28 Mars 2024

SHBA: industria amerikane e çokollatës rekord shitjesh

Washington, 17 janar - Shumë industri amerikane u goditën rëndë gjatë krizës ekonomike, por pati edhe raste të veçanta suksesi.

Sipas Shoqatës Kombëtare të Prodhuesve të Karameleve, industria amerikane e çokollatës arriti në 2009 një vëllim rekord shitjesh në shumën 16.9 miliardë dollarë.

Një kompani e re amerikane po përpiqet të futet në këtë sektor fitim-prurës, por suksesi në këtë industri, siç mësojmë edhe nga reportazhi në vazhdim, është mbi të gjitha tek shija:

Tcho Chocolate, në brigjet lindore të qytetit San Francisko, është një bomboneri sa tradicionale aq edhe moderne.

Në këtë biznes, që është i vetmi prodhues i çokollatës në qytet, çokollata e errët punohet me kujdes në fabrikë, nga përpunimi i kokrrave të kakaos e deri tek etiketimi e paketimi.

Rëndësia kryesore i kushtohet shijes, që kategorizohet në grupe me shije “arre” apo “fruti” me qëllim që t’i jepet një ide konsumatorit për ta gjykuar çokollatën në mënyra të reja:

“Botës nuk i duhet një tjetër kompani për prodhim çokollate, i duhen njerëz që krijojnë në mënyrë novatore, që përpiqen të sjellin përmirësime”.

Louis Rossetto është Shefi Ekzekutiv dhe Kreu i Departamentit Krijues në kompaninë Tcho.  Partnerja e tij, Jane Metcalfe është presidente e kompanisë.

Kompania në fillimet e saj në vitin 2009 shiste çokollatë vetëm në Shtetet e Bashkuara. Tani produktet e kompanisë mund t’i gjesh edhe në disa dyqane në Britani, Irlandë dhe së fundmi edhe në Japoni.

“Synimi ynë është e gjithë bota … I gjithë globi është një treg i mundshëm për Tcho”.

Me rritjen e kërkesës globale për çokollatë, zonja Metcalfe thotë se ka mundësi të mëdha në tregje relativisht të reja për çokollatën si India dhe Kina.

Për kompaninë Tcho, çokollata cilësore fillon me kokrrën e kakaos,

“Ashtu si vera, çokollata inkorporon shije frutash për të prodhuar produktin përfundimtar”.

Për të realizuar shijet unike, kompania Tcho gjurmon në të gjithë botën për të gjetur kakaon më të mirë, që e importon nga Peruja, Ekuadori, Madagaskari dhe Gana.

Më pas, në prova të panumërta laboratorike, prodhuesit e çokollatës analizojnë kombinime të ndryshme të varieteteve të kakaos, në procese të ndryshme pjekjeje dhe fermentimi. Krijimi i një çokollate që përmbush kriteret e shijes, mund të kërkojë 300-400 prova në laborator.

Brad Kintzer është prodhuesi kryesor i çokollatës në kompaninë Tcho. Ai thotë se një çokollatë e vetme ka një kombinim në disa raste të 900 esencave të ndryshme:

“Pikërisht kjo na frymëzon – mundësia për të prezantuar një variacion dhe kompleksitet për konsumatorin”.

Ky biznes me kapacitetin për të prodhuar miliona çokollata në vit, është një proces tradicional prodhues, që ka përfshirë plot novacione teknologjike, gjë që pasqyron përvojën e partnerëve Rossetto dhe Metcalfe si themelues të revistës teknologjike Wired.

Për shembull, permes një butoni në telefonat I-phone, punonjësit mund të ndjekin mbarëvajtjen e prodhimit, që nga temeraturat e çokollatës deri tek dritat në pultin e kontrollit.

Aktualisht po punohet për një sistem vizual që krijon mundësinë për kontrollin e drejpërdrejt të fabrikës dhe punës.

Teknologjia dhe interneti shfrytëzohen për të përfshirë në proces fermerët e kakaos, shumë prej të cilëve nuk e kanë provuar kurrë produktin final. Ideja është t’u ofrohet trajnim fermerëve, në mënyrë që ata të jenë në gjendje të prodhojnë kakao të cilësisë së lartë.

Megjithëse kjo mund të rrisë koston, thotë zonja Metcalfe, konsumatorët janë të gatshëm të paguajnë:

“Kjo rrjedh nga një dëshirë e sinqertë e vendeve të zhvilluara për të paguar një çmim të drejtë dhe për t’u dhënë mundësi fermerëve të shijojnë frytet e punës dhe të dalin nga varfëria”.

“Synimi ynë nuk është t’i vëmë një çmim të caktuar produktit tonë, por të prodhojmë diçka që pëlqehet nga konsumatori dhe me çmim të arsyeshëm”.

Deri tani kjo filozofi ka dhënë rezultat:

“Vëllimi i shitjeve po rritet me shpejtësi, sidomos kur ke parasysh gjendjen e ekonomisë”.

Rob Kopf është drejtor i shitjeve për kompaninë dhe thotë se zakonisht duhen 2-3 vjet për të filluar të mbulosh koston në një sektor me konkurrencë të fortë si ai i çokollatës.

“Nuk është se duam të marrim nën kontroll gjithë tregun e çokollatës, por gjithashtu nuk duam të jemi thjesht një biznes i vogël lokal”.

Aktualisht kompania Tcho ka rrjete shpërndarjeje në bregun perëndimor të Amerikës dhe po punon për të siguruar shpërndarje në qendra të tjera të mëdha metropolitane

Me një imazh modern dhe me një filozofi me baza të forta etike, kompania Tcho duket se është e pajisur më së miri për të përballuar konsumatorët që e konsiderojnë mjedisin një shqetësim parësor. Por kur bëhet fjalë për shitjet, sa i rëndësishëm është marketimi i produktit

“Nëse produkti nuk të bind dhe nuk të jep një kënaqësi të menjëhershme dhe dëshirë për të blerë përsëri, sado para të shpenzosh për ambalazhim e reklama, nuk do të arrish të shesësh gjë, pasi kryesorja tek çokollata është shija”

Ka njerëz që thonë se çokollata amerikane nuk hahet dot me konkurrentët globalë. Por zoti Rossetto merr si shembull momentin kur vera amerikane i çuditi skeptikët dhe thotë se çokollata amerikane mund të bëjë të njëjtën gj

“Sot çokollata amerikane mund të konkurrojë me cilëndo çokollatë në botë dhe do të renditet ndër më të mirat”.

Për 30 punonjësit e kompanisë Tcho, fiksimi pas çokollatës është pjesë e punës.  Për partnerët Metcalfe dhe Rossetto është një ndër mënyrat për shkëmbime direkte me konsumatorët dhe fermerët dhe me botën – për të realizuar një ndikimi pozitiv me shije të ëmbël.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)