne e konsiderojmë që Trepça është një thesar publik dhe ne si qeveri nuk do të ndalemi dhe do të punojmë fort në mënyrë që t’ia kthejmë namin gjigandit “Trepça”, tha kryeministri Kurti.

Në fjalën e tij kryetari i komunës, Agim Bahtiri, theksoi se është kënaqësi e veçantë që ndodhet në mesin e minatorëve, për të kujtuar njërën nga ngjarjet më të rëndësishme historike të rrugëtimit të Kosovës dhe qytetarëve të saj drejt lirisë dhe pavarësisë.

“Para 31 vitesh ju ishit ata të cilët e kundërshtuat sistemin e atëhershëm jugosllav, sistem që tentonte të na copëtonte dhe të mohonte të drejtat tona. Pas gjithë atyre vuajtjeve të cilat padrejtësisht iu bënë popullit tonë dhe minatorëve të Trepçës, ka ardhur koha tani me qeverisjen e re të udhëhequr nga kryeministri Kurti, të largohet korrupsioni dhe të gjitha parregullsitë që kanë ndodhur në të kaluarën, në mënyrë që ti kthehet dinjiteti minatorëve dhe Minierës “Trepça”, tha ndër të tjerash kryetari Bahtiri.

Ndërsa kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, theksoi se minatorët e Trepçës e donin Republikën, prandaj e ngritën fuqishëm zërin ndaj okupuesit dhe kundër ndryshimeve kushtetuese te asaj kohe.

“Ngjashëm edhe sot, minatorët dëshirojnë mbrojtjen e pavarësisë se Kosovës, integritetin territorial, sovranitetin e vendit dhe dinjitetin qytetar. Falë kësaj sakrifice dhe vlerave të cilat na udhëhoqën e që përkrah nesh i rreshtuan shtetet demokratike të botës, kjo ëndërr është realizuar dhe pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Trepça është e paprekshme”, tha kryeparlamentarja Osmani.

Kalendari

Ngjarjet e datës 7 Prill 2020 - Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri pret kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. (Qendra Operative Emergjente tek kampusi i shkollave të mesme, ora 9:00)

- Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli viziton Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në komunën e Ferizajt. (Ferizaj, ora 11:00)

- Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli takohet me një grup biznesmenësh nga Ferizaj. (Ndërtesa e re e Komunës se Ferizajt, ora 12:00)

- Sindikata e Pavaur e Sektorit Privat të Kosovës mban takimi me ministrin e financave Besnik Bislimi. (Ndërtesa e Ministrisë së Financave, ora 13:30)