24 Korrik 2019

Sektori minerar të hapet për investime të huaja

Prishtinë, 10 maj - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, po merr pjesë në konferencën e dytë “Zhvillimi Integral i Industrisë Minerare me Ndikim Minimal në Mjedis”, konferencë kjo e organizuar në mes Kosovës dhe Shqipërisë që po mbahet në Tiranë.

Lluka në adresimin e tij para pjesëmarrësve të Konferencës theksoi rëndësinë e bashkërendimit të aktiviteteve në mes të dy vendeve tona në fushën ekonomike, me fokus në rritjen e konkurrueshmërisë si një treg i përbashkët ekonomik.

“Trepça”, miniera e magnezitit në Golesh, miniera e re e thëngjillit dhe 11 zonat me interes të veçantë ishin potencialet e përmendura nga ministri Lluka që kanë marrë vëmendje nga Qeveria e Kosovës për të zhvilluar këtë sektor jetik për vendin.

“Shtetet në tranzicion që kanë arritur të zhvillojnë sektorin minerar, kanë kaluar fazën e tranzicionit më shpejtë, kryesisht për shkak se ky sektor ka kapacitet të thithë investime të huaja më shpejtë se sa sektorët tjerë, që rezulton në punësime të reja, rritje të aktivitetit ekonomik dhe rritje të eksportit, të gjitha këto duke ndikuar në rritje të bruto produktit vendor. Prandaj, është jetike për mirëqenien e vendeve tona që këtij sektori t’i jepet prioritet në zhvillim”,  tha ministri Lluka gjatë fjalimit të tij.

Bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve tona, së fundi ka rezultuar edhe me investimin e Baltin Group në Ferronikel dhe i cili sot është një nga eksportuesit më të mëdhenj të vendit tonë, gjithësesi me potencial për zhvillim edhe më të hovshëm. Ky investim duhet të përdoret si model i bashkëpunimit në mes të dy vendeve tona.

“Ministrinë të cilën e drejtoj, përveç tjerash, e ka prioritet krijimin e një ambienti sa më konkurrues në sektorin minerar, si një parakusht për tërheqje të investimeve të huaja dhe zhvillimin e sektorit minerar. Ne, tashmë kemi edhe Ligjin për Investime Strategjike i cili eliminon burokracinë dhe krijon bazë të favorshme ligjore për ardhjen e brendeve më të njohura në vendin tonë”, u shpreh Lluka .

Konferenca e dytë me temë “Zhvillimi Integral i Industrisë Minerare me Ndikim Minimal në Mjedis” ka mbledhur institucionet e dy vendeve, bizneset dhe ekspertët e fushës dhe do të zgjas dy ditë. Rekomandimet e kësaj konference kanë për qëllim që të ndihmojnë politikbërësit të përmirësojnë ambientin e të bërit biznes në sektorin minerar.





 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 korrik 2019

- Drejtoresha e Misionit të USAID-it në Kosovë, Lisa Magno, do të dëshmojë nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit me 14 komuna të Kosovës. (Hotel Emerald, ora 10:00) 

- Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Pal Lekaj merr pjesë përurimin e zgjerimit dhe rehabilitimit të hyrjes së pikës kufitare Kosovë - Shqipëri, në Vërmicë. (Pika kufitare e Vërmicës, ora 10:30)

- Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri pret në takim drejtorin e UNHCR. (Zyra e Kryetarit Haziri, ora 11:00)

- Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, do të pres në takim kryetarin e Komunës së Malisheves, Ragip Bega, më të cilin do të nënshkruajnë memorandume të bashkëpunimit për financimin e projekteve në fushën e mjedisit. (Kabineti i Ministrit, kati 17, ish objekti Rilindja, ora 11:00)

- Qendra Mediale me mbështetjen e Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur organizon mbahet debatin publik, me temë: "Taksa 100 për qind - kush fitoi, e kush humbi dhe çfarë?". (Qendra Mediale në Çagllavicë, ora 11:00)

- Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës organizon panairin me punime artizanale, veshje kombëtare dhe ushqime tradicionale. (Sheshi “Skënderbeu”, ora 11:00)

 - Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri pret në takim Sam Paice, udhëheqës i sektorit për demokratizim në Ambasadën Britanike. (Zyra e Kryetarit Haziri, ora 11:30)

- Komuna e Gjilanit organizon ceremoninë e dorëzimi te donacionit për shëndetësi nga Besnik Benz. (Qendra Klinike e Mjeksësisë Familjare, ora 12:30)

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media. (Zyrët e Vetëvendosjes, ora 13:00)